Poezi ku shprehet malli dhe dashuria për atdheun

Kultura

Poezi ku shprehet malli dhe dashuria për atdheun

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 18 gusht 2017 Në ora: 15:40
Kopertina e Librit

Ndonëse e mërguar larg vendlindjes, larg atdheut, Elhame Gjyrevci  asnjëherë s’pushoi së krijuari në prozë e poezi .Tek poezitë e saj shpeshherë, ndihet pesha e mungesës së atdheut. Gjyrevci është e ngërthyer nga malli, dhimbja, por edhe  kujtesa që përshkohet nga një shqetësim permanent, i cili më pas shkrihet në artin poetik të sajë.  Edhe në përmbledhjen me poezi “Emri atdhe” shpirti dhe mendja e poetes, është e lidhur me atdheun dhe me më të dashurit e sajë.

Ajo shkruan për atdheun, historinë e popullit, për traditat, për dashurinë, për familjarët, për lulet e për shumë gjëra tjera. Poetja mundohet të thotë diçka më ndryshe që të tjerët nuk e kanë thënë deri më tani.

Libri  poetik “Emri atdhe”  është i ndarë në tri pjesë  ( “ Një grusht dhe ”, “ Rruga pa kthim ” dhe “ Derën ma lër hapur ” ) ku mbretërojnë tema për atdheun, tema shoqërore dhe intime.

Autorja me këtë përmbledhje të poezive shpreh mallin dhe dashurinë për çdo gjë që i  mungon nga vendlindja.

Poetja Elhame Gjyrevci jeton larg vendit të saj, Kosovës, por që kokën dhe vështrimin e ka përsëri nga atdheu.

Andaj  pasi që gjithnjë është e preokupuar me këtë çështje, një pjesë e madhe e poezive të këtij vëllimi  kanë për temë atdheun që i ka sistemuar në pjesën e parë  të titulluar “ Një grusht dhe ”. Dashurinë për atdheun e shohim edhe  tek poezia emblemë  “ Emri atdhe ”  që nga kjo na vjen edhe titulli i librit. Kjo poezi është edhe mesazh ku ndër tjera thotë:

“Kudo që të shkosh

Ngado që të vish

Pa emrin athe

S’ t’ njeh njeri ta dish

.........................................

..........................................

Në vend të huaj, biro

Ti edhe jeto

Por emrin atdhe

Kurrë mos e harro “

Si edhe librat tjerë edhe kjo përmbledhje e poezive të Gjyrevcit është e brumosur me ndjenjën e të shkruarit jashtë atdheut ku malli dhe dashuria për atdheun është i madh.

Duke shtegtuar jashtë vendit, Gjyrevci mban të ndezur mallin për vendin e saj, për atdheun që s’mund ta nxjerr nga mendja, për të afërmit, miqtë, shokët, që dikush prej tyre tani më kanë mbetur vetëm në kujtesë.

Në pjesën e dytë Gjyrevci sjell poezi me plotë mesazhe dhe ide dhe ato poezi janë shumë komunikuese. Poezitë e këtij cikli janë me motive nga jeta, hallet, problemet e shoqërisë dhe realiteti i kohës. Ato janë të kapshme sepse sjellin kujtime, përjetime, nostalgji, mall e dhembje. Ato kanë një laramani temash gjë që ua shton vlerën estetike. Këto poezi shfaqin  botën shpirtërore të poetes, ku shumë poezi ua kushton familjarëve , por ka edhe poezi për çaste gëzimi si është poezia “ Gëzuar ” ku ajo kërkon të këndon e vallëzon e lirë, ku pos tjerash thotë:

“Gota në dorë se ç’më mbeti

Gëzuar, kur e thashë fjalën

E zemra e thyer se ku treti

………………………..

………………………..

Të këndoj e të vallëzoj e lirë

Atëherë do të ndihem mirë ”

Në ciklin e tretë  autorja sjell disa poezi me motive nga jeta, ku shkruan për ndjenjat, luleborën, dashurinë e vërtetë, për të bukurën, lulet, takimet e fundit, unazën, zambakun etj. Në këto poezi shprehet bota intime, emocionale që ka lidhmëni me jetën dhe për jetën. Në poezinë “ Puthjet “ autorja shprehet kështu:

“Puthjet midis mureve

Nuk na i pa njeri

Hëna buzëqeshi tinëz

Vjedhurazi,  hyri në brendësi ”

Ndërsa  poezinë “Unaza” e nisë me këto vargje:

“Në gisht të dorës

Një unazë

Ma dhurove

Dhe më puthe në gushë”

Po ka edhe raste kur edhe në dashuri nuk shkojnë  gjërat ashtu si planifikohen apo si duam por jeta vazhdon dhe  autorja për këtë edhe në poezinë “ Takimi i fundit ” shprehet:

“Mos mendo se aty mbeta

Ku më le që të jetoj

Prapë m’ u kthye buzëqeshja

Jetë të lumtur vazhdoj”

Kështu të gjitha poezitë  e Gjyrevcit janë të krijuara me një kujdes të madh ku përshkruan mallin, dashurinë për .vendin për familjarët, për miqtë, për dashurinë, për natyrën, për lulet….

Edhe recensuesi i librit prof. dr. Faik Shkodra në recensionin e tij ndër tjera thotë : ”Mesazhet e poezive janë të rëndësishme dhe, siç mund të kuptojmë, autorja gjithandej poezive, si një margaritarë, çështja e atdheut dhe dashuria ndaj tij e ngacmojnë dhe duke mos qenë e qetë ajo thellësisht e ndien mungesën e atdheut dhe për këtë përmes vargjeve sjell atmosferën e vuajtjes e të shqetësimit.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat