Kadrush Rama, piktor i bardhësive poetike

Kultura

Kadrush Rama, piktor i bardhësive poetike

Nga: Bislim Aliu Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 10:25
Bislim Aliu

Piktura e Kadrush Ramës është shpërfaqje e lartë poetike. Ajo është e dendur dhe e sfidon kohën në procese rrëfimi. Ka domethënie dhe porosi të lartë idealiste. Ato shëmbllejnë rrëmishëm në mendjen e çdo vizitori. Pra, duke i  shikuar pikturat e tij të rrokë drithërima prekëse. Kjo meditative është shpërfaqur bukur në veprat e tij. Pa mëdyshje, pikturat e tij janë arritje e lartë rezonuese. E, këtë u përpoq të na tregojë doajeni i  pikturës dhe pati të drejt dhe pati sukses të mirëfilltë.

Gjithsesi Kadrush Rama i takon grupit të piktorëve të cilët  i vunë themelet e artit figurative në Kosovë. Ai me punën e zellshme arrijti kreativitet të mirëfillt që u dallua me shprehjen e lartë të rrëfimit sensitive e përmbajtësor. Përherë pati një përkushtim të lartë në pikturë.  Punimet e tij përveç në vend, ato u ekspozuan edhe në; Cekosllovaki, Francë, Poloni, Gjermani, Itali, SHBA, etj.

U lind në Barainë më 1938. Ishte profesor për shumë vite në Fakultetin e Arteve   ku u shqua edhe me punën e lartë pedagogjike ku përcolli shumë e shumë gjenerata e breza studenrësh. Pati një mori ekspozitash individuale e shumë e shumë asosh kolektive dhe  për kreativitet të mirëfilltë mori disa here shpërblime dhe mirënjohjtë cilat tregojë shpërfaqjen dhe kreativitetin e lartë në artet pamore. Vdiq në Prishtinë në vitin 2004.

Portretet dhe natyra e qetë

Pa mëdyshje, krijimtaria artistike e piktorit Rama është e nduarnduart dhe ka një sens shumë të lartë të rrëfimit përmbajtësor. Në punimet e para [hershme] piktori u shqua si vizatues analitik dhe portretist shumë i veçantë. Kjo veçanti senzuale u tregua në shumë tablo që treguan dendur prirjen e lartë për këtë zhanër. Këtë saktësi shprehjeje, ai e tregoi bindshëm me vizatime analitike që ishin të sakta, subtile, të qeta e ndonjëherë, besa edhe ndonjëherë ekspresive që kishte piksynim piktori për këtë zhanër specifik.

Në këto portrete, por edhe në natyra të qeta, piktori Rama tregoi sensin e lartë të shprehjes idealiste. Andaj, nëse i analizojmë tablotë; “Natyrë e qetë” [1960], “Portret” [1970], “Sabria” [1970], “Modeli në atelje” [1970], do të shohim qartas  përkushtimin dhe tërë atë veçanti sensuale dhe njohje të lartë për këtë zhanër. Ai përherë, ishte një realist  tejet subtil dhe shumë i konkretizuar. Ndaj, kjo plotëni  ravijëzuese dhe lebdisje e tij  për shpërfaqje, ishte një katarzë e  lartë të pikturës së tij. Dhe, kjo simfoni e bardhë  u tregua në shumë tablo që rezononin me shprehje të lartë përmbajtësore.

Interesim i shtuar për peizazhe

Piktori Kadrush Rama kishte prirje shumë të madhe pë peizazhe. Ai nuk ishte “dhunues” i ngjyrës. I përdori ngjyrat; akuarel, tempera dhe të vajit. Dhe, ashtu me poteza të shpejta, sit ë  themi akuareliste, pikturoi mrekulli të mirëfilltë, piktori Rama. Ngjyrat që përdorte piktori, janë të lehta, lazure dhe qendrojnë si bazamant i fortë në pikturë. Ai, gjithsesi, pati ndjeshmëri të lartë në përdorimin e ngjyrës, kompozicionit dhe të formës. E, këto elemente  vazhdimisht piktori i bashkërenditi për të na dhënë tablo mahnitëse, sensitive  dhe shumë domethënëse.

Gjithsesi, Rama ishte piktor i natyrës, I kësaj bukurie të lartë estetike. Interesohej shumë për peizazhe që ishin një veçanti dhe një bukuri e rrallë e tij. Pra, ai ishte një kolorist i rafinuar i rrëfimit. Veprat e tij janë komunikuese dhe lehtë ato kuptohen. Në tablotë e tij përdoret shumë ngjyra e bardhë. Pra, kjo është e veçanta e tij. Figurat e bardha në sfond të bardhë. Ose, mund të themi; bardhësia e poetizuar në sfond të bardhë.

Kjo veçanti individuale e tij, gjithsesi u shpreh në tablotë ; 

“Zagrebi” [1968], “Prishtina pas shiut” [1972], “Peisazh” I,II [2003], “Piknik” [2003], etj.

Abstraksioni dhe kreativiteti imagjinativ

Doajeni i  pikturës, Kadrush Rama, vazhdimisht shpërfaqi ndjesim dhe  kreativitet të lartë në pikturë. Në shumë tablo tani i  ka ikur figures reale, për të vazhduar  me ngulm format asociative dhe të abstraksionit. Cdo tablo, falë elementeve të zgjedhura dhe lidhjes ritmike, i jep pikturë së tij  një ton poetik. Mu për këtë piktura e tij quhet poezi. Pra, poezi dhe muzikë e qetë e shpirtit. Në këtë poetikë shprehëse simboli e ka një domethënie të lartë. Megjithatë, ai kurrë nuk ishte një abstraksionist  i  vërtetë. Ai, qëndronte në kufirin e reales dhe abstraktes. Ndoshta, mu për këtë veçori, pikturat e tij janë joshëse dhe komunikuese. Rama e përkrahu kreativitetin dhe imagjinativen.E, mu kjo veçori e tij u shpreh më së miri në ciklin “Simfonia e bardhë në sfond të bardhë”.

Sigurisht, në disa tablo piktori  është kronist. Ai i tregoi katrahurat; djegiet, masakrat, persekutimet, dhunimet… Kjo ndjesi dhembjeje u tregua dendur në tablotë; ‘Përgjakja’ [1998], ‘Masakra e Reqakut’ [2003], ‘Viktimat’ [2003], ‘Pushka e parë në Llaushë’[2004], etj.

Mendoj se kjo shprehje artistike e piktorit Rama do të mbetet gjatë në shpirtëroren tonë, si një rrëfim i dendur i një krijuesi madhor. Ai shpërtheu moti, por ngadalë dhe sigurt hepoi me rezonancën e lartë piktori Rama. Dhe, kjo porosi e tij sheshoi individualitetin e lartë dhe tejet domethënës në pikturë e tij.

Kjo bardhësi e rezonuar, ishte bardhësi e poetizuar për mrekulli e piktorit.

Andaj, piktura e tij  qëndron stabile me rrëfimin e lartë përmbajtësor. Ajo ka domethënie dhe porosi të lartë. Pra, duke i shikuar pikturat e tij të rrokë drithërima prekëse. Zatën, kjo meditativë e tregon reminishencën e pasurisë shpirtërore. Pa mëdushje, piktura e tij është arritje e lartë e piktorit Rama. Këtë dukuri na e tregoi piktori Rama. Ai pati të drejt dhe sukses të mirëfilltë.                                                                                                                                                        

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat