Kjo vatër arsimore ishte dhe mbeti simbol i qëndresës dhe i krenarisë kombëtare

Kultura

Kjo vatër arsimore ishte dhe mbeti simbol i qëndresës dhe i krenarisë kombëtare

Nga: Sefedin Përgjegjaj Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 15:36
Shkolla e mesme të ulët “7 shtatori” në Arbëresh të Pejës

“Se janë shqiptarët e askush tjetër që ia sjellin shqiptarit lirinë në vepër” Fishta
Shtëpia-shkollë e pronarit  Ali I. Haxhajt nga Arbëreshi, në të cilën u hap shkolla e parë e pavarur shqipe në Kosovë dhe në ish federatë Jugosllave, më 12 nëntor 1990

(Shpalosje e një faqeje qëndrese e krenarie për tërë sistemin arsimor të Kosovës, sepse në këtë nëntor mbushën plot 27 vjet nga pavarësia e shkollës së parë shqipe në Kosovë dhe në ish federatën jugosllave).

Regjimi serb shkollën shqipe gjatë gjithë historisë e ka konsideruar si armë më të rrezikshme, bile më të rrezikshme se granatat dhe raketat e sotme luftarake. Prandaj, ai u versul me tërë brutalitetin kundër institucioneve të informimit, të kulturës, të shkencës të arsimit. U versul kundër institucioneve shkollore, gazetave, revistave, librave e çdo gjëje në gjuhën shqipe. Torturoi nxënës, prindër e arsimtarë. Vrau nxënës, arsimtarë e prindër. Aktin më kriminal e bëri kur i helmoi mbi 7000 nxënës shqiptarë, gjë që historia nuk e mban mend të ketë bërë krim më të rëndë ndonjë pushtues mbi fëmijët tanë krejtësisht të pafajshëm në mes të Evropës.

Ai sistem i dhunshëm u soll jashtë çdo norme elementare njerëzore e të mos themi juridike. Vrasjet, plaçkitjet, kalljet, burgosjet, dëbimet... e tyre në tërë Kosovën martire, mund të krahasohen me veprimet e barbarëve, sepse vetëm ata i kanë këto veti. Kanë qenë barbarë gjatë gjithë historisë dhe kanë mbetur si të tillë.

Në atë kohë të pakohë, hapsira e veprimit ishte e mbushur me errësira dhe atmosfera terrorizuese ishte futur me imponim në shpirtin e çdo individi. Ky realitet mjaft i trishtuar i jetës sonë në atë kohë, në përgjithësi tregonte edhe papërgjegjësinë e disa “intelektualëve”  që punonin dhe e përkrahnin një politikë të tillë terrorizuese. Në atë situatë hiç të lakmueshme kishim nevojë për mobilizim atdhetar dhe kombëtar. Problemi më i madh ndër problemet tjera të popullit tonë ishte liria dhe shkolla, andaj edhe lufta duhej përqendruar tek përpjekjet për ta pavarësuar arsimin dhe për ta fituar atë betejë, sepse e dinim mirë se pas refuzimit që mos të punohet me të ashtuquajturat plane unike të Serbisë, do t’na dëbojnë nga puna por edhe nxënësit nga shkolla. Kjo edhe ndodhi në fillim të vitit shkollor 1990/1991. Në fillim të atij viti, zuri fill njëra nga tronditjet më të mëdha në arsimin fillor të Kosovës, të 336 nxënësve shqiptarë të ndjekur nga bankat shkollore në mënyrën më barbare dhe të 17 arsimtarëve të tyre të larguar me forcë nga puna. Për këtë veprim të tyre mjaft barbar u informuan të gjitha institucionet kompetente të komunës së Pejës, Kosovës dhe të Federatës. Dhe jo vetëm këto, por edhe UNESCO-ja me seli në Paris. Me nje fjalë, u internacionalizua çështja e arsimit shqip, sa që UNESCO-ja debaton më 11 e 12 maj të vitit 1991 duke iu falënderuar një dokumentacioni që ua kishte dërguar drejtori, S.Përgjegjaj.

Në këtë situatë mjaft të tendosur, ai që e dinte nevojën për mbrojtjen e shkollës shqipe e përmes saj edhe mbrojtjen e çështjes kombëtare(sepse shkolla dhe liria janë një) dhe nuk kërkonte atë duke luftuar atë të keqe që i kërcënohej kombit nga ana e politikës serbosllave, ishte jo vetëm mëkatar, por ishte edhe tradhtar i rafineruar. Të tillë, mjerisht kishte shumë...Kështu, kundër këtij gjenocidi s’mund të luftohej ndryshe pa shfaqjen e ndjenjave kolektive ,, jam shqiptar”. Se, vetëm atëherë kur filloi të shfaqej kjo ndjenjë, ne ishim të sigurt se mund të luftohej e gjithë ajo që ishte përgatitur më parë dhe vazhdonte të përgatitej ndaj nesh.

Lindja e idesë për pavarësimin e shkollës

Duke u nisur nga thënia profetike e Luigj Gurakuqit:,,Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtu, mjer ai që nuk qëndron”, kjo thënie na dha shtytje për veprim, na dha shpresë për mobilizim, na dha shpresë për një ide. Kjo ide ishte pavarësia e shkollës së Arbreshit të Pejës. Kjo ide që na lindi për rrethanat e kohës ishte mjaft e rrezikshme, mirëpo, një ide që s’është e rrezikshme, thotë shkrimtari anglez Uajd Oskar, as që meriton të jetë ide. Të gjetur në këtë situatë, duhej një strategji e mundshme dhe një veprim i konsoliduar. Kjo ide dhe dëshirë për një shkollë të pavarur kishte lindur në kokat tona si reaksion kundër pushtimit të shkollave shqipe nga okupuesi shumëshekullor serb dhe si formë e rezistencës aktive për t’i dhënë kuptim lirisë së sotme.

Hapja e shkollës së parë të pavarur shqipe në Kosovë dhe në ish Federatën Jugosllave më 12 nëntor 1990 në fshatin Arbresh të Pejës.

Me gjithë vështirësitë e mynxyrat e shumta, falë qendresës e vendosmërisë së mësimdhënësve, të prindërve e të mbarë popullit të fshatit Arbëresh(ish Vitomericë), u hap shkolla e parë e pavarur shqipe, pikërisht më 12 nëntor 1990.

Me përpjekje mbinjërzore u arrit të themelohet, të mbahet e të mbrohet duke ia kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur tërë sistemit arsimor të Kosovës. Me këtë idetë e Memorandumit serb ishin rënë në ujë. Qëllimet e akademikëve serbë(lingvistëve, shkrimtarëve, historianëve), atëherë në krye me Dobrica Qosiqin,  të frymëzuar nga epshet hegjemoniste të Vuk Karaxhiqit, të Ilia Garashaninit, Ivo Andriqit, Mihaillo Llalliqit dhe nacionalistëve të tjerë antishqiptar të të gjitha periudhave historike e deri te kasapi i Ballkanit, luftënxitësit, Sllobodan Milosheviqit, nuk u arrit të realizohet, falë qëndresës dhe përpjekjeve mbinjerëzore të arsimdashësve(pronarit të shtëpisë-shkollë, zotëri Ali I. Haxhajt-Hoti dhe vëllezërve të tij me punë të përkohshme në SHBA), të cilët nuk kursyen asgjë, duke shndërruar shtëpinë e tyre trekatëshe në mësonjtore për dhjetë vite me rradhë.

S’duhet harruar  një gjë se realizimi i idealeve tona kombëtare për pavarësi ishte lidhur ngusht me arsimimin në gjuhën kombëtare. Problemi i arsimimit në gjuhën kombëtare ishte ndër pikat qendrore të mbajtjes gjallë të kombit tonë dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm të tij. Hegjemonistët e atëhershëm serbë këtë mirë e dinin, prandaj silleshin me aq brutalitet mbi shkollën shqipe, duke i përzënë nxënësit nga shkollat, duke i helmuar, duke vrarë nxënës e arsimtarë, duke rrahur e burgosur drejtorë shkollash, duke i ndjekur penalisht me të vetmin qëlllim: për ta mbjellur frikën, në mënyrë që të heqin dorë nga arsimimi në gjuhën shqipe, sepse, ata e konsideronin shkollën shqipe si armë të rrezikshme për regjimin serb.

Ideja për pavarësimin e shkollës së Arbëreshit ishte energjike, jashtëzakonisht e fuqishme dhe efektive. Kjo ngjarje shënohet si ngjarje e ndritshme dhe si kohë e kthesave të mëdha historike për arsimin, kombin tonë dhe atdheun. Arsimtarët dhe prindërit ngrihen si një trup i vetëm për ta pavarësuar shkollën shqipe, punë kjo që i parapriu kthesave të mëdha dhe shënoi fillimin dhe fundin e sundimit serb mbi arsimin shqip dhe lirinë e Kosovës.

Qëllimi ynë ishte që nëpërmjet shkollës sonë njëherë e përgjithmonë sistemi ynë shkollor të ndahej nga ai i Serbisë, me gjithë represionin e egër që ushtrohej mbi drejtorin, arsimtarët dhe përfaqësuesit e prindërve. Në këtë rast ndjeken penalisht Tahir Loxha, Shyqeri Bacaj, Cyme Miftari, Zejnie Halilaj e Selmon Lajçi dhe drejtori, Sefedin Përgjegjaj. Duhet theksuar se S. Përgjegjaj, u ndoq tri herë penalisht dhe u burgos përshkak të thirrjes për rezistencë, sipas nenit 216, paragrafi 2 të pikës 1 të Ligjit Penal të Serbisë. Megjithatë, qëndresa nuk lëkundej asnjëherë.

Kjo vepër e arsimtarëve dhe prindërve ishte burim i pashtershëm për ngritjen e vetëdijës kombëtare, ishte ngjarje e madhe në aspektin politik dhe kombëtar. Këtë ide madhore të mësimdhënësve, të drejtorit dhe të përfaqësuesve të prindërve të zbatuar në praktikë, forcat policore serbe u përpoqen ta ngulfasnin me dhunë, duke i thirrur në biseda informative, rrahur, burgosur e ndejkur penalisht. Të gjitha këto masa repserive ishin të kota, sepse ideja zbatohej në praktikë.

Diplomatët e huaj u mahniten për punën dhe guximin e mësimdhënësve të kësaj shkolle

Delegacioni i Federatës së Helsingut, në krye me Znj. Kristinë Von Kol në javët e para të nëntorit 1990. E kishte vizituar këtë shkollë. Disa muaj pas, shkolla vizitohet nga përfaqësuesi i Qeverisë Suedeze Z. Xhon Erath, i cili, pasi i hospitoi disa orë mësimi në këtë shkollë, në librin e kujdestarisë kishte shkruar: “ Këtu, në këtë shtëpi-shkollë po mbrohet dhe kultivohet kultura dhe historia shqiptare bashkë me atë evropiane “.

Në këtë shtëpi-shkollë punohej me përkushtim

Në këto rrethana, arsimtarët e bënin punën e Prometheut, sepse ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit historik, dhe pathyeshmërisë për idealet e tyre. Edhe pse u gjendën para asaj çështjes hamletiane të jesh apo të mos jesh, arsimtarët bashkë me drejtorin e tyre dhe përfaqësuesit e prindërve e hapen shkollën e parë për ta ruajtur identitetin dhe idealin tonë. E ideal kishim lirinë, pavarësimin e shkollës e me këtë edhe të arsimit shqip me të gjitha tiparet kombëtare. Ishim ballëhapur e sypatrembur para armikut, sepse e filluam dhe e përfunduam përpjekjen për pavarësimin e shkollës në kohën e përpjekjes së Serbisë për mbylljen e shkollave shqipe në Kosovë.

Besojmë se puna jonë për pavarësimin e shkollës do të mbetët një shembull i mirë për breznitë e ardhshme. Andaj, duke kujtuar 12 nëntorin e vitit 1990, sot para nesh qëndrojnë obligime të reja në realitetin e ri të krijuar. Arsimtarët në mbarë Kosovën duhet ta japin kontributin e tyre maksimal në shkolla.

P.S. Autori ka qenë ish drejtor i kësaj shkolle dhe veteran i arsimit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat