Edhe Prishtina iu bashkua Fondacionit të gruas intelektuale shqiptare

Kultura

Edhe Prishtina iu bashkua Fondacionit të gruas intelektuale shqiptare

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 10:04
Pjesëmarrëset e Konferencës themeluese nga Prishtina me grat e fuqishme të Fondacionit

“E vetmja vatër për gruan intelektuale shqiptare është ky Fondacion si vatër për gruan intelektuale i cili gjatë pesëmbëdhjetë viteve, me degët e saja në shumë shtete të botës dhe trojet stërgjyshore shqiptare me veprimtaritë e saj të shumta, ka bërë bashkimin kombëtar të gruas dhe kjo është një arritje e madhe, që na gëzon të gjithëve”- vlerësoi Thaçi.

Në praninë e zonjave liderë të këtij Fondacioni - ne sallën e Institutit Albanologjik ne Prishtine  u mbajt  Konferenca   si dhe u nderua në një pritje të veçantë nga Presidenti i Kosovës, Hashim  Tha?i. Në këtë Konferencë ku ishin të pranishme një varg grash të fuqishme të cilat u dalluan në veprimtarinë e tyre shumëvjeçare humane dhe profesionale u trajtuan  shumë tema nga këndvështrime të ndryshme në të cilën morën pjesë një publik i gjerë.

Fatmira Rrahmani, gazetare  në fjalën e hapjes para të pranishmeve u shpreh se bashkëbisedimi me gruan intelektuale shqiptare mbarëkombëtare dhe formimi i degës së Fondacionit në Prishtinë, është shumë  e rëndësishëm për gratë e Prishtinës dhe mbarë Kosovës. Ndërsa themeluesja dhe kryetarja e Fondacionit Zenepe Luka, e veshur me një bluzë me ngjyrat e flamurit kuqezi, mes shumë emocionesh u shpreh se ëndrra e Nermin Vlorës ishte pikërisht shtrirja e degëve në Shqipëri e Kosovë. “ Në janar të vitit 2002, kur u formua kjo shoqatë  në Akademinë “Iliria” në Romë, Nermin Vlora Falaschi, pinjollë e familjes Vlora, më tha: “Bija ime, po të dhuroj këtë bluzë - flamur, që ta veshësish kur të shkosh në Kosovën e pavarur. Unë nuk e di nëse do ta arrij atë ditë”, rrëfeu Zejnepe Luka në fjalën e saj. Duke qenë e lumtur që zbatoi këtë amanet, Luka vlerësoi lart nismën e intelektualeve  të grave prishtinase për të marrë përsipër formimin e degës të Fondacionit të gruas intelektuale shqiptare në Prishtinë, ndërkohë që dega e Prizrenit dhe e Gjakovës kanë vite që funksionojnë. “Të gjitha ne, e vlerësojmë të shënuar këtë ditë. Tek sa u takuam dhe biseduam sot me ju, ndjemë gëzim të shumëfishtë, sepse jo vetëm fuqizohet zëri i gruas, por transmetohet tek të rejat misioni ynë për bashkimin e gruas shqiptare dhe promovimin e vlerave të saj”, tha Luka.

Image
Një foto nga Konferenca e Fondacionit të grave në Prishtinë bashke me Presidentin Hashim Tha?i

Fjala “emancipim” nuk ka të bëjë vetëm me mentalitetit të së vjetrës, shkeljes së injorancës dhe analfabetizmit, por ...

Në bashkëbisedim me gratë intelektuale të Prishtinës u mbajtën disa kumtesa: “Pozita e gruas në media dhe raportimi i mediave për gratë”, nga gazetarja Hyre Tejeci është një “Sfidat për portretin e shqiptares së integruar” nga prof. Migena Arllati, “Trajtimi i grave të dhunuara gjatë luftës” nga drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Rehabilitim Feride Rushiti, “Figura e Nënë Terezës, krenaria e gruas shqiptare” nga Diana Toska e të tjera.

Znj. Migena Arllati, profesorësh, drejtoreshë dhe aktiviste e madhe e aktiviteteve të degës në Gjakovë, në kumtesën e saj u shpreh se sot fjala “emancipim” nuk ka të bëjë vetëm me hedhjen tej të mentalitetit të së vjetrës, shkeljes së injorancës dhe analfabetizmit, drejtimit nga shkollat dhe vend punimet, krijimit të një klime të përshtatshme për të gjitha femrat, sfidat e saj shumë planesh që nga familja e deri në pozitat udhëheqëse a vendimmarrëse. “Sot, të jesh femër në Shqipëri, në Kosovë e gjetiu në trojet stërgjyshore - ku kanë jetua dhe jetojnë shqiptarët, nuk do të thotë vetëm t’i shërbesh familjes dhe të mbash një punë të çfarëdoshme sipas një orari. Këto tashmë janë limite të tejkaluara. Ashtu si rreth viteve ’70 - ’80 arsimi e mjekësia u shndërruan në një derë të madhe të hapur për përfshirjen e femrave, ashtu edhe sot shohim vajza dhe gra të pozicionuara në politikë, vendimmarrje, diplomaci, kryesi dhe shumë aktivitetet të tjera. Andaj  një shoqërie i duhen modelet, i duhen shembujt tek të cilat të referohet. Në shekullin XXI, shqiptarja si unë, shqiptarja bashkëkohëse si ju, në sajë të ambicies dhe vullnetit kemi kapërcyer shumë barriera dhe limite”, tha mes të tjerash profesoresha, drejtoresha- Arllati.

Kjo ngjarje në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë u përcoll me mjaft emocione në mes gërshetimit të fjalëve dhe poezive që u interpretuan me mjeshtëri të lartë artistike nga Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti.

Kryetarja e zgjedhur e degës së Fondacionit të Prishtinës Vlora Nikçi, duke folur në emër të njëzet e pesë  grave intelektuale që formuam degën, u shpreh se Prishtina ndjehet e nderuar, dhe ne ndihemi më të çliruara, pse nga sot do të mblidhemi kokë me kokë, për të kryer me dinjitet misionin e Fondacionit, që ka emrin e shqiptares së madhe, mbesës së Ismail Qemalit Nermin Vlora Falaschi. “Nuk di sa kam fjalë të shpreh nderin, që më është bërë sot si kryetare e degës së fondacionit këtu në Prishtinë dhe Kosovë. Me nder dhe privilegj pranoj të jem në mesin tuaj, ndërsa me shumë përgjegjësi pranoj të vazhdoj këtë rrugë fisnike krah jush për dëgjimin e zërit të gruas shqiptare, prej së cilës kanë lindur edhe shumë trima, që kanë luftuar e kanë dhënë edhe jetën për Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ajo.

“Bija ime, po të dhuroj këtë bluzë - flamur, që ta veshësish kur të shkosh në Kosovën e pavarur”...

Takimin e përshëndeti edhe Vlora Dumoshi, sipas së cilës bashkimin kombëtar të cilin politika e ka të vështirë, në mos të pamundur për ta arritur, mund ta bëjnë realitet iniciativat e shoqërisë civile me projekte të dyanshme, bashkëpunuese dhe përfituese për mbarë shoqërinë shqiptare. Ky takimi mbresëlënës përfundoi  me promovimin e librit “Testamenti i Grave për gratë”, libër i botuar në kuadrin e pesëmbëdhjetë - vjetorin e themelimit të Fondacionit, rreth të cilit Vllasova Musta mbajti referencën “Një libër me dritë, për gra të ndritura”.

Përfaqësia e këtij Fondacioni u prit dhe u vlerësua në një pritje ceremoniale nga Presidenti Hashim Thaçi, me ç’rast Zenepe Luka u vlerësua si themeluese dhe kryetare e shoqatës me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Thaçi u shpreh tejet vlerësues për kontributin tepër të vyer në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të gruas shqiptare mbarëkombëtare. I shoqëruar nga grat e Kosovës, ai dorëzoi njëra pas tjetrës “Medaljen Presidenciale të Meritave” dy artisteve të mëdha Margarita Xhepa e Tinka Kurti, për kontributin e tyre në kuadër të këtij Fondacioni. “Ju falënderoj, ju zonja të nderuara të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, për vizitën në Kosovë dhe praninë tuaj në zyrën time. Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore, që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë. Ju përgëzoj për punën që keni bërë, jeni duke bërë- duke bashkuar gruan intelektuale shqiptare mbarëkombëtare, në një zë të vetëm”. Presidenti foli me emocion për përpjekjet që bëheshin para rënies së regjimit për të ndjekur emisionet kulturore - artistike dhe programet e TVSh - së, duke qenë tepër mirënjohës për rolin edukues dhe emancipues të aktoreve të shquara, me rolet e të cilave tha se ne jemi rritur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat