Poetët, baballarë të poezisë!

Kultura

Poetët, baballarë të poezisë!

Nga: Valbona JAKOVA Më: 15 tetor 2017 Në ora: 20:49
Veçantia e këtij konkursi ishte mundësia që pati secili poet finalist të interpretonte poezinë e tij, proçedurë efikase që lejonte njohjen midis poeteve dhe dëgjimin e poezive të interpretuara.

Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë “Ibrahin Rugova”,  i organizuar nga Klubi Letrar “Podguri” edicioni i III, 16 – 09- 2017 në ISTOG, i dha mundësinë poezisë të haset me forma të tjera shkrimi, pasi u ndesh me poezinë internacionale.

Kjo ndodhi disa ditë më parë në Istogun e bukur të Kosovës, pranë Pejës, aty ku rrjellin ujrat e kthjellta të këtij vendi kaq fantastik  e  të pasur me  një natyrë magjepse, aty ku troftat shpalosin me butësi notimet e tyre të qeta duke populluar e duke mbretëruar  të shëndetshme  e sovrane në këtë habitat kaq përrallor.

Habitat shumë i përshtatshëm për grishjen e  një muze poetike nacionale e internacionale, ambjent i gëzueshëm dhe i mikpritshëm për poezinë si frymëzim që përfaqëson shpirtin poetues të çdo krijuesi e që shkrihet në harmoni me  bukurinë e pakapshme të natyrës që të deh me paqe…

Dhe nuk ishte vetëm natyra që linte mbresa, faktor i domosdoshëm për mirëqenien e përgjithshme. Befasitë e udhëtimeve, do të ndiqnin hap pas hapi grupet e ndryshme të poeteve të nisur për në Istog, njohjet spontane të tyre gjatë udhëtimit do t’i bashkonin për një farë kohe në Kosovë. Poetet e shkodres si Elida Rusta, Farida Smijani Ramadani e fituesja e çmimit të  parë Silva Likaj ishin të parat që u takuan me poetet e ardhura nga jashtë.

Mënyra e përshëndetjeve midis tyre në vendin e mbrritjes tërhoqi shumë vemendjen e poetes italiane që vinte për të marr pjesë në këtë konkurs internacional. Buzëqeshjet dhe mënyra e ngohtë e afrimit me njeri tjetrin janë natyrisht pjesë e natyrës së shqiptarit  gjë që asnjë imigracion nuk mund tja shkëpusë. Kjo veçori tipike shqiptare është virtyt e quhet thjeshtësi dhe aspak distancë.

Salla ku u zhvillua konkursi do të  mbushej plot me poetë të ardhur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe nga jashtë shtetit. Kishte poezi të dërguara nga vende të ndryshme të botës si nga Luksemburgu etj, por duhet theksuar fakti se predominonin italianët, midis tyre Francesca Gallello shkrimtare, gazetare e poete e ardhur nga Ciro Marino( Calabria) e cila fitoi çmimin e dytë e me të cilën Shqipëria mban lidhje letrare e shkëmbime kulturore të cilat, sikundërse theksoi vetë poetja, do të forcohen edhe më tej në të ardhmen. Ajo karakterizohet nga një shpirt iniciative i rrallë dhe këtë e tregon puna e saj e madhe e zhvilluar me shumë energji në fushën e publikimit letrar, të artit, e të bashkëpunimeve me shoqata kulturore, artistë, shkenctarë e me aktivitete të çdo fushe që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe përmirësimit e marrëdhënieve shoqërore!

Organizuesi dhe ideatori i këtij konkursi, Nuradin Imeraj dha një kontribut të rëndësishëm në kordinimin për pjesmarrjen e poetëve të huaj në shkallë ndërkombëtare duke arritur rezultate konkrete gjithashtu evidente, duke vënë menjëherë në funksionim mjete të difuzionit, të  konkordimit dhe veçanërisht frytëdhënës rezultoi bashkëpunimi  me  Drejtorin e Institutit “ Gjon Gazulli” Tiranë , poetin Nikollë Loka dhe poeten Valbona Jakova , me vendbanim në Itali e cila  u kujdes dhe u interesua të përfshijë në këtë aktivitet të shkallës globale, shumë poetë të njohur e miq të saj italianë. Shumica e tyre, kaluan pa hezitim në grupin e poetëve finalistë. Përkthimet e poesive të tyre në italiasht u pëlqyen dhe u vlerësuan nga Juria unanimisht  me një çmim mirënjohje : “Për kontributin e dhënë poezisë internacionale”

Çmim të rëndësishëm fitoi edhe Daniela Dante, të cilën organizatorët e festivalit e nderuan me çmimin -  Nderi i Klubit Letrar “Podguri” duke e bërë kështu pjestare të Klubit në fjalë . Daniela  jeton në  qytetin e Brescia , rajoni i Lombardisë, ku njihet si poete dhe aktore teatri.

Ky konkurs u nderua gjithashtu edhe nga letërsia e zonës së Piemonte pasi i ardhur nga Torino,  mori pjesë edhe paraardhësi  i largët, që mund të konsiderohet ndër të paktët  arbëresh shkrues të gjuhës mëmë, poeti i mirënjohur dhe fitues i shumë çmimeve artistike, Tommaso Campera, lindur në Maschito, përfaqësues e simbol i familjeve më antike që themeluan këtë qytet në shek. XV.

Të pranishëm ishin Kryetari i komunës Haki Rugova  gjithashtu edhe administrata e saj. Radio Fontana e një grup këngëtarësh folkloristik.

Shpirti drejtues i konkursit ishte sekretari ekzekutiv i Klubit Letrar Nuradin Imeraj. Tek ai  befasonin përpikmëria dhe aftësitë e mëdha për të pasur nën kontroll çdo aspekt  të këtij festivali duke treguar efikasitet në ekzekutimin e të gjitha pikave të programit që si pasojë arrinin në  kalkulimin preçiz të kohës së disponueshme me përpikmërinë e një ore zviceriane.

Një ndër këto pika do të ishte edhe vizita në vendlindjen e Ibrahim Rugovës, kësaj figure të shquar politike, këtij biri kaq të dashur të Kosovës e mbarë Shqipërisë. Shtëpia e tij rrëzë malit, pisha e mbjellë prej dorës së tij ku çdo vizitor nuk do të largohej pa e prekur apo pa bërë një fotografi. Gjithçka e mbuluar nga një paqe e lënë si trashëgim nga paqja që ai e donte dhe e kishte aq shumë për zemër, paqe që e realizoi për të gjithë. Kosova rilindi sepse ai e priu duke dashur artin, kulturën, paqen, zërin e gjuhës së tij.

Radio Fontana, me drejtuesin e saj shumë energjik Zeqir Mehmetaj, ditën e dytë të festivalit, priti në selinë e saj fituesit dhe finalistë të Konkursit për të komunikuar drejtpërsëdrejti me çdo kënd të botës, e nëpërmjet emisionit të valëve të hareshme të kësaj qendre difuzioni, i dha mundësinë pjesmarrësve qoftë shqiptarë , qoftë të huaj të lidheshin direkt me dëgjuesit kudo që ata të ishin, të dëgjonin pyetjet rreth konkursit e e të jepnin përgjigje. Një nga këta dëgjues ishte i moçmi 90 vjecar nga Dukagjini. Lotët e mallëngjimit të këtij kreshniku të veriut shqiptar, mallëngjyen poete shqiptarë e të huaj, të cilët edhe pse nuk njihnin gjuhën, njohën gëzimin e lotëve të tij gjithashtu dhe familjen e tij patriarkale të përbërë prej 137 vetash. Te kjo Radio binte menjëherë në sy portreti i Ibrahim Rugovës. Muret e saj ishin të mbuluara me Certifikata e Çmime për rolin dhe punën e saj fisnike. Një certifikatë më shumë iu dha Radios, dhe  Zotit Zeqir Mehmetaj, nga Poetët e huaj!

Përsa i përket çmimeve, ato mbanin në sfondin e tyre figurën madhështore e të adhuruar  të Ibrahim Rugovës dhe tre firma:  Nuradin Imeraj, Migena Arllati kryetare e jurisë dhe Sadik Bicaj, Kryetar i Klubit.

U dhanë gjithsej pesë çmime dhe një çmim inkurajues iu dha poetes së  vogël por me një talent të madh,  Sibora Huda e cila në Itali, në konkursin   “Veliero”, fitoi çmimin e dytë!

Veçantia e këtij konkursi ishte mundësia që pati secili poet finalist të interpretonte poezinë e tij, proçedurë efikase që lejonte njohjen midis poeteve dhe dëgjimin e poezive të interpretuara.

Poezia si art e mjet letrar nxit kuriozitetin ndaj gjetjes së fjalës së bukur, fjalës së pathëne, dhe zbut poetin gjatë hasjes së disfatave që ndesh në skalatën e tij të ngjitjes poetike.

Valbona Jakova, finaliste e këtij festivali, bashkëndau çmimin e tretë e bashkëpunoi në përkthimin e poezisë moderne italiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat