Vështrim për vëllimin poetik “Nënës”

Kultura

Vështrim për vëllimin poetik “Nënës”

Nga: Zymer Mehani Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 10:02
Zymer Mehani

“Nuk është mësuesi ai që edukon njeriun, por nëna”, thotë gjeniu ynë, Sami Frashëri. Dhe vërtet kishte të drejtë ky ideolog i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sepse nëna është edukatorja më e mirë për fëmijët e saj në këtë botë.

Në vëllimin poetik “Nënës” të përgatitur nga poeti ynë i shquar Rrahman Hyseni është sintetizuar bukur e saktë portreti i nënave tona hallemëdha. Në çdo varg, në çdo strofë dhe në çdo poezi të kësaj përmbledhjeje nëna na del prore e gjallë, si burim i jetës, sepse në të vërtetë edhe është e tillë:

Ti je mall që s’shuhet

Je këngë që gjithë këndohet

Ti je ajri i jetës

Që pa të s’jetohet

(Abdullah Blakçori “Dritë më je”)

Edhe në këto çaste kur e kemi në duar këtë vëllim poetik, kur po shfletojmë faqet e këtij libri, mendja na shkon te nënat tona, që shumë nga to, pa faj të tyre, nuk u shkolluan siç do të dëshëronin, por, edhe pse vetë pa shkollë, ato bënë të pamundurën që ne të shkolloheshim dhe kjo i ngre ato edhe më lart në sytë tanë, kur kemi parasysh sakrificat e tyre në jetë. Dhe gjithnjë i patëm udhërrëfyese në jetë:

“Në rrudhat e fytyrës sate

Kërkoj rrugën e jetës

Shikimi yt më mëson ecjen

Nënëloke me shpirt engjëllor

Sot dua të flas me ty

Të përkulem para portretit tënd

Nënëlokja ime e madhe

Jetë e shpirtit tim të përvuajtur

Të kujtoj përmallshëm

Në çdo hap të jetës”

(Dibran Fylli “Para portretit tënd)

Dikush e ka krahasuar nënën me një qiri që e djeg veten për të ndriçuar jetën fëmijëve. Si e tillë mirënjohja për të është e pamatshme. Ajo ka qenë dhe mbetet burim frymëzimi për tërë krijuesit e gjithë kohërave dhe jo vetëm për ata.

“Ajo digjet për jetë,
Vetëm ajo mundet
Ta ndërrojë jetën
Për të tjerët…”

(Milazim Bajraj “Nëna”)

Gëte i madh thotë se në Greqinë e vjetër nënat nderoheshin njëlloj si hyjneshat.

Nëse lexon librin e Andre Ordionit, një kolonel në ushtrinë franceze, që fati ia deshi të jetonte në Shqipëri gjatë viteve 1917-25, do të habitesh se si ai, në librin e tij “Një oficer francez në Ballkan”, ndonëse njeri i luftës, përshkruan me aq dhembshuri fatin e viktimave të saj. Ne po ndalemi vetëm në një paragraf që ka lidhje me temën. “Nënë, është një emër i ëmbël që e kam dëgjuar aq shpesh në luftë nga të plagosurit rëndë kur afronin çastet e tyre të fundit – shkruan ai. – Këndej, në këto vende të largëta, kjo fjalë më është dukur se ka një domethënie më të madhe, më humane. Nënë!… Për shumë nga ushtarët e mi, kjo fjalë është thënë si një frymëmarrje me pëshpërimën e fundit të shpirtit. Ç’trishtim i pamasë!”

“Ehh…e di Nënë, ende s’je e qetë

Në copash kjo tokë mbet,

Kushtrimin tënd Nënë, presin djemtë

Edhe njëherë të vetme me ‘u ngritë për atdhe.”

(Lindita Berisha “Nënat shqiptare”)

Poeti i njohur amerikan Uilliam Ross Uallace ka një poemë të mrekullueshme për nënat, ku ndër të tjera thotë: “Dora që tund djepin është dora që sundon botën”. Si zor ta kundërshtojë njeri këtë pohim të tij. Nënat gjithmonë kanë qënë e mbeten heroina, modele të papërsëritëshme për fëmijët e vet, madje edhe më të bukurat në botë, kudo e sado që të ndryshojnë kohërat.

Dashuria per NËNAT është krejt e veçantë, për ato, që na dhanë jetë nga jeta e tyre, për ato që dëgjuan e u mallëngjyen me klithmat tona të para, ato, që natën e bënë ditë dhe na mëkuan me qumësht nga gjiri i tyre.

Ne përulemi me gjithë respekt te figura dhe emri nënë, në prehrin e të cilës dhembjet zbuten, loti thahet, trishtimet largohen.

“Se kur jam me ty
Nënë…

Gjithçka është e bukur

Gjithçka është e lumtur

Gjithçka është e gëzuar

Gjithçka është e fisnike

Gjithçka është e madhe

Gjithçka është e sinqertë

Gjithçka është e drejtë

Gjithçka është e vërtetë

Gjithçka është… ‘Nënë’

E gjitha vjen prej teje

Nga brendia e zemrës sate

Nënë e dashura Nënë”.

(Kastriot I. Veselaj “Nënë, dita ime)

Çdo njëri prej autorëve të vëllimit poetik “NËNËS” me përmendjen e emrit nënë, e ka përmendur kuptimin e vetë jetës, të ardhmërisë, të gjithësisë ! Sa herë që jemi ulur pranë saj gjithmonë kemi ndjerë afërsinë që askund tjetër s’do ta ndjenim në jetë. Loti i saj është plot magji, ngase dhe shpirtin e një gjakatari e bën që të zbutet. Ka rrënqethje ai lot, ka bukuri, sepse bart mbi vete një univers ndjenjash. Është një lot i kristaltë e i madhërishëm. Është vetëm loti i nënës që ngjall një shpirt.

“Nënë zemërmadhja

më fale gjithmonë dashuri

Edhe kur nata e vetmisë se trishtë

Të më ketë vrarë sytë dhe shpirtin.

Di të ma arnosh butësisht

Fashitë

Delikatesa jote bëhet e dashur

Burrnore.

Në të gjitha vrimat e dhembjes

Më mbush jetë fjala jote

Nënë.”

(Mirlinda Koxha “Nënë”)

Nëna kalon një jetë të tërë duke menduar vetëm për ne. Jeton në këtë botë, por zemra dhe mendja e saj ndodhet pranë nesh. Gjithkush mund të të mohojë në këtë jetë, por nëna s’të mohon kurrë. Është një suvenir që veçantinë dhe vlerën ia njeh vetëm i madhi Zot që e krijoi.

Qoftë i nderuar gjithmonë emrir nënë, ajo që jastëk ka merakun për ne, që jorgan ka dashurinë, ajo që frymën dhe zemrën e saj e ndau me ne. Prandaj, lirisht mund të themi se kjo përmbledhje poetike është një monument letrar kushtuar nënave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat