Kriza e kreativitetit artistik e estetik

Kultura

Kriza e kreativitetit artistik e estetik

Nga: Bislim Aliu Më: 16 gusht 2017 Në ora: 10:38
Bislim Aliu

Sot e gjithë ditën, po ndeshemi , me antivlera artistike dhe estetike dhe, shikuar në përgjithësi, fare pak po shikohet estetika e mirëfilltë. Ajo është e zbehtë në mediumet e shkruara, në TV-të, në revistat dhe në librat shkollorë, ku ka mangësi të shumta sa i përket anës ilustruese-grafike. Kjo mangësi artistike, po na shpërfaqet me të madhe dhe, s’ka kush t’i del para. Dhe, deri kur te ne të dominoj antivlera dhe antiarti?

Pa mëdyshje, po jetojmë në një kohë kur te ne me të madhe po krijohen antivlera, antiart, apo vlera surrogate dhe, në vijimësi, kësaj shpërfaqëje thuase nuk ka kush t’i del para për ta gjykuar këtë antiart dhe antivlerë. Sikur në vazhdimësi po na mungon arti i mirëfilltë dhe estetika në përgjithësi. E, dihet mirëfilli se estetika është një botë e brendshme, e bashkuar dhe e sistemuar e mendjes dhe e shpirtit. Kjo botë duhet të përjetohet, të sistemohet dhe të shprehet në mënyrë estetke. Andaj, jemi të detyruar  gjithmonë ta përkrahim estetikën dhe të krijojmë vlera estetike.

Këtë estetikë, sigurisht, mund ta shprehin vetëm krijuesit e mirëfilltë, të cilët në vazhdimësi, e kanë brendinë e ravijëzuar dhe shpirtëroren e ndiesuar. Vetëm ata, mund ta ndiejnë, ta përjetojnë dhe ta shpërfaqin këtë brendi të lartë estetike. Zatën, krijuesi i rezonuar dhe i mirëfilltë, kësaj estetike i qaset nga brenda, varësisht nga talenti dhe intuita e lartë e tij kreative.

Megjithatë, këtë intuitë të lartë kreative e artistike, nuk mund ta shpërfaqin, eksperimentuesit e rëndomtë, të cilëve u mungon estetika,  por ata,  në vazhdimësi, vazhdojnë të  krijojnë, kinse vlera avangarde, e në realitet ato mund  t’i cilësojmë si antiart apo antivlerë!

Arti i bukur gjithnjë do të jetë i bukur

Arti i bukur gjithnjë do të mbetet i bukur, pavarësisht kohës kur është krijuar. Sigurisht me këtë art të bukur, merren vetëm  krijuesit e mirëfilltë, që nuk  u intereson fama, as sasia, por vetëm cilësia e lartë e ravijëzimit artistik dhe estetik. Dihet mirëfilli, se këtë estetikë të lartë shpirtërore, nuk mund ta kenë krijuesit që krijojnë ad-hoc, apo që nuk e kanë talentin e duhur dhe që, në masë të madhe u mungon teoria e lartë estetike. Ata, tani, po krijojnë antiart, antivlerë, apo vlera surrogate, që sot për sot fare nuk po dihet se ç’është arti, e ç’është kiçi!

Megjithate, nëpër kohë, në Kosovë, me idealizmin më të lartë u krijuan  disa vepratomonime që do të rrezatojnë gjithmonë me shpërfaqjen e lartë artistike e estetike, siç janë veprat;  “Elegji pë Kosovën” e Tahir Emrës, “Hamalli” i Muslim Mulliqit, “Hasjanja” e Fatmir Krypës, “  “Autobiografia “e Xhevdet Xhafës, apo “Ferexhet” e Masar Cakes.  Në këto vepra  gjithmon do të mbetet sensualja më e lartë e ndiesimit idilik, sensitive  e përmbajtësor.

Pra, vepra e mirëfilltë, do kohë, do mund, dhe besa, do edhe dije profesionale në shprehjen e lartë artistike. Dhe, gjithsesi, a nuk emocionohet njeriu kur e sheh “Davidin” madhështor të Mikelangjelos , “Mona Lizën” e Leoardos, apo “Guernikën” e Pikasos?

Zatën këto vepra i kanë krijuar artistët, që në vete e paten ravijëzimin shpirtëror dhe sensin e lartë shprehimor. Ata, gjithnjë, krijuan nga cytja e brendshme shpirtërore duke krijuar vepra të larta artistike e estetike. Sot e gjithë ditën, shikuar në përgjithësi, fare pak po shikohet estetika e mirëfilltë. Ajo është e zbehtë në mediumet e shkruara, në TV-të, në revistat dhe librat shkollor, ku ka mangësi të shumta sa i përket anës ilustruese-grafike.

Andaj, nëse me vëmendje më të madhe e analizojmë përgatitjen estetike të librit, do të shohim qartas se atij i mungon estetika. Pra, i mungon arti dhe të bukurit.

Krijimi i vlerave të rrejshme, mangësi e artit në përgjithësi

Eshtë e vërtetë se krijimi i pseudovlerave te ne në Kosovë po shprehet me të madhe. Këto krijime kanë marrë hov të madh dhe s’ka kush t’i ndalë. E, në anën tjetër, veprat e mirëfillta kanë rënë në margjinë, pa ndonjë përkrahje dhe pa ndonjë vlerësim konkret!  Sot, pra, nuk po dihet se cili është art i vërtetë dhe cili pseudo vlerë, apo antiart! Në anën tjetër, fare pak, ose aspak nuk po dëgjohet zëri i kritikës së mirëfilltë. Ajo duhet të dëgjohet vazdimisht dhe të shprehet realisht. Ndaj, vetëm me kritika realiste do ta mposhtim dhe do ta largojmë këtë antiart dhe këtë antivlerë.

E, në anën tjetër, sikur periferia është lënë anash nga kjo mbikëqyrje realiste. Edhe në periferi kemi art të mirëfilltë. Megjithatë, askush s’e çan kokën për krijuesit që krijojnë në periferi. Ata nuk i çmon dhe nuk di t’i vlersojë periferia. E, qendra, disi, nuk u ofron mudësi për ta shprehur dijen kreative.

Ata vazhdimisht po krijojnë vepra të mirëfillta, që në vete e kanë shprehjen e lartë të komunikimit. Kjo besa, disa herë është vërejtur në hepjen e ekspozitave, individuale dhe kolektive, e që fare pak janë përcjellur me një vëmendje më të organizuar. Dhe, interesant, shumë herë  këto ekspozita kanë mbetur në margjina të  injoruara nga institucionet e kulturës dhe të artit. Ndaj, a s’është kjo padrejtësi dhe një mëkat profesional e njerëzor ndaj krijuesve të tillë?

Andaj, është një nevojë e domosdoshme, që në vendet udhëheqëse të institucioneve të kulturës dhe të artit duhet të vijnë njerëz të kualifikuar dhe që e njohin artin në përgjithësi. Vetëm këta njerëz do ta qojnë përpara artin dhe kulturën. Pra, profesionistët e vërtetë le ta udhëheqin artin dhe kulturën.

Megjithatë, kështu siç është vepruar deri më tash, por edhe tani poashtu, po vendosen njerëzit  si drejtor kulture, në baza partiake, apo njerëz të dëgjueshëm, zor se do të pritet  ndonjë përparim në zhvillimin e artit dhe të kulturës. Ndaj, vetëm profesionistët e vërtetë do ta zhvillojnë të bukurën, artin, estetikën dhe komunikimin artistik

Fatkeqësisht, sot e gjithë ditën, në vendet udhëheqëse për kulturë, më së paku shikohet përgatitja profesionale dhe kreativiteti i tij artistik. Në këto vende, vijimisht, po caktohen njerëzit që i zbatojnë urdhërat partiake, pra njerëzit e politizuar dhe që nuk kanë njohuri të bollsh,me artistike. E, hyrja e politikës në art e kulturë, ka bërë që aty nuk ka as art dhe as kulturë. A s’është ky një mjerim kulturor, artisti dhe fare  jonjerëzor?

Andaj, ky politizim i njerëve, rrënjësisht e ka damkosur kulturën dhe zhvillimin e saj në përgjithësi. Politika dhe njerëzit e politizuar, gjithmonë do ta pengojnë zhvillimin e artit dhe të kulturës. Pra, tani, kërkohen njerëz me bagazh të lartë  kulturor. Mendoj se kemi njerëz të shkolluar, që krijojnë vazhdimisht vepra artistike, e pra, pse këta të mos vijnë  në udhëheqje për ta zhvilluar artin dhe kulturën? Dhe, deri kur të vuaj kultura dhe arti për njerëz të tillë? Ndaj, përderisa nuk vijnë njerëz profesionist të kulturës, aty, gjithmonë ,nuk do të ketë, as art dhe as kulturë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat