OJQ-të e Vushtrrisë kundër restorantit në Kala

Kultura

OJQ-të e Vushtrrisë kundër restorantit në Kala

Më: 17 korrik 2017 Në ora: 13:52
Kalaja e Vushtrrisë

Organizata të shoqërisë civile po e kundërshtojnë ndërtimin e restorantit në Kalanë e Vushtrrisë.

Lajmi se një pjesë e kalasë i është dhënë në shfrytëzim një biznesmeni për të ndërtuar aty një restorant, ka nxitur reagimin e shoqërisë civile në Vushtrri.

OJQ-të e Vushtrrisë dhe gjithë Kosovës  hapësirën e Kalasë së Vushtrrisë e kanë shfrytëzuar për organizimin e aktiviteteve vullnetare, rinore dhe kulturore që si qëllim kanë pasur interesin e përgjithshëm publik.

Bajrush Kosumi, kordinator i Qendrës Rinore në Vushtrri, tha për KALLXO.com se është kundër që hapësira që u përdor për aktivitete rinore të shndërrohet në restorant.

“Hapsira të cilën ne dhe të rinjtë deri më tani e kemi shfrytëzuar për aktivitete rinore, tash e tutje po shndërrohet në biznes dhe ne nuk do kemi mundësi t’i mbajmë këto aktivitete aty”, tha Kosumi.

Edhe Blerim Ibrahimi, kryetar i Këshillit për Veprim Rinor Lokal në Vushtrri nuk do që hapësira e kalasë të përdoret për biznes.

“Dhënia në shfrytëzim për restorant një hapësire brenda kalasë së qytetit është një gabim të cilin nuk është dashur ta bëjë IMMK-ja. Ajo hapësirë perveç që do na pamundësojë neve OJQ-ve t’i mbajmë aktivitete tona rinore, do bëhet edhe pengesë për vizitorët e kalasë’, tha Ibrahimi.

Kundër restorantit brenda kalasë është edhe Shpresa Rama, drejtoreshë për Kulturë Rini e Sport në Komunës e Vushtrrisë.

Ajo tregoi se për çfarë aktivitete është shfrytëzuar Kalaja e Vushtrrisë.

“Kalaja e qytetit  ishte bërë një hapësirë e shfrytëzueshme për zhvillim të aktiviteteve të qëndrueshme vullnetare për shoqërinë civile dhe aktorët tjerë relevantë. Gjithashtu në atë hapësirë janë organizuar edhe dëgjime të ndryshme publike të iniciuara si nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ashtu edhe nga drejtoritë tjera përkatëse komunale”, tha Rama.

Edhe një grup i qytetarëve të Vushtrrisë janë duke bërë thirrje për protestë që të kundërshtohet restoranti brenda kalasë.

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK) më 6 korrik i dha leje Mentor Salihut që në një pjesë të kalasë të ndërtojë një restorant.

Salihu është daja i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, por Mulaku e mohoi kur foli për se ka gisht në djhënien e kësaj lejeje për Salihun.

Bajram Mulaku kur kandidonte për zgjedhjet lokale të vitit 2009 në Debatin “Jeta në Komunë” kishte paralajmëruar që në kalanë e Vushtrrisë do të ndërtohet një restorant.

Kalaja e Vushtrrisë sipas Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Ministrisë së Kulturës është ndërtuar në shekullin VII.

Në Vushtrri edhe te Ura e Vjetër e Gurit funksionon një restorant për të cilin Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar se nuk po e zbaton në tërësi kontratën e nënshkruar me komunën për shfrytëzim të hapësirës afër urës.

36 blloqe gurësh të kësaj ure të kohës së Mesjetës u shembën në shkurt të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat