Rahovecianët ekspozojnë produktet e tyre në festivalin Agrofesta

Kultura

Rahovecianët ekspozojnë produktet e tyre në festivalin Agrofesta

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 15:36
Produktet

Edicioni i katërt i festivalit të agrikulturës “Agrofesta”, është mbajtur sot në Krushë të Madhe të Rahovecit, ku janë ekspozuar prodhimet agrare të këtij fshati dhe rrethinë.

Festivali është organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe po ashtu mbështetet edhe materialisht nga Komuna e Rahovecit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se ky festival po shfaq vlerat e tokës së Krushës së Madhe dhe se duhet të punohet pa rreshtur që këto vlera të rriten. Vehapi shtoi se edhe institucionet lokale dhe qendrore duhet të ndihmojnë sa më shumë që vlerat agrare të rriten.

Vehapi: Këto vlera duhet t’i rrisim

“Kjo është një përpjekje unë do të thoja modeste për të prezantuar, për të ekspozuar punë të cilën e bëjnë fermerët e Krushës së Madhe dhe të rrethinës, dhe vlerat e kësaj pune, vlerat e kësaj toke në të cilën ne gjendemi, që janë vlera shumë të mëdha dhe ne duhet të punojmë pa reshtur që ato vlera t’i rrisim. Që ta bëjmë këtë duhen përpjekje më të mëdha edhe të institucioneve lokale e sidomos të atyre qendrore” tha Vehapi.

Kryetarii fshatit Krushë e Madhe dhe njëkohësisht koordinator i festivalit “Agrofesta”, Selami Hoti tha se fermerët krushjan dhe jo vetëm, ballafaqohen me probleme dhe sfida të ndryshme të cilat pengojnë zhvillimin e agrikulturës dhe zhvillimin e vendit. Disa prej atyre problemeve, Hoti tha se janë mungesa e serrave, materialet e shtrenjta për bujqësi, pronat e vogla dhe problemet juridiko pronësore etj.

Ai shtoi se këto probleme ndikojnë edhe në bilancin e tregut dhe gjithashtu shtyjnë fermerët të migrojnë jashtë vendit me shpresë të një jete më të mirë.

Hoti: Sfidat e fermerëve ndikojnë në bilancin tregtar negativ

“Shumë sfera duhet të reformohen dhe të merren idetë direkt nga fermerët për fazën e ardhshme të zhvillimit të perimtarisë sepse sfidat që fermeri krushjan dhe jo vetëm, ballafaqohet çdo ditë, ndikojnë në bilancin tregtar i cili është negativ dhe shumë i dëmshëm për zhvillimin e vendit. Më lejoni që t’i përmend vetëm disa nga to: pronat e vogla dhe problemet juridike pronësore, privatizimi i tokave me pronësi kontestuese me pronarët të cilëve u janë marrë tokat qoftë në kohën e reformës agrare apo të kooperativeve në ish sistemin e kaluar, mosfunksionimi i komasacionit, materialet e shtrenjta për bujqësi, farërat e dyshimta, sëmundjet e shumta, mungesa e serrave, keqpërdorimi i graneteve dhe subvencioneve, barrierat doganore dhe shumë të tjera vështirësojnë edhe më tutje mirëqenien e fermerit, zvogëlojnë numrin e tyre, ulin prodhimtarinë dhe i detyrojnë ata që të migrojnë jashtë vendit me shpresë që atje do t ë gjejnë një jetë më të mirë”, u shpreh Hoti.

Ndër të ftuarit tjerë ishte përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Hysni Thaqi, i cili u shpreh se deri vonë Ministria e Bujqësisë është njohur për vjeljen e rrushit, mirëpo tani ka më shumë produkte me të cilat fermerët po shfaqin vlerat e tyre.

Thaqi gjithashtu shtoi se buxheti po rritet nga viti në vit por në mënyrë që ky buxhet të vazhdojë të rritet duhet të angazhohen vendimmarrësit, si dhe Kuvendi i Kosovës.

Thaqi: Jemi për atë që të punojmë dhe të angazhohemi

“Jemi për atë që të punojmë dhe të angazhohemi edhe pse ju e dini se para viteve 2010, 2011, Ministria e Bujqësisë është mbajt mend vetëm për vjeljen e rrushit dhe atë do të flet presidentja, kryeministri ose ditën e mollës ose ditën e qumështit, manifestime domethënë simbolike, kurse tani vetëm nga përfitimi subvencional në nivel të Kosovës janë mbi 46 mijë përfitues, po ashtu edhe në pjesën e granteve, dhe buxheti nga viti ne vit ka shkuar t’u u rritur dhe duhet të rritet natyrisht, por kjo bëhet nga angazhimi i atyre që janë vendimmarrës, janë politikëdashes, janë në veçanti nga Kuvendi i Kosovës, i cili mund të ri destinoj ose destinoj mjete më shumë”, u shpreh Thaqi.

Në mesin e fermerëve dhe kompanive agrikulturore që shfaqen produktet e tyre sot ishte edhe Kooperativa Bujqësore “Krusha”, punëtoret e së cilës kishin sjelle speca, ajvar, si dhe turshi.

Sadbere Hoti, një prej punëtoreve të koorporatës tha për KosovaPress, se ky festival ka rëndësi pasi që këto produkte janë organike dhe natyrale dhe se janë të mira për shëndetin. Ajo gjithashtu shtoi se edhe gjeneratat e reja të Krushës e vlerësojnë ushqimin tradicional dhe e konsumojnë atë.

Mes vizitoreve ishte edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Vesli i cili vizitoi dhe përshëndeti fermerët dhe i përgëzoi ata për punën e tyre. Përveç fermerëve ai përshëndeti edhe disa nga banorët e fshatit. Festivali përfundon sonte në orët e vona me një koncert.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat