Festë kuq e zi në Plavë e Guci

Kultura

Festë kuq e zi në Plavë e Guci

 Ramazan Çeka Nga Ramazan Çeka Më 22 gusht 2017 Në ora: 13:01
Pamje nga festivali

Ditët tejet të nxehta të korrikut dhe fillim gushtit, nuk janë të tilla në Alpet Shqiptare, aq më shumë në trevën e Plavë-Gucisë, në këtë perlë që natyra ka sajuar me dorën e vet. Këtë pejsazh të mrekullueshëm e plotësojnë qindra banorë, malësorë e atdhetarë që, në mënyrë të veçantë bashkohen në këto vise për të festuar së bashku.

 Emocionet e këtij udhëtimi, për cilindo që merr rrugën për në Plavë-Guci fillojnë që kur makinat gjarpërojnë në rrugët e Kelmendit drejt Vermoshit për të kaluar më pas kufirin e për t'u bërë pjesëtarë në atë sofër të mrekullueshme dhe bujare që pret me krahë hapur për festen e madhe që këtë vit do të ishte edicioni i dytë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar me titullin aq domethënës "Kënga e vallja shqipe na bashkon" dhe që është vetëm një nga aktivitetet e një tradite 20-vjeçare që për tre ditë me radhë mbledh mërgimtarët vuthjanë në Manifestimin Tradicional Mbarëshqiptar: "Mirë se vini në Alpet Shqiptare, 2017" në fshatin Vuthaj.

 Kjo festë e madhe e udhëhequr nga Grupi Artistik "Maja e Karafilit" dhe "Shoqata e Alpeve Shqiptare", me mbështetjen e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, filloi me manifestimin e jashtëzakonshëm dhe madhështor që pjesëmarrësit performuan në rrugët dhe qendrën e qytetit.    Gjithaçka është kuq e zi, gjithçka është shqiptare.

Në këtë paradë festive bashkohen krahinat duke sjellë vlerat e tyre të mëdha patriotike, etnokulturore, folklorike e zakonore që i lidh një fill mbarëkombëtar flamuri kuq e zi.

Bashkohen në këtë festë malësorët, myzeqarët, Labëria, Çamëria, vëllezërit tanë nga Kosova, Lugina e Preshevës e Maqedonia dhe qindra mërgimtarë nga Europa, Amerika dhe Australia e largët.

 "Për tre ditë me radhë, thotë nismëtari dhe veprimtari i shquar i Manifestimit tradicional mbarëshqiptar "Mirë se vini në Alpet Shqiptare, 2017", zoti Tahir Gjonbalaj, në kuadër të këtyre takimeve 20-vjeçare, po mbahet edhe edicioni i dytë i Festivalit Folklorik Kombëtar "Kënga e Vallja Shqipe na Bashkon".

 Ky festival që zhvillohet në natyrë, shton ai, të befason me skenën kuq e zi, me bukuritë natyrore të perlave të kësaj treve siç janë Syri i Kaltër , Ujëvara, Krojet e Ali Pashë Gucisë, Liqeni i Plavës, Bjeshkët e Nemuna, por edhe për mirëpritjen vëllazërore vuthajne, për të gjitha grupet pjesmarrëse të cilat vijnë në Vuthaj nga Kosova e Shqipëria, së bashku me grupet shqiptare nga Mali i Zi, Maqedonia, Presheva, Bujanovci, Medvegja dhe grupet me motive nga Çamëria.

 Këtë vit, simbas organizatorit, ky festival dhe këto takime 20-vjeçare do të sillnin edhe disa zhvillime të reja ku festivali jo vetëm do të zgjaste tre ditë, por gjithashtu, në ditën e dytë do të përuroheshin dy shtëpi të reja të ndërtuar nga Fondacioni "Plavë-Guci" me seli në New York për familjet në nevojë.

Gjithashtu, tha ai, do të përurohet edhe emisioni kulturor "Bukuritë natyrore dhe vlerat  kombëtare shqiptare në Plavë-Guci" si dhe ndërtimi i Shtëpisë së kulturës në Vuthaj.

 Me këtë rast janë të shumtë me pjesmarrjen e tyre edhe mërgimtarët vuthjan, nga New Yorku, e rrethinat e tij, që kanë ardhur me gjithë fëmijët e tyre duke e hijeshuar edhe më shumë vendlindjen e tyre.

 Festivali mbarëkombetare "Kënga dhe vallja shqipe na bashkon" i cili zgjati tre ditë, filloi me grupet që sollën këngë dhe valle folklorike nga zona Plavë-Guci dhe nga gjithë trevat shqiptare.

Kryetar i Këshillit Organizativ z.Tahir Gjonbalaj, tha gjithashtu se ky festival është i financuar nga vetë familjet e mërgimtarëve në New York, duke sjellë në Vuthaj dhe grupe të shumtë këngëtarësh, valltarësh e instrumentistësh të SHKA dhe Ansambleve konkuruese.

 Në këtë festë madheshtore morën pjesë edhe personalitete të shquar të politikës, artit, kulturës e shkencës që i dhanë vlera të veçanta këtij tubimi.

Shumë i emocionuar u ngjit në tribunë dhe përshëndeti publikun ish-ambasadori amerikan perfaqësues i OSBE-së në Kosovë, i njohur për denoncimin botërisht  të masakrës së regjimit serb në Reçak, duke e etiketuar genocid, denoncim që përshpejtoi kthesën historike për çlirimin e Kosovës.+.

 "Unë kam pasur fatin t'i njoh shqiptarët në trojet e tyre, por ata nuk mund të ndahen në kosovarë, apo shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, Shqipëri apo Mal të Zi. Ata janë të gjithë shqiptarë" u shpreh ai.

 Një nga ngjarjet më të shënuara të këtij tubimi mbarë shqiptar ishte edhe përurimi i Qendrës Kulturore në Vuthaj, një investim prej 129.000 dollarë nga 176 familjeve vuthjane që e përkrahen këtë vepër për vendlindjen, pra mërgimtarët e këtij fshati që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht, por edhe të atyre në vendet e Evropës, Kanda e Australi.

 Ishte me të vërtetë një çast solemn.

Në praninë e qindra vuthjanëve, me banim aty, por edhe të ardhur për pushime nga SHBA dhe Europa, shiritin e përurimit e preu regjisori nga Prishtina, me prejardhje nga Vuthaj, Isa Qosja dhe në emër të akademikut Rexhep Qosja, moderatorja e kësaj ceremonie, lexoi një letër përshëndetëse, meqenëse akademiku për arsye shëndetësore nuk mund të ishte prezent.

 Akademik Rexhep Qosja në përshendetjen e tij përmes letrës, e quajti ketë investim vepër patriotike dhe rrëfim të atdhedashurisë të vuthjanëve në Disaporë, sidomos atyre në Shtetet e Bashkuara, të cilët sipas tij ndër vite janë shquar për kontributin e tyre historik, për çështjen kombëtare.

 Në përurim foli edhe pasardhësi i patriotit Jakup Ferri, profesor Naser Ferri, i cili me këtë rast i dhuroi kësaj qendre një fotografi të madhe e të vjetër të Jakup Ferrit me luftëtarët vuthjanë gjatë luftës në këto anë për pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Profesor Naser Ferri, gjeti rastin gjithashtu t'i përgëzojë vuthjanët, për ketë vepër, duke uruar që Qëndra e Kulturës të ketë sa më shumë aktivitete në shërbim të edukimit kombëtar, artistik e kulturor.

 Duke ia uruar vuthjanëve: "E gëzofshi Shtëpinë tuaj të Kulturës!", njëri prej iniciatorëve kryesorë për grumbullmin e mjeteve financiare nga SHBA, veprimtari nga New Yorku, Esad Gjonbalaj, tha se: "Qëndra e Kulturës në Vuthaj do të përdoret si vend për ngjarje kulturore, si pikë takimi edhe për tubime të ndryshme, festa dhe raste familjare, që në të ardhmen të shërbejë si një qender multifunksionale".

 Shtëpia e Kulturës "Vuthaj" do të thirret ndryshe edhe "Shtëpia e të gjithë vuthjanëve dhuruar nga bashkëvendasit e tyre nga Amerika.

Ndaj si tha edhe vetë, z. Gjonbalaj; "Dëshirojmë tani që të nisim edhe nga mobilimi tërësor i saj i brendshëm me mjete e objekte cilësore e të nevojshme, të jetë model në funksionimin e saj për kulturën shqiptare në Vuthaj, të jetë "Një Amerikë vuthjane" e vërtetë në këtë truall shqiptar".

 Më pas ai dhe bashkëvendasi i tij Vesel Qosja, një nga dy veprimtarët që e bënë të mundur ketë investim, ndër të tjera falenderuan të gjithë ata që dhuruan nga buxheti i tyre, për ndërtimin e kësaj qëndre të madhe kulturore, kësaj shtëpie të të gjithë vuthjanëve.

Ishte data 1 Gusht 2017, kur kjo qendër kaq e dashur dhe e rëndësishme hapi për herë të parë dyert e artistëve vendas dhe të ftuar që përformuan me një program të pasur artistik, me këngë e valle nga kjo trevë, në oborrin dhe mejdiset e brendshme. Ishte  grupi i djemve dhe vajzave valltare nga Ansambli "Maja e Karafilit" që e tundën për herë të parë këtë skenë.

Por kontributi i bashkëfshatarëve vuthjanë nuk mbaronte me kaq. Këtë vit në Vuthaj, me ardhjen masive të vuthjanëve nga Europa dhe Amerika, pati disa zhvillime të reja ku përveç festivalit që zgjati tre ditë dhe shtëpisë së re të kulturës, përuruan gjithashtu edhe dy shtëpi të reja të ndërtuara këto me kontributin financiar të Fondacionit "Plavë-Guci" me seli në New York për familjet në nevojë, për bashkatdhtarët e tyre Haxhi Goçaj, Vuthaj dhe Zef Vukaj, Gerçar.

Shtëpia e Kulturës në Vuthaj, u ndërtua falë  punës së mirë që ka bërë kompania e përzgjedhur "Aljor Projekt" në këtë objekt në zbatim të projekteve të Diasporës për vendlindjen.

Ky aktivitet që mund ta quajmë edicioni i dytë në Vuthaj, kishte  mbledhur artistë dhe personalitete të kulturës, jo vetëm nga të gjtha trevat shqiptare, por edhe nga Europa, Diaspora në Amerikë e Australi.

 Me një performancë të shkëlqyer, ky festival dhe këto grupe u prezantuan nga dy moderatore me veshje karakteristike, bukuroshe dhe të talentuara Rilinda Gjonbalaj dhe Arbërore Gjonbalaj, të cilat me zhdërvjellsinë që i karakterizonte i dhanë jo vetëm hijeshi e larmi, emocion dhe vlerë këtij festivali, por treguan se janë të afta të drejtojnë me kompetencë evenimente të tilla po kaq të rëndësishme.

Presidenti i Unionit Artisitk të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj "Mjeshtër i Madh", e quajti këtë Festival si një "Referendum popullor të këngës e valles folklorike shqiptare nga mbarë Shqiptaria, duke dhënë mesazhin "Një Komb, një Shtet".

 Duke folur për këtë aktivitet mbarëkombëtar, Festivalin Folklorik "Kënga e Vallja Shqipe na Bashkon" në Vuthaj, Haklaj, tha se ne kemi organizuar deri tani dhjetra festivale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, me pjesëmarrës nga mbarë trevat shqipfolëse e Diaspora, duke bërë kështu edhe rikthim dhe një pasurim e rivitalizim të traditës, këngës, valleve e folklorit të trashëguar brez pas brezi nga shqiptarët kudo që janë aty ky frymon shqip.

Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar e njëkohësisht president edhe i këtyre festivaleve, z.Azgan Haklaj, si dhe drejtori artistik i këtij Unioni, Minella Kureta "Mjeshtër i Madh", së bashku me grupin organizator e kanë vlerësuar këtë festival si një nga sukseset më të bukura të të gjithë festivaleve të mbajtura deri tani.

 "Këto festivale mbarë shqiptare folklorike, tha ai, njëkohësisht do të kontribuojnë edhe më shumë në ruajtjen, pasurimin, zhvillimin e transmetimin e kësaj tradite te brezat e ardhshëm, sidomos tek mërgimtarët, duke shfrytëzuar dhe ardhjen e tyre masive në këto treva, siç është edhe Vuthaj këto ditë.

 Një punë të shkëlqyer dhe të lavdërueshme bëri në organizimin e kësaj feste dhe kryesisht të Festivalit, regjisori nga Kosova Dibran Fylli.

Grupet dhe Ansamblet garuese u nderuan me çmime nga një juri prestigjioze e profesioniste, ku kryetar jurie ishte Azgan Haklaj.

Me çmimin e parë u nderua Grupi Polifonik "Çipini", " Mjeshtër i Madh" nga Vlora, me çimimin e dytë SHKA "Shotë Galica" nga Drenasi dhe me çmimin e tretë Grupi "Prishtina" nga Prishtina, Grupi më i mirë i valleve u shpall Shoqëria Kulturore Artistike "Shkupi", Shkup.

Me çmimin e publikut u nderua Shoqta Kulturore Artistike "Dedë Gjo Luli" Tuz, krijimtaria më e mirë u vlerësua Ansambli "Ardhmëria", Gjakovë, si dhe veshja autentike, Shoqëria Kulturore Artistike "Rrapsha" e Hotit.

Gjithë këtë manifestim, këtë festë të madhe, unë ashtu si dhe vitin e kaluar, pata fatin ta ndiqja nga afër dhe ta përjetoja në çdo moment, i shoqëruar nga veprimtari i shquar dhe drejtori i këtij Festivali Tahir Gjonbalaj, por dhe nga miqtë e mi të ndeuar të ardhur enkas nga Amerika dhe që unë nuk mund të rri pa i përmendur gazetarin e mirënjohur Beqir Sina, aktivistët e shquar Ramiz Gjonbalaj e Feri Gjonbalaj, që së bashku me organizatorët e tjerë kanë një kontribut të shquar, i pari për publikimin mediatik dhe dy të tjerët për realizimin e këtij projekti të madh.

 Ky manifestim, tashmë me një traditë 20-vjeçare nga viti në vit pasurohet me vlera të reja, sepse nga viti në vit shtohet pjesëmarrja dhe interesimi i atyre që janë larguar nga vendlindja, por ajo që është më e veçantë, është pjesëmarrja e brezave të rinj e djemve dhe vajzave, e nipave dhe mbesave që vijnë në trojet e të parëve.

Nuk mund të them se është ëndrra, por projekti atdhetar i personaliteteve dhe familjeve të shquara, që një ditë gjithë vuthjanët dhe malësorët nga Plavë-Gucia të shtrohen në sofren e tyre, në shtëpitë e tyre, në vendin e tyre që të gëzojnë ashtu siç e kanë amanet nga të parët.  

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat