Paçarizi: Seminari i sivjetmë me prurje cilësore

Kultura

Paçarizi: Seminari i sivjetmë me prurje cilësore

Më: 13 gusht 2017 Në ora: 10:44
Rrahman Paçarizi

Kanë përfunduar përgatitjet për Seminarin e 36-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, seminar ky që do të mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

Kështu ka thënë profesori në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, në një intervistë për Kp, derisa ka theksuar se sfida më e madhe mbetet sigurimi i fondeve.

Sipas tij, seminari do të fillojë nesër dhe do të zgjas deri më 25 gusht.

Paçarizi: Sigurimi i fondeve, problemi më i madh sivjet

“Përgatitjet e seminarit zgjatin rreth një vit. Telashet më të mëdha i kemi me sigurimin e fondeve për mbulimin e shpenzimeve të seminarit. Ky ka qenë problemi kryesor sivjet, mirëpo duke iu falënderuar Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Rektoratit, ne i kemi siguruar tashmë fondet. Janë bërë ftesat, janë shtypur materialet, është siguruar akomodimi dhe ushqimi për seminaristët dhe ne jemi gati që të hënën të nisim edicionin e 36-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, tha ai.

Paçarizi është shprehur se numri i pjesëmarrësve është i madh, përderisa ka thënë se ka seminaristë dhe studiues që marrin pjesë në këtë seminar, për më shumë se dhjetë vite me radhë.

Paçarizi: Seminari do të ketë gjithsej 400 pjesëmarrës

“Numri do të sillet diku rreth 150-të, vetëm ndjekës të kurseve, studentë dhe studiues të huaj që ndjekin mësimet e shqipes. Ndërkohë që në punimet e seminarit, në mënyra të ndryshme, përveç këtyre 150-ëve, do të marrin pjesë edhe më se 250 studiues të tjerë të cilët do të paraqiten me punimet e tyre, me rezultatet e tyre shkencore, në sesionet shkencore të tri fushave të albanologjisë, në gjuhësi, letërsi dhe kulturologji. Pastaj do të paraqiten një numër i madh i doktorantëve për të cilët tash e disa vjet organizojmë një sesion të veçantë që zgjatë dy ditë. Janë disa seanca që mbahen në këto tri fusha dhe janë studiuesit të cilët do të mbajnë ligjëratat e tyre, pastaj do të ketë disa promovime, tryeza e kështu me radhë”, tha ai.

Temat që do t’i trajtojë seminari, Paçarizi thotë se do të zhvillohen përgjatë tri sesioneve, ndërsa thotë se për dy sesionet e para, atë të gjuhës dhe letërsisë, ka interesim të jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve.

Paçarizi: Ka prurje cilësore në të tri sesionet

“Temat e seminarit të sivjetmë do të jenë përgjatë tri sesioneve shkencore të organizuara. Në sesionin e gjuhës do të jetë ‘Qendrat e zhvillimit të shqipes’, është tema boshte e sesioneve dy ditëshe. Në fushën e letërsisë tema boshte do të jetë ‘Fakti dhe fiksioni në letërsi’, kurse ë kulturologji  do të jetë ‘Media dhe identiteti kulturor’. Për të dy sesionet e para, që kanë një traditë shumë më të gjatë, dyzetetre vjeçare, ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm, ka prurje cilësore, për aq sa kemi mundur të vlerësojmë në bazë të abstrakteve të dorëzuara”, u shpreh ai.

Për shkak se sesioni i kulturologjisë është themeluar vonë, para tri vjetësh, profesori Paçarizi thotë se ka rënie të numrit të të interesuarve, ndërsa shton se kjo mund të ndodhë edhe për shkaqe të tjera.

Paçarizi: Ka rënë interesimi për sesionin e kulturologjisë

”Ndërkohë në sesionin e kulturologjisë, interesimi sivjet ka rënë edhe... për faktin se Universiteti i Prishtinës ka vendosur përmes një vendimi që për ne është absurd, që të mos llogariten si punime ndërkombëtare punimet që lexohen dhe botohen në revistën e seminarit dhe presim që ta  tejkalojmë këtë situatë në mënyrë që studiuesit e ri të kulturologjisë, para së gjithash, të medias, të historisë, të arkeologjisë, të sociologjisë, të mos dekurajohen por të vazhdojnë të jenë pjesë e seminarit”, shpjegoi ai.

Sa i përket rëndësisë së seminarit, ai tha se do të merrte shumë kohë numërimi i efekteve pozitive që seminari i ka, ndërsa ka renditur disa prej tyre.

Paçarizi: Efekti më pozitiv është lidhja e albanologjisë me shkencën globale

“Mendoj që efekti më i madh është lidhja e albanologjisë me shkencën globale. Lidhja e Kosovës me vendet e tjera të botës, që ka ndodhur që nga viti 1974 dhe lirisht mund të thuhet që seminari ka qenë ambasador i parë dhe vazhdon të jetë më i rëndësishmi në planin ndërkombëtar. Pastaj,  një efekt shumë i rëndësishëm për të cilën ka kontribuar seminari është prodhimi, të themi kushtimisht, i albanologëve të huaj, të cilët më pas jo vetëm që janë shndërruar në miq të Kosovës, por kanë themeluar edhe disa katedra të studimeve albanologjike nëpër universitetet më të njohura të Evropës”, tha ai duke shtuar se rëndësi të veçantë ka edhe lidhja e pjesëmarrësve me kulturën shqiptare.

Ndryshe, hapja solemne e Seminarit XXXVI, do të bëhet të hënën, më 14 gusht 2017, në orën 11:00, ndërsa punimet do të zhvillohen në Prishtinë nga 14 – 25 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat