“Një fund i dobët i një novele të mirë” – Novela “Si u bëra shkrimtar”, nga Hans Falada

Kultura

“Një fund i dobët i një novele të mirë” – Novela “Si u bëra shkrimtar”, nga Hans Falada

Nga: Fatbardha Statovci Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 19:54
Fatbardha Statovci

Një të hëne, aty nga ora 8:50 e mëngjesit, shkova në bibliotekë ta lija një libër që kisha huazuar dhe ta merrja një tjetër. Pasi nuk e gjeta librin që kërkoja, mora një libër novelash të zgjedhura, nga autorë si: Balzak, Flober, Çehov, Tuen, Gollsuorth, Tagora, Cvajg, Kitamura, Falada dhe Kutuj. Dola nga aty dhe nisa të eci për në fakultet. E hapa librin, kuturu, dhe hasa në novelën “Si u bëra shkrimtar”, të Hans Faladas. Ajo niste kështu:

“Dua t’ju tregoj se si bëhet shkrimtar një njeri. Por, që këtu ngecëm. Pse, pyes veten, bëhet shkrimtar njeriu? A është kjo diçka që ndërmerret që më përpara, që drejtohet me ndërgjegje e që pastaj, me zell, durim edhe fat, arrihet më në fund? Jua them hapur se unë nuk i besoj kësaj. Nuk mund të besoj që një njeri të bëhet shkrimtar, por mendoj që një njeri është i tillë që nga fillimi i jetës.”

E pranoj hapur se ky fillimtekst më tërhoqi shumë. Prita me padurim të shkoja në shtëpi dhe ta vazhdoja novelën e nisur rrugës për në fakultet...

Lexova pesë faqet e para të librit dhe, siç më ngjan përherë, kureshtja e madhe më shtyu ta lexoja përfundimin e tij - kam një ves të mallkuar që ta lexoj faqen e fundit të librit duke qenë ende në fillimin e tij. Dhe ndodhi ajo që, vërtet, s’e prisja. U dëshpërova...

Fundi ishte kështu:

“Jam shumë i bindur se secili, çdo njeri, mbart në vetvete një prirje, secili ka një dhunti, është gatuar për ndonjë mjeshtëri. Vetëm duhet kohë për ta zbuluar. Nuk duhet ngutur. Mua m’u deshën 36 vjet që ta merrja vesh përse jam i zoti në këtë botë. Prisni edhe ju. Mos u nxitoni. Do të vijë edhe dita juaj. Ka kaq shumë mundësi dhe kaq shumë rrugë drejt tyre. Vetëm se duhet përpjekur që të mos punosh vetëm sa për të bërë diçka, por të punosh për të gëzuar veten dhe të tjerët. Që t’ia arrijë kësaj secili prej jush, ky është edhe urimi im për ju!”

Megjithatë, vazhdova ta lexoja novelën, ndonëse jo me kureshtjen dhe tërheqjen e fillimit. Ajo fliste, shkurtimisht, mbi rrethanat e jetës dhe veprimtarisë së vetë Faladas, që nga koha kur ky ishte maturant. Jepeshin me ngjyra të gjalla përvijimet nëpër të cilat ka kaluar përgjatë jetës së tij si: ballafaqimet me profesione të ndryshme për të nxjerrë bukën e gojës, pikëvështrimet nga të cilat ai percepton jetën dhe botën dhe, me theks të veçantë, përshkrimi i procesit të të shkruarit. Si një filozofi më vete, e parë ndryshe nga secili individ-shkrimtar, ky proces, te ky autor, zhvillohet në një izolim total nga bota, në vetmi absolute, ‘i mbyllur me kyç’: (Por, unë jam kaq i fshehtë, saqë askujt, as edhe sime shoqeje, nuk i thashë asnjë fjalë se ç’kisha ndërmend të bëja.); si një proces i çuditshëm ‘dehës’, që sjell lumturi të pakrahasueshme (Kishte qenë si një dehje, por një dehje e pashoqe, një dehje që s’mund ta sillte asnjë pije tokësore.); si një proces që, pa e vërejtur, shndërrohet në gjënë më sinjifikative për shkrimtarin, në gjënë më të ‘përditshme’ që simbolizon jo të rëndomtën, por të veçantën (Unë shkruaj, shkruaj çdo orë, të ditës apo të natës, qoftë kur rri në skrivani apo vij rrotull, qoftë kur i përgjigjem një letre, apo flas këtu me ju – gjithçka për mua bëhet libër, një ditë do të jetë bërë libër.) S’mund të pohosh se këto nuk arrin t’i shkruajë mjeshtërisht. Ajo kureshtja e ndrydhur më shtohej nga faqja në faqe dhe, kështu, e lexova novelën me qejf deri te dy paragrafët e saj të fundit. Por, fundi e prishte fare, fundi që të jepte ndjesinë e një libri psikologjik (asgjë kundër llojit të këtyre librave!) dhe, asesi, atë të një vepre të mirë letrare, sepse Falada moralizon. Moralizon duke u rrekur t’i japë ‘shpresë e kurajo’ secilit njeri që të mos shuajë shpresat se, herët a vonë, do të gjejë dhuntinë për të cilën është gatuar. Duke u orvatur që t’ia shpjegojë lexuesit të rreshtave të tij se duhet pritur dhe s’duhet nxituar, sepse mundësitë drejt ‘suksesit’ janë të pafundme dhe se vetëm me përpjekje arrihet secila gjë. Pra, Falada moralizon dhe, duke moralizuar, prish tekstin e vet. Pse, mund të pyesë ndonjëri prej jush? Atëherë...

Vepra letrare, siç ka konstatuar kritika, është një krijim artificial, i cili është shenjë që mbetet në kohë dhe në histori, që flet mbi ekzistimin e njeriut, mbi përpjekjen e tij për njohjen dhe pushtimin e vetes e të botës. Vepra letrare duhet, patjetër, të gëzojë një specifikë të veçantë e cila i falë statusin e një ‘krijimi  të mirëfilltë’: veçorinë e apertativitetit (U. Eco). Pra, të jetë tekst i shkrueshëm, t’i mundësojë secilit lexues angazhimin në planin shpirtëror dhe mendor, t’i falë bindjen se vepra është e shkruar për aktivizimin e tij. Shkurt fjalët: të mos i serviret asgjë e gatshme. Por, Falada, në këtë novelë me premisa autobiografike, dështon ta bëjë këtë. Ndoshta, i udhëhequr nga mirësia dhe dëshira për të këshilluar dhe udhëzuar tjerët, ai e kalon pa e vërejtur këtë detaj, i cili, mendoj, është tepër i rëndësishëm. E, sidomos, kur vihet, si lloj motoje, në fundin e librit. Plus fakti se ajo çfarë Falade thotë në fund të novelës është e nënkuptueshme përgjatë gjithë tekstit dhe ky fund, përveç që është dëmsjellës, është edhe i tepërt.

Fundi i librit, si të thuash, është njëfarë lamtumire me lexuesin. Kjo lamtumirë mund të jetë e dyllojshme: ‘lamtumirë përgjithmonë’ dhe ‘lamtumirë deri në takimin me librin tjetër’. Pra, shkrimtarë, kujdes se mos përshëndeteni përgjithmonë me lexuesit tuaj!

‘Leave room for interpretation’ – thonë amerikanët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat