Kulte tradicionale shqiptare – Kulti i Gjarpërit

Kultura

Kulte tradicionale shqiptare – Kulti i Gjarpërit

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 23:29
ilustrim

Gjarpri, ky zvarranik me aftësi të çuditshme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në religjionin dhe mitologjinë ilire. Kulti i gjarprit, është evident edhe te shumë popuj të botës që nga Azia Lindore e deri në Amerikë. Shumë e njohur dhe e famshme është legjenda e Gjarprit Hitit, emri i të cilit ishte Illurjanka, që për disa autorë shërben si burim nga rrjedh edhe emri ilir. Autorë të këtij mendimi janë: gjermani O. Gruppe dhe filologu slloven K. Oshtiri.

Në aspektin kohor, simbolika e gjarprit në trevën shqiptare gjendet përtej kufirit të formimit të etnosit ilir. Ky kult është prezent edhe sot në përralla, legjenda e tregime të ndryshme, brenda gjithë hapësirës etnike shqiptare.

Kulti i gjarprit, në rrafshin botëror, daton prej kufirit paleolitik dhe vjen deri në ditët tona, ndërsa në trevat ilire ai evidentohet qysh nga koha e neolitit. Megjithatë, nga epoka e neolitit e deri në epokën e hekurit, arkeologët ende nuk kanë zbuluar një simbolik të qartë të këtij kulti.

Ky fakt arkeologjik i ka shtyrë studiuesit albanologë të mendojnë se fizionomia e plotë e këtij kulti i takon periudhës së hekurit, shek VI-V para e.s. Rruga mitologjike e kultit të gjarprit fillon në Mesopotami, përcillet në Azinë e Vogël dhe këtej në botën mediteranease, nga ku egjeanët dhe fenikasit tregtarë e përcollën në Perëndim.

Por, sipas analitikës sonë, edhe një rrugë tjetër duhet të jetë ndjekur. Bëhet fjalë për popujve kurganë, të cilët iu drejtuan Ballkanit, në vitet 2700-2500 p.e.s. Studiuesit janë të mendimit se lëvizja e popullit pellazgjik bëri të mundur edhe përhapjen e kulteve, për të cilët ata ishin bartës të tyre.

Shumë sinjifikative është legjenda, të cilën na e ka përshkruar Apolodori. Sipas tij: “Kadmi, pasi kërkoi dhe nuk e gjeti të motrën Evropën, që e kishte rrëmbyer Zeusi, u vendos në Tebë dhe u martua me Harmonin, e cila ishte e bija e perëndisë së luftës, Aresit, dhe e perëndeshës Afërdita.

Me urdhër të perëndive Kadmi shkoi në mbretërinë e Enkelejve dhe u bë mbret i tyre. Në mbretërinë Enkelease ata lindën një djalë, i cili në momentin e lindjes u mbështoll nga gjarpri mistik. Djalit ia vunë emrin “Ilir” nga rrjedh edhe emri i Ilirisë. Në kohën e pleqërisë Kadmi dhe Harmonia23 u shndërruan në gjarpërinjë të shenjtë24

Kulti i gjarprit respektohej edhe prej familjeve mbretërore. Kështu Olimpia, bashkëshortja e Filipit dhe nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, e cila ishte e bija e mbretit të Epirit, disa herë ishte parë të mbështillte rreth trupit gjarpërinj të gjallë.25

Autorët antikë dhe kujtesa popullore na ofrojnë edhe legjenda të tjera për gjarprin, prej të cilave po veçoj legjendën e gjarprit të Bistricës.26 Në zonën e Delvinës në lashtësi ishte një gjarpër i madh (Kuçedra), i cili ishte bërë tmerri i zonës, sepse, jo vetëm kishte zënë burimet, por edhe hante çdo gjë, madje edhe njerëzit.

Tentativat për ta vrarë gjarprin kishin dështuar, por funksionoi plani i një plaku. Plaku ngarkoi një gomar me eshkë dhe qymyr. Kur përbindëshi ishte në gjumë, plaku e shpuri gomarin në vendin ku flinte dhe ndezi një eshkë.

Gjarpri, pasi e hetoi gomarin e hëngri, por eshka vazhdonte të digjej nga frymëmarrja e gjarprit dhe bashkë me të edhe gjarpri. Meqenëse nuk i duronte dot dhimbjet i kërkoi ndihmë perëndisë së detit dhe Bistricës.

“Ku je, o nëna ime Bistricë dhe ti motra det? ”. Bistrica nxori 18 burimet e Syrit të Kaltër, por kjo nuk i mjaftonte gjarprit, i cili e kuptoi gabimin dhe thirri: “Ku je, nëna ime det dhe ti motra Bistricë?”. Deti erdhi deri në Finiq,27por nuk arriti ta shuante. Që të shpëtonte nga dhimbjet gjarpri lëvizi me shpejtësi në shpatin e malit mbi Devinë.

Nga lëvizja u formua një vijë e drejtë, ku nuk mbin bari. Këtë vijë vendasit e quajnë: “rruga e gjarprit”, atje, ku sot, gjendet një dukuri komplekse natyrore me origjinë gjeologjike, në të dyja anët e së cilës ka mbirë valanidh.

Me kockat e gjarprit, u ngrit, thotë legjenda, manastiri i Mesopotamit. Në muret e poshtme të manastirit të Mesopotamit, gjendet një gur i madh në faqe të së cilit, është gdhendur një gjarpër, i cili është ndoshta dragoi shqiptar.

Albanologu Robert Elsie, në veprën “Leksiku i kulturës popullore shqiptare, besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore”, thekson: “Gjarpri ka qenë simbol i fuqishëm i ilirëve të lashtë, sidomos i atyre të Ballkanit jugor. Në periudhën romake, në Dardani, kishte altar kushtuar gjarpërinjve Drakon dhe Drakaena”.28

Forma e gjarprit gjendet në shumë figura,29 skulptura, objekte zbukurimi e stoli të ndryshme, varëse në përmendoret e periudhës romake etj. Në pjesën e poshtme të murit të manastirit të Mesopotamit, në Delvinë, gjendet një gjarpër i gdhendur në gur, me krahë dhe me bisht të përdredhur, i cili mendohet e motivohet edhe si dragoi shqiptar.

Në luginën e Vjosës, gjarpri është prezent në skulpturën e një femre, e cila është gjendur në fshatin Qesarat të rrethit të Tepelenës. Skulptura është prej guri gëlqeror dhe ka një lartësi 0.98 m. Në të paraqitet një femër me një shportë të mbushur me fruta në dorën e majtë, rreth së cilës është mbështjellë një gjarpër, koka e të cilit drejtohet për nga frutat në shportë.

Arkeologët shqiptarë, H. Ceka dhe S. Anamali, janë të mendimit se këtu gjarpri simbolizon bollëkun e prodhimit.30 Të njëjtin mendim e shpreh edhe M. Xhaxhiu, kur thekson: “Një rëndësi të veçantë ka pasur te ne roli i gjarprit në çështjen e pjellorisë së tokës, si forcë vepruese për mbarësi dhe bollëk të prodhimeve bujqësore, si dhe për lindjen e gruas,” shton ai.31 Gjarpri ishte një figurë, i cili adhurohej shumë në gjithë luginën e poshtme të Vjosës gjatë antikitetit.

Ai është prezent edhe në monedhat e Bylisit, Amanties dhe Apolonisë. Aleksandër Stipçeviç jep këtë shpjegim për figurën e cjapit, që është në luftë me gjarprin, skenë, e cila gjenden në monedhat e kolonisë greke të Farit: “Cjapi simbolizon kolonët dhe gjarpri ilirët”.

Kulti i gjarprit mund të evidentohet edhe sot, nëpër të gjitha krahinat. Mendohet se çdo shtëpi ka gjarprin e saj, që konsiderohet mbrojtësi i shtëpisë dhe njihet me emra të ndryshëm: “ Vitorja e shtëpisë”, “ Roja e shtëpisë”, “ Boa”, “ Uratë e shtëpisë”, “Zot i truallit të shtëpisë”, “Tokësi” “Gjarpri i shtëpisë”etj.

Ky gjarpër nuk vritet, por edhe nuk është i dëmshëm për të zotët e shtëpisë, të cilët nuk tremben prej tij. Në zonën e Tepelenës besohet se kur dikush vret një gjarpër, “ I zoti i jetës” thotë: “ Vrau miza një Ezhdërha”.32

Një element tjetër, i cili dëshmon për kultin e gjarprit në trojet shqiptare, është njoftimi i autorëve të antikitetit se në Iliri kishte pyje të posaçme, ku rriteshin gjarpërinjtë, të cilët ushqeheshin një herë në vit prej tri femrave, që shkonin atje nudo.33 Nëse pranohej ose jo ushqimi, priftërinjtë bënin parashikimin e ecurisë së motit, prodhimit, mënyrës së qeverisjes, mundësisë së zhvillimit të luftërave etj.

Kulti i gjarprit te pellazgët dhe te ilirët (ilirët, epirotët dhe dardanët shënimi im, Sh. H.), ishte një totem, ndërsa te shqiptarët konsiderohet edhe sot si mbrojtës prej fatkeqësive. Gjarpri i shtëpisë ose Vitorja ka qenë e shenjtë. Ajo ishte mbrojtësja e familjes, e njerëzve, sillte mbarësi në njerëz, në prodhime, në bujqësi, blegtori e në pemëtari.34

Figura e gjarprit gjendet e skalitur edhe në portat e shtëpive, zbukurimet e ndryshme me gdhendje druri, si në: tavane, musëndra, dyer, furka tjerrjeje, cula dyjare, çifteli, kërraba, në përmendoret e varreve etj., duke përfshirë një areal të gjerë në zona të ndryshme të vendit si në: Përmet, Labëri, Çamëri, Malësi e Madhe, Dukagjin, Kosovë, Malësi e Tiranës etj. 35 Mark Tirta, gjatë studimit të dokeve dhe zakoneve të Malësisë së Tiranës, konfirmon se koka dhe lëkura e gjarprit përdoreshin në këtë trevë si hajmali për fëmijët, për t’u mbrojtur nga syri i keq dhe sëmundjet e ndryshme.36

Prania e kultit të gjarprit edhe në ditët tona, me një shtrirje në të gjitha trevat shqiptare, dëshmon për një kult të përbashkët shqiptar, i cili u ka rezistuar dogmave të besimeve monoteiste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat