Gjashtë profesorë

Kultura

Gjashtë profesorë

Nga: Viron Kona Më: 22 shtator 2017 Në ora: 17:47
Viron Kona, një fotografi me aktoren që luan rolin e Pipi Çorapegjatës, Vimmerby, Suedi, Maj 2011

Mirënjohje

Farat e lulediellit ndodh që i merr era,

në fusha, në brigje, në lëndina i çon,

pavarësisht si rriten dhe si zhvillohen,

ato diellin nderojnë sa lind e perëndon...

 

Për të dalë i pari

Nuk është gjë e keq se do që të dalë i pari

njeriu që meriton dhe shoqërinë ndihmon.

Keq është kur, për të dalë doemos i pari,

i shtyp të tjerët, i godet dhe i shkatërron!

 

Gjashtë profesorë

Gjashtë profesorë, të gjashtë të nderuar,

kryetar duhej njëri, doemos  duhej votuar,

shpejt hodhën votat, vetëm nga një fituan,

të gjashtë profesorët, vetveten votuan.

 

U përsërit votimi, prapë morën nga një,

demokratë të thekur me figurë e me zë,

sa herë provonin, sa herë numëronin,

të gjashtë profesorët, vetveten votonin.

 

Egërsia e luftërave

Njeriu zbuti kafshët dhe shpendët me radhë,

zbuti bimët e, deri te peshqit e bletët1)shkoi,

ngaqë iu përkushtua shumë zbutjes së tyre,

pa zbutur veten e vetë harroi...

 

Ata që s`po durojnë dot të më kundërshtojnë,

egërsinë e luftërave mes njerëzve të kujtojnë!

 

1). Bleta është i vetmi insekt i zbutur nga njeriu

 

 

Gjuetari mburravec

 

Mburrjet më s`ti dëgjuam,

kur në shteg u shfaq ariu,

s`u bëre dot as lepur,

çiftja në dorë të ngriu.

 

Ariu t`kaloi pranë,

të pa me qesëndi,

siç ishe katandisur,

s`trembje as një mi.

 

Nga “trimëria” të mbeti,

një e vërtetë e madhe:

ariu prej teje ia mbathi,

por nga era që mbaje...

 

         Miu i gjirizeve

(Kushtuar atyre që fyejnë e shajnë pa të drejtë, duke u fshehur prapa emrave anonim)

Mbete i  fshehur gjirizeve dhe ferrave,

herë-herë del dhe si nepërka kafshon,

i ngjason dhe qenit që pas gardhit leh,

kur kalimtari në hallin e tij shkon...

 

Nëse ke pakëz ndershmëri e kurajë,

hiqe maskën të të njohim se cili je,

por, po s`guxove të dalësh në dritë,

meriton t`thërresim:“miu i gjirizeve”.

 

Peshku pilot1)

Shkon pas peshkaqenit,

e ka bërë zakon,

po qe se largohet,

mbetet pa racion.

 

Për fat, peshkaqeni,

e do dhe  e mbron,

se  “argati” i vogël,

trupin i pastron...

 

1).Peshku pilot, është një  peshk i vogël që noton gjithnjë pranë peshkaqenit. Ai ushqehet nga mbeturinat që lë peshkaqeni, por dhe i pastron trupin nga parazitët që peshkaqeni vetë nuk mund t`i largojë. Quhet “peshk pilot”, por në të vërtetë ai shkon pas peshkaqenit dhe jo peshkaqeni pas tij.

 

Njeri, je, apo s`je?

Hiqesh filozof,

hiqesh shkencëtar,

hiqesh udhëheqës,

hiqesh dijetar...!

 

Këto vlera të mëdha,

ta zëmë se i ke,

një gjë s`po na thua:

njeri, je, apo s`je?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat