Budizmi si antidot i zemërimit të këtyre kohëve

Kultura

Budizmi si antidot i zemërimit të këtyre kohëve

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 20:47
Budizmi

Nëse kaloni pak kohë duke lexuar libra mbi budizmin, ose duke ndenjur me budistë, ndoshta do të ndeshni “doktrinën misterioze të zbrazëtisë”. Unë kurrë nuk e kam kuptuar, por gjithmonë më ka pëlqyer, ndoshta për shkak se jam shumë i tërhequr nga fakti që ajo duket e zymtë dhe të dëshpëruar (Budizmi është i mbushur me këto gjëra të tmerrshme. A e dini, për shembull, që fillimisht rimishërimi konsiderohej si një gjë negative? Qëllimi i meditimit ishte që të mos lindje përsëri. Është më pak një fe e buzëqeshjes dhe luleve sesa duket, dhe më shumë një adhurim i vdekjes.

Sipas doktrinës së zbrazëtisë, në njëfarë kuptimi gjithçka që ekziston, është bosh. Ende nuk e kuptoj saktësisht se çfarë do të thotë, por i jam afruar shumë, falë librit të shkëlqyer dhe të balancuar nga Robert Uright “Pse Budizmi është i vërtetë”. Dhe përgjigjja, me sa duket, nuk është aq dëshpëruese: mund të jetë antidot aq shumë i nevojshëm, në këto kohë gjithnjë e më të zemëruara.

Premisa e Wright është që ne zakonisht e shohim botën përmes filtrit të një sërë hipotezave, që ne i marrim si të mirëqena, disa prej të cilave janë aq bazike, saqë as nuk llogariten më. Më themelorja e të gjithave, është ajo që na bën të projektojmë në çdo objekt dhe çdo person një “esencë të brendshme”, diçka që ne kurrë nuk do ta prekim me dorë.

Ushqim i armiqësisë

“Qeniet njerëzore e marrin si të mirëqenë”, thotë psikologu Paul Bloom, “se gjërat, njerëzit dhe ngjarjet kanë një thelb të padukshëm, që i bën ajo që ata janë”. Nëse unë vjedh unazën tuaj martesore dhe e zëvendësoj atë me një tjetër identike, zbulimi do t’ju bënte të ndiheshit shumë keq, sepse nuk do të ishte më unaza juaj. Ky është thelbi. Gjatë një grindjeje plot zemërim me një shofer tjetër që sillet si idiot, është praktikisht e pamundur të mos mendosh se ky është thelbi i tij. Si njerëzit që shkojnë në manifestimet e supremacistëve të bardhë janë në thelb të këqinj.

Ky esencializëm ka efektin e nxitjes së armiqësisë, ndjenjës se jeta është një betejë e vazhdueshme dhe se e vetmja zgjidhje e mundshme është shkatërrimi i atyre që kanë thelbin e keq. Megjithatë, këto esenca duket se kurrë nuk shfaqen. Në sherrin me shoferin tjetër, në qoftë se mbajmë parasysh vetëm përvojën tonë, ne do të shohim vetëm një seri fenomenesh: perceptimet që përbëjnë imazhin që ne krijojmë për të, reagimet tona emocionale, dhe kështu me radhë.

Në mënyrë të ngjashme, ideja që kemi për supremacistin e bardhë lind nga një sërë aktivitetesh mendore, mendimesh dhe veprimesh, secila prej të cilave shkaktohet nga një tjetër fenomen, i cili nga ana e tij është shkaktuar nga një tjetër, dhe kështu me radhë deri sa shkojmë tek big bangu. Kjo nuk do të thotë të justifikosh sjelljen imorale, por të shohësh qartë realitetin. “Megjithëse e pakapshme, ekziston një tendencë e fortë për t’i atribuar shumë forma dhe shumë përmbajtje realitetit”, thotë Uright.

Ne mund të ndalojmë së përpjekuri të mbrojmë esenca të caktuara dhe në të njëjtën kohë të shmangim e të zhdukim të tjera, dhe të përqendrohemi thjesht në përpjekjen për të zvogëluar vuajtjet.

Në një histori të famshme budiste, për të cilën ka disa versione, një njeri që po rremon me varkën e tij në liqen, në një ditë me mjegull, zemërohet kur një varkë shkon e përplaset me të. Siç ndodh shpesh, zemërimi i tij kundër tjetrit sa vjen e fryhet. Por kur mjegulla ikën, ai e gjen varkën bosh. Dhe zemërimi menjëherë zhduket. Sipas doktrinës së zbrazëtisë, varka tjetër është gjithmonë bosh, edhe pse ka dikë brenda. Në fund të fundit, edhe varkëtarët janë thjesht një seri fenomenesh. / The Guardian – Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat