Myrteza – Xajë Nura, rrëfimtari i kujtesës që meditoi për fragmente të jetës nëpër biruca e qeli izolimi

Kultura

Myrteza – Xajë Nura, rrëfimtari i kujtesës që meditoi për fragmente të jetës nëpër biruca e qeli izolimi

Besim Perjuci Nga Besim Perjuci Më 17 korrik 2017 Në ora: 13:13
Myrteza – Xajë Nura

In memoriam, me rastin e vdekjes së njeriut, intelektualit, poetit, shkrimtarit, prozatorit, dramaturgut, eseistit, publicistit dhe kronikanit të shumë ngjarjeve historike kombëtare z.Myrteza – Xajë Nura, i cili me nderime të larta shtetërore e ushtarake u varros më, 14 korrik 2017, në Gjakovë.

Xaja i takonte plejades së shkrimtarëve me vlera të larta të nivelit intelektual, duke e shkrirë tërë opusin e vet letrarë e mendor në ideale të mirëfillta kombëtare atdhetare, filozofike sociale, me premisa universale e passion të guximshëm duke e ruajtur kështu krenarinë e papërkulshme të cilën askush e askurrë  s’mundi t’ia grabit.

Frymën e parë e nxori më 1934, mbi sexhadën e moçme të nënës kapeshnicase me qumësht të sojit, pikërisht në Pejën e Lumbardhit meandror të Grykës shekullore e me ujë të frekët kristal të kulluar rrëzë Alpeve rugovase me bukolikën e tyre të admiruar, për t’u bërë, më vonë, i njohur  si Xaja i “Kapeshnicës trime”, Xaja i “matanë Urës Zallit”, Xaja “rrëfimtari kujtesës me identitet të durimit”.             

Ky gur mermeri i fortë me shkoretin bardhosh të mjekrës e thinja të kohës, ky symbol i qëndresave ndër shekujt e vrarë e me shpresë të peshuar, karshi ërrësirës i pakrusur, karshi dramës njerëzore fuqishëm i tokëzuar me tërë thesarin e shpirtit, iku sot, në ditën e 14 të muajit të vapës /korrik/ të vitit 2017, duke na lënë përgjithmonë me dhëmbje pikëllimi e dashuri të paluejtshme për gjithçka bëri, për gjithçka i dha kësaj toke, kombit dhe gjuhës arbërore.

Në rrugën e jetës, në shtegun e ardhmërisë ishte i paluhatshëm para sprovave të pazakonta. Gjithmonë i artikuluar me fjalët Atdhe, Komb e Gjuhë, Jetë e Ardhmëri, refleksione me fuqinë e besimit njerëzor do të thoshin. Intelektual në galerinë e nënqiellit shqip që foli me gjuhën e historisë e me eliksir shpirti, i fisnikëruar me kreacione të kuptimta universale e kombëtare.

“Unë me mission hyra e dola tri herë në birucë”, fliste atëbotë Xaja, për të shtuar se, “kështu u mplaka, por brezi i devotshëm, me dinjitet tjetër, me krenari të pashkelur thirri kushtrimin e shartuar e të mbledhur kohëve, si breza në shërbim të identitetit kombëtar, që u mbarsën me jehonë çlirimi e shpëtimi prej grackës së satanait dhe shpalosi idealet, si krushqë të lirisë, për të bërë Epope historike me sakrifica sublime, duke i mbjell jetët maleve, fushave, shtëpive me frenxhi, po gjithnjë me krisma të jehonës derisa u bën me nder e gjak mishërim historie”./Monodrama:”Goditje në zemër”/.

Xaja, simbol i qëndresës me diagnozë atdhetarie e në shërbim të identitetit kombëtar gjithmonshëm

Përplasjet, përherë i pati në kacafytje me problemet, me njerëzit, me kohën, me karremin e tradhëtisë, me tundimet e nduarnduarta, me gjithçka që ia ndrydhnin dritën, frymën, udhën, jetën-mbijetesën.

Hartën eTokës Kosovë, të cilën me hile e kafshuan ardhacakët hibrid, e këndoi për histori të brezave, sepse për këtë At-Dhe thoshte “është dhënë Drita e Syrit, vlera më e ndritur me kuptim njerëzor”.

Në qendër e pati vetveten me të gjitha almiset e moshës dhe viteve të shkuara që aq shumë e paten provokuar kohët hibride hendeqeve, birucave të errëta, qelive të vetmisë dhe heqamave, për të thënë se:”…e di mirë se jam mbetje e kohëve me origjinë të stërlashtë..!”

Pra, ishte Xaja me shenjen e racës shqip, i rebeluar guximshëm për t’u shndrruar në disident të zëshëm e të pandreqshëm, ashtu sikur i gjithë opusi i tij letrar i cenzuruar dhe i privuar nga bota për shumë vite nga politika e kohës. Xaja, ishte dhe mbetet në skenën e jetës dhe të riskut të mbijetesës si poet e prozator, kronikan e dramaturg modern me fuqinë e gjuhës së figuracionit. Vetë Libër i shpalosur i ngjarjeve me jehona historike.

Figurë aq dramatike sa dhe emblematike që ziente brendapërmbrenda vetes dhe kohës.

Xaja me dhuntitë e tij krijuese eci vertikalisht, duke e përmbush kështu kriterin historik politik, filozofik dhe etiko-social, si mënyrë e shprehjes estetike përmes së cilës kuptohet larmia jetësore dhe fati njerëzor i këtij trolli.

Ishte, pa dyshim, udhëtar i shpresave me merita të veçanta, udhëtar i përjetimeve me karvanin e kohësisë. Njeri me urtësi perëndie dhe fjalën hyjnore në botën e artit.

Baca Xajë, siç e quajmë ne, ishte dhe do mbetet mendimi i gdhendur shumështresor, njeri me identitet dhe integritet të përcaktuar, i mbushur me vibracione dashurie, si gjithnjë në kërkim të Dritës, Vlerës dhe Njerëzorës.

Andaj, natyrshëm e me sinqeritet njerëzor, sidomos qytetarët e Gjakovës e të Pejës, veçmas kapeshnicasit e tu “rebelë”, por edhe ata që të njohen, dëgjuan apo paten rastin të të lexojnë e bashkëbisedojnë me Ty, do ta ndjejnë mungesën tënde Bacë, ngaqë të paten për zemër, si njeriun e kombit e të atdheut, poetin, shkrimtarin, dramaturgun, eseistin, kronikanin dhe intelektualin e kohës.

Të faleminderit bacë

TË MENDUAR TË GJETA

/Plakut tim të thinjur, Myrteza -Xajë Nurës/

Të menduar të gjeta me shpalosje të galerisë

Me impulse të Lorkës

Ulur si gjithmonë me durim n’ballë t’oxhakut

Mbi sixhaden e vjetër të Lokës tënde/e ndriçoftë Dritë e qiellit/

Nënës kapeshnicase me qumësht të sojit

Raca jonë e vjetër, rrita e pleqëria me natyrë ikone.

 

Latoje vargun e mbetur qëmoti n’kujtesë

Me gjuhën më të moçme të rruzullimit me shtesë

Me paqtim shpirti të shkruar me pjekuri e mbresë

Me urtësi hyjnore thinjash të gdhendura motit

N’arkeologjinë mijëravjeçare gjurmoje arkitekturën e kohës

Me alfabetin e kombit

Dhe brezat i vitalizoje me fjalën e Zotit.

 

Çastet e mirëpritjes pa përtesë m’i urove

E n’përqafim gëzimi e me frymë jete

Me më të bukurën fjalë e artikulove.

“Mirë se na erdhe - o djalëlis!

Mirë se na erdhe, o miku im i sh’pisë! “

Në këndin tim të hershëm, në kanape të butë

Zura t’i flas Bacës për ngrohtësinë e tij me traditë të urtë:

_“Mirë se të gjeta, libri im i pashteruar -

Personazh Dardane në rilindje idealesh

Bashkë me rrudha t’ballit

U dogje si NUR”.

 

Të lexoj me dashuri pa ta thënë shpërthimin tim

Kur mbushën fusha e mali me gjelbërim

Kur jehon kënga me gjallërim

Pranverat përmbrenda meje

Do t’i lëkund me djalin im

Ti gjithmonë ngarende në hartim të hodutit

Pa robëri

Pragun e mikpritjeve e nderove

Me mbëltim të zakonit

Deri në pleqëri.

                                 

Largpamës me ideale të Dheut

Dukagjinit gjithandej, Drenicës e Llapit

Kaçanikut e Karadakut

E n’grykë t’Gollakut frymën s’e huqe

Për ta vazhduar këngën shqip

Deri të Moll’e Kuqe.

 

E nxore nga gryka dhimbjen me zjarrmi

Kur ta grisën shpirtin e në siklet të vunë

Kur ta lëkundën  gjakun n’mozaik të kullës

Ti Baca i qendresave jetoje me penë e punë

Me metaforën e fuqishme të gjuhës.

 

Sikur të kalli rrugëtimi me rrufe e rektimë

Me klithje të mbytura epokave në molisje

Ndryshe tashti i bëre me emërembiemër

Burrërisht vazhdoje t’i stolisë e ruan në zemër

Me gjuhën e shkëlqimit ëndrrën ta bëje zhgjendër.

Qershor 2010.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat