Nis sot Autostrada Biennale në Prizren

Kultura

Nis sot Autostrada Biennale në Prizren

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 13:06
Autostrada Biennale

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor - Autostrada Biennale, nis sot në Prizren. Me temën “E ardhmja e kufijve”, sot hapet ekspozita ndërkombëtare, me performanca me ngjarje artistike për të vazhduar me organizimin e konferencës dhe punëtorive tre ditore, nga 20 deri 22 Gusht 2017.

Gjatë këtij rrugëtimi artistik që do zgjasë deri më 23 Shtator 2017, do të adresohen me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive.

Vetëm tre dekada më parë, kur globalizimi aktual vazhdimisht shëmbi muret e normave dhe i bëri të gjithë kufijtë poroz, përgjigja për këtë pyetje ka qenë qartësisht dhe definitivisht se e ardhmja është e një bote pa kufij. Sot, bota duket se po shkon në drejtim të kundërt dhe kufijtë po kthehen. Çështjet e refugjatëve, punëtorëve migrantë, korporatave transnacionale, katastrofave mjedisore, identiteteve nacionale dhe etnike, e kështu me radhë, sjellin në vëmendje kufijtë e formave të ndryshme, që mbahen në drejtësi, të drejta njerëzore dhe jo-njerëzore, demokraci dhe politikë. E ardhmja e kufijve ka ardhur në qendër të vëmendjes të së sotmes tonë.

Për aq sa është i lidhur arti bashkëkohor me këtë proces, është përhapja e bienaleve dhe përhapja e tyre në kënde të ndryshme, shpesh rajone margjinale të botës, duke e bërë veten pjesë të një platforme të madhe në të cilën mund të shihet jo vetëm arti nga periferia, por çështjet e shqetësimeve globale dhe lokale mund të ndahen, diskutohen dhe debatohen. Në këto rrethana, është krijuar Autostrada Bienale. Dhe në thelb të kohës sonë, edicioni i parë do të përqendrohet në probleme të ndryshme kufitare.

Edicioni i parë i Autostrada Biennale do të përdorë hapësirat e mrekullueshme historike të Prizrenit në përputhje me temat dhe format e zhvilluara në veprat e artit. Stacioni i autobusëve dhe hapesira perreth do të fokusohen në çështjet e lëvizshmërisë, migrimit, kufijve kombëtarë dhe etnikë.

Me ndjeshmëri të theksuar për trashëgiminë e përkryer kulturore dhe praktikat e mirëkonservuara popullore të qytetarëve të Prizrenit, gjatë bienales do të realizohen intervenime artistike në shtëpitë e vjetra të qytetit.

Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor. Përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë. Përderisa pozicionet e ndryshme të artistëve vështirë se mund të kufizohen në vendosjen e thjeshtë hapësinore në qytet, ato janë aty poashtu për të ndihmuar në ripërcaktimin e topografisë së Prizrenit nëpërmjet ndërveprimit me vizitorët.

Artistët pjesëmarrës janë: Valentina Bonizzi (Itali), CHANG Chien-Chi (Taivan), Libia Castro (Spanjë) & Olafur Olafsson(Islandë),Yannick Dauby (Francë), Ettore Favini (Itali), Artan Hajrullahu (Kosovë),Ibro Hasanovic (Bosnjë), Haveit (Kosovë), HSU Chia-Wei (Taivan), Irwin (Sloveni), Doruntina Kastrati (Kosovë), Sead Kazanxhiu (Shqipëri), LI Binyuan (Kinë), Alban Muja (Kosovë), Ella Raidel (Austri), Oliver Ressler (Austri), Stefano Romano (Itali), OPA (Obsessive Possessive Aggression) (Maqedoni), Rena Radle (Gjermani) & Vladan Jeremic (Serbi), Jelena Tomasevic (Mal i Zi), Saso Sedlacek (Slloveni), YANG Shun-Fa (Taivan), Alketa Xhafa (Kosovë - Angli).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat