Pas suksesit në Trabzon, “Shota” udhëton për në festivalin ndërkombëtar në Plovdiv të Bullgarisë

Kultura

Pas suksesit në Trabzon, “Shota” udhëton për në festivalin ndërkombëtar në Plovdiv të Bullgarisë

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 11:30
AKKV “Shota”

AKKV “Shota”, që nga festivali ndërkombëtar  “Kemençe ve Horon” që u mbajt në Trabzon të Turqisë u kthye me katër shpërblime, nga data 1-5 Gusht do të jetë pjesë e edicionit të 23-të të festivalit ndërkombëtar që organizohet në qytetin Plovdiv të Bullgarisë.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” me datë 14 Korrik 2017 është kthyer nga Turqia, ku kanë marrë pjesë në Festivalin “1st International Kemençe ve Horon Festival”. Festivali është mbajtur nga data 07-13 Korrik në Trabzon të Turqisë. Në këtë festival garues, përveç “Shotës” kanë marrë pjesë edhe 9 Ansamble tjera nga Turqia (3), Gjeorgjia (2), Irani, Kameruni, Azerebajgjani dhe Bullgaria.Duhet cekur se disa shtete ballkanike, të planifikuara për pjesëmarrje në festival (Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosna dhe Hercegovina, Rumania dhe Hungaria) e kishin anuluar pjesëmarrjen. Sipas organizatorit ato këtë e kanë bërë për shkaqe sigurie! Pikërisht për këtë, organizatori ka ftuar në momentet e fundit ansamblet vendëse nga Ankaraja, Sakaria dhe Bursa si dhe një ansambël tjetër nga Gjeorgjia (“Jellna”). Në këtë festival Ansambli “Shota” u nderua me çmimin e dytë në kategorinë e përformancës së përgjithshme, çmimin e parë për muzikë dhe çmimin e parë për veshje. Gjithashtu në garën e bukurisë, përfaqësuesja e Ansamblit “Shota”, valltarja Remzije Vllasa, u zgjodh përcjellësja e parë e MIS-it të festivalit. Për renditjen e Ansambleve vendosi juria e përbërë nga përfaqësuesit e të gjitha ansambleve pjesëmarrëse dhe e këshillit organizues të festivalit! Në kategorinë e përformancës së përgjithshme, vendi i parë iu nda Ansamblit “Bolnelli” nga Gjeorgjia, ndërkaq vendi i tretë shkoi për Ansamblin “Galaxy” nga Dimitrovgradi i Bullgarisë. Ndërkaq në përzgjedhjen e “më të bukurës” së festivali ngadhënjeu përfaqësuesja e Iranit, kurse  kurora e përcjellëses së dytë shkoi për përfaqësuesen e Ansamblit nga Bullgaria.  

Pas paraqitjes shumë dinjitoze të Ansamblit në Trabzon, pothuajse të gjithë përzgjedhësit e festivaleve në Turqi i kanë bërë ftesë verbale Ansamblit që të jetë pjesë e tyre, në edicionet e ardhshme.

Gjithsesi, Ansambli “Shota” me datë 31 Korrik, sipas agjendës së paracaktuar do të merr pjesë në edicionin e 23-të, të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Plovdiv 2017” që organizohet në mes datave 1 dhe 5 Gusht. Për dallim nga festivali në Trabzon, festivali i Plovdivit, që organizohet në kuadër të CIOFF-it, nuk është garues. Mirëpo në të do të marrin pjesë shtete reprezentative në fushën e folklorit dhe “Shota” mëton të përfaqësojë në nivelin sa më të lartë traditën dhe trashëgiminë tonë shpirtërore dhe materiale.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat