Me dritën e shpirtit shqiptar

Kultura

Me dritën e shpirtit shqiptar

Nga: Daniel Marian Më: 22 tetor 2017 Në ora: 13:55
Kopertina e librit

Shqetsimi nuk është krijuar për të qëndruar në çerdhe, as për të bërë rojë, dhe as për ikje, edhepse është një shenjë rritjeje përmes mbështjelljes së një embrioni që nëpërmjet shenjave karakteristike arrin me kohë të prekë ndërgjegjen, kurse më pas edhe personalitetin. Nuk ekziston shpirt apo materje me një definicion të saktë për këtë koncept që quhet shqetsim. Ndoshta diku, në një rrugëkryq supozimesh, por ku paraqiten flatra të pabesueshme, shqetsimi është faktori energjetik madhështor që e katalizon risinë e çiltërt.

Shqetsimi siç duket, është një shenjë e lindur nga pritja e gjatë, aspak e heshtur, aspak e durueshme: „E gjatë pritja,/ Si të jesh duke pritur mëngjesin,/ Që s'do ketë më lindje./ E gjatë pritja,/ Një det i thellë ku nuk i gjen fundin./ E gjatë pritja, sikur stinët të jenë mbaruar,/ Dhe pret,/ Sepse dritare kanë mendimet që bluan./ Dhe ka një hapsirë të vockël,/ Ku hyn një rreze e vetme drite,/ Një shpresë, ku ndjen se aty,/ Një fund e ka dhe, pritja!” (Pritja).

E kreditoj këtë të drejtë si një moment instinktiv, assesi të paramenduar, me të cilën e nisa parathënien e librit „Me dritën e shpirtit”, atëherë kur poetesha e talentuar shqiptare Mimoza Leskaj, shkakton një gjendje relacioni, duke krijuar një rezolucion në rezonancë me anën e brendshme dhe të jashtme të qenjes.

Gjithësesi, kjo lojë e plasuar në brigjet e kuptimit, arrin të bëhet algoritëm për një ritual që kaplon të dhëna nga arketipet e lashta si personifikim i idealizuar: „Hesht unaza, hesht/ Nuk i kanë më gojë shtatë gurët e saj/ Të kujtohet kur i numëronim,/ Dhe ato qeshnin pa faj?/ E më pas u vinim dhe nga një emër/ U vinim nga një mimozë përsipër/ I lagnim dhe me nga një pikë verë/ Derisa i bënim të deheshin./ Do thoni Ju:/ Si dehet një unazë?/ Dehet sa herë ta vendosësh diku/ Sa herë ta ndiesh që ka jetë/ Hesht unaza me gurët e saj.../ Me emrat e gurëve s’i mbaj mend/ E ndiej se rënkojnë dhe qajnë/ E s'di ç'tju them, e heshtja dhemb!” (Shtatë gurët e një unaze).

Menjëherë posa e shkel pragun e dashurisë, poetja nuk mund të mbetet e kthyer nga rruga e saj, pjesë reale dhe pjesë haluçinante: „Ti një qiell i kaltër/ Unë një re' e bardhë./ Ti zemrën mbushur një ujëvarë/ Unë e etur për ta marë./ Ti qielli ku unë endem/ Unë bardhësia vetë./ Në qiell çdo gjë gjendet/ Aty mblidhen dhe retë./ Ti me kaltërsinë më josh/ Unë se di me ç'farë./ Zemra don shumë të thotë/ Por hesht e pa fjalë./ Unë e bardhë si bora/ Ti i kaltër qiell./ Asgjë nuk na la koha/ Çdo gjë, e jep vetë zgjidhjen!” (Ndjesi)

Duke shfletuar këtë vepër vlerash të veçanta, shihet fare mirë se asgjë nuk zgjat deri në përjetësi, dhe as që duhet, sepse një gjë e tillë do të ishte e mërzitshme: „Më thanë,... duhet të qash me fjalë,/ Se kështu e do zakoni nga Labëria./ Fjalët kishin humbur, por askush s’e pa,/ Fjalët gdhendur heshtnin, vetmuar brenda shpirtit./ Dhe rrobja e zezë, u tremb e kokën uli,/ Fishkëlluar dhimbja ja dërrmoi pamjen,/ Grisur nën një zemër, kolltukun e vuri,/ Tashmë biletën, e preu vajtje-ardhje...!” (Biletë e dhimbjes).

Kështusoj, mendoj se poezia mund të justifikojë definicionin e pamundshëm mbi të cilin Zoti noton, në drejtim të ri/krijimit të botës, kur ngazëllimi e dhimbja mbijnë njëra mbi tjetrën, dhe asnjë rrugë tjetër nuk mund të jetë më e bukur se sa ajo e poezisë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat