Sonte në PITF jepet shfaqja "Vdes siç vdes një vend"?

Kultura

Sonte në PITF jepet shfaqja "Vdes siç vdes një vend"?

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 16:15
"Vdes siç vdes një vend"?

Në natën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” do të jepet shfaqja "Vdes siç vdes një vend", në regji të Rozi Kostani.

Në konferencën sotme për media, drejtoresha artistike e PITF 2017, Burbuqe Berisha, tha se arsyeja pse e kanë përzgjedhë shfaqjen  "Vdes siç vdes një vend" për pjesëmarrje në këtë festival, ka qenë miksimi i të gjitha zhanreve teatrore brenda këtij festivali.

"Këtë shfaqje kemi vendosur ta kemi në repertor, pasi që ky është edicioni i parë i festivalit dhe kemi dashur që të kemi të gjitha zhanret brenda vetes.", tha drejtoresha Berisha.

Ajo shtoi se shfaqja "Vdes siç vdes një vend" është një shfaqje mjaft atraktive edhe për mënyrën se si është vendosur në skenë edhe për emrat e aktorëve, edhe të regjisores edhe për përmbajtjen.

Ndërsa, regjisorja, njëherësh edhe aktorja e shfaqjes "Vdes siç vdes një vend", Rozi Kostani, në këtë konferencë për media tha se ndihet shumë e emocionuar dhe e gëzuar që kjo shfaqje, pjesëmarrjen e parë në një festival ndërkombëtar të teatrove po e bën në Prishtinë.

Sa i përket shfaqjes, regjisorja Kostani tha se kjo shfaqje flet shumë për realitetin tonë shqiptar dhe i flet shumë përditshmërisë sonë, duke filluar që nga ajo sociale, politike, etj.. “Është një shfaqje që ngacmon dhe flet drejtpërdrejt. Teksti i kësaj shfaqje nuk është mirëfilli dramatik, por është një analizë mbi një vend, se si shkatërrohet një vend dhe si përçmohet një vend duke filluar nga individi, shoqëria dhe sistemet politike", tha regjisorja Rozi Kostani.

Ndërkaq aktori Alfred Trebicka, tha se pjesëmarrja e kësaj shfaqje në këtë festival, për të është një përvojë krejtësisht e re.

" Më vjen mirë që jemi këtu dhe që do të luajmë këtu në këtë skenë të re, moderne, me të gjithë parametrat e mrekullueshme që ka", tha aktori Trebicka.

Për sa i përket veprës të cilën e luajnë, aktori Trebicka tha se "mbase në titull mund të tingëllojë pak i çuditshëm "Vdes siç vdes një vend" dhe vdekja ka gjithmonë një nocion negativ, në thellësinë e vet, në thelbin e vet, vepra ka shumë optimizëm nga brenda, sepse shpesh herë është më mirë t'i thuash të vërtetat ashtu siç janë, pasi që ato pastaj shërbejnë më mirë për t'u korrigjuar".

Sipas një komunikate te AAB-së, shfaqja "Vdes siç vdes një vend", është vepër e autorit grek, Dimitris Dimitriadis, e kthyer në kontekstin shqiptar nga regjisorja Rozi Kostani. Është një vepër që vjen për të kuptuar marrëdhënien tonë me vendin.

Kjo vepër është një thirrje, një mesazh që sa më shumë ta kuptojmë që po i bëjmë keq vendit, aq më shumë do ta ruajmë dhe do ta duam veten.

"Vdes siç vdes një vend", është inskenuar në shumë skena teatrore të Evropës, duke filluar nga Parisi e para, pastaj në Itali, Gjermani, së fundmi në Spanjë etj.

Kjo shfaqje do të jepet sonte, në natën e tretë të programit garues të festivalit "Prishtina International Film Festival", PITF 2017, në ora 20.00.

Nesër ndërkaq, më 19 tetor 2017, nga ora 20.00 vjen në konkurrencë shfaqja nga Irani “Speak Medea”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat