Në oborrin e presidencës çelet fotoekspozita me rastin e 100-vjetorit të Themelimit të Strehës së parë Vorfnore me 960 foto të veçanta

Kultura

Në oborrin e presidencës çelet fotoekspozita me rastin e 100-vjetorit të Themelimit të Strehës së parë Vorfnore me 960 foto të veçanta

Nga: Albert Zholi Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 09:26
Presidenca shqiptare

Presidenca e Republikës së Shqipërisë dhe “Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë” , në Jubileun e 100-vjetorit të themelimit të “Strehës së parë Vorfnore” (1917-2017), celebron në datat 22-28 Nëntor, veprimtarinë: “Java e Jetimëve në Presidencë".Dje në ambientet e presidencës janë bërë përgatitjet e fundit  me rastin e celebrimit të "Javës së Jetimëve në Presidencë. Me këtë rast, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, në bashkëpunim me z. Ilir Çumani Drejtor, i “Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë”,  kanë organizuar, takime, fotoekspozita, biseda me jetimë, etj. Konkretisht në ambientet e hapura në Presidencës është përgatitur një ekspozitë shumë interesante me siglën “100- vjet, Strehës e Parë Vorfnore”. Në këtë ekspozitë janë paraqitur në mënyrë kronologjike, gjithë historia e krijimit të Shtëpive të Fëmijëve në Shqipëri apo Strehëzat Vofnore siç quheshin në fillim. Në gjithë ambientet dhe mjediset e hapura janë ekspozuar gjithsej 960 fotografi dhe faksimile.  Një punë pasionante dhe shumë profesionale e realizuar si kurator, nga z. Ilir Çumani,  Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili është edhe ideator dhe realizator  i kësaj fotoekspozite të rrallë, por, njëkohësisht  edhe ideator dhe themelues i 20 Majit, e njohur tashmë si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”. Fotoekspozita shtrihet në 5 periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, përmes të cilave ka kaluar “Streha e parë Vofnore:

-1- Periudha e pas Luftës së Parë Botërore me veprimtarinë e motrave  stigmatine,  të cilat në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Amerikan, ushtronin veprimtarinë bamirëse në vendin tonë, veçanërisht në pjesën e nën Shkodrës

2-Periudha e Mbretërisë

3-Peruidha e pushtimit të Italisë Fashiste

4-Periudha e komunizmit.

5-Periudha e demokracisë.

Përmes një videoprojektori, do të shfaqen material filmike, kinoditarë e dokumentarë mbi historikun, sesi kanë funksionuar këto jetimore në Shqipëri. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Presidencës një javë, nga data 22-28 nëntor, 2017 dhe do të jetë  e shikueshme për të gjithë qytetarët paradite dhe pasdite. Pra, hapet për herë të parë një Fotoekspozitë fotografike shumë serioze që pasqyron foto të rralla dhe dokumentet historike mbi jetimoret e para në Shqipëri deri në ditët e sotme,  që nuk janë publikuar ndonjëherë dhe që shtrihen si hapësirë kohore të ngjarjeve që kanë ndodhur që nga vitet 1912 – 2017. Në këtë veprimtari  janë të ftuar ish—presidentët, përfaqësues të partive politike, ambasadorë të vendeve mike të akredituar në  Tiranë, Përfaqësuesit e Lartë të Komuniteteve Fetare në Shqipëri, përfaqësues të Shoqërisë Civile, akademikë, gazetarë, artistë dhe shumë personalitete publike.

Synimi i ekspozitës

Fotoekspozita (e dyta këtij lloji) sipas Çumanit, synon të sjellë në memorien kombëtare të gjithë trajektoren historike, në një këndvështrim panoramik përmes gjuhës së fotografisë dhe dokumentit, të të gjithë rrugëtimin e gjatë historik, plot përpjekje  të dhimbshme, të vështirë dhe të mundimshme që i është dashur të kaloj populli ynë gjatë  kthesave të rëndësishme të historisë, në përballje me rezistencën që i bëri të huajve që kërkonin  me çdo kusht asimilimin e kombit tonë,  por ana tjetër, shfaqet duskshëm vitaliteti dhe shpirti i madh human i popullit shqiptar, i cili krahas rezistencës që u bëri të huajve për  vetëekzistencën e tij si komb, mundi të shfaq edhe një dimension tjetër; forcën e madhe shpirtërore të humanizmit njerëzor duke i’u gjendur pranë fëmijëve jetimë, atyre që kishin humbur familjen dhe shpresën për të jetuar. Për shekuj me radhë populli shqiptar vuante nga zakoni i Perandorisë Osmane për skllavërimin e djemve të krishterë në shërbim të sulltanit, në radhë të parë  të fëmijëve  që kishin mbetur jetimë  nga luftërat e popullit tonë me pushtuesit turq. Këta djem jetimë, i dërgonin në Stamboll, i kthenin në myslimanë dhe pas shkollimit i caktonin  për të shërbyer gjithë jetën në njësitë ushtarake profesionale të këmbësorisë, që quheshin jeniçerë.

Historia e jetimoreve në Shqipëri

Historia e jetimoreve në Shqipëri nis 100 vite më parë, kur vendi sapo kishte fituar pavarësinë. Siç dihet, Shqipëria përjetoi trazirat e luftërave  ballkanike dhe pastaj të Luftës së Parë Botërore, kur ajo u pushtua nga ushtritë ndërluftuese: në Shqipërinë e Veriut dhe në një pjesë të asaj të Jugut u vendosën trupat austro – hungareze, në  atë jugperëndimore ushtria italiane dhe në atë juglindore (kryesisht në Korçë) trupat e ushtrisë franceze. Të gjithë thonin se nuk kanë ardhur si pushtues, se i respektonin  shqiptarët dhe për të fituar simpatinë e tyre dhanë ndonjë përkrahje për shkollat shqipe, madje ndihmuan për të hapur  edhe jetimoret e para për fëmijët shqiptarë të familjeve të dëmtuara nga luftërat.

Jetimorja e parë në Shqipëri

Jetimorja e parë në Shqipëri u krijua më 28 Nëntor 1917 në Tiranë me iniciativën  e prefekturës e të bashkisë së Tiranës dhe me përkrahjen e autoriteteve austriake. Ajo në fillim u vendos në teqenë e Sheh Dyrit. Menjëherë pas luftës, për pajisjen e godinës së jetimores ndihmoi kryqi i kuq Amerikan. Jetimorja më pas u quajt “Strehë Vorfnore”. Në fakt, sipas dokumenteve të kohës, iniciatori, ideatori dhe themeluesi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri është diplomati dhe një ndër personalitet e shquara të kohës, z. Rauf Fico, në atë kohë Nënprefekt i Tiranës dhe Durrësit. Iniciativa  për ngritjen e Strehës i lindi nga vdekja tragjike e një djali  jetim 5 vjeç, refugjat nga Dibra, të cilin dy xhandarë austriakë ia kishin sjellë në zyrën e tij, një mbrëmje më parë së bashku me të motrën e tij 4 vjeçe.  Të dy fëmijët i kishin gjetur në fshatin Farkë të Tiranës, duke ngrënë bar. Atë mbrëmje z. Fico, në rolin e nënprefektit therret hoxhë Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin, dhe u kërkon atyre që t’ju sigurojnë një vend  sa për atë natë për fjetje dhe pak ngrohje dhe bukë. Të nesërmen në mëngjes, z. Fico, merr lajmin se njëri prej tyre, djali 5 vjeçar nuk mundi të mbijetoj. Kjo ngjarje, tregon në kujtimet e tij z. Rauf Fico, “më prishi nervat, e më ç’qetësoi për së tepërti, mbasi dhe vetë kisha djemtë e vegjël dhe familjen në Gjinokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin po me këtë mënyrë…” *1) Dokumenti mban datën 03.Tetor.1937, dhe është  letra që Z. Rauf Fico,  i dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të asaj kohe, z. Haxho Shkoza.  Kështu, 95 – vjet më parë, ra kambana për të ngritur lartë moralin shqiptar. Krijimi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, ishte aksioni më u ngutshëm në atë kohë të rëndë që kalonte vendi. Tirana dhe e gjithë Shqipëria, nuk mund të harrojnë  kurë bamirësit e mëdhenj fisnik, si Themeluesin e Strehës së Parë Vorfnore Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Zyber Hallulli, etj.

Aktualisht

Historia e Strehës së Parë Vorfnore nuk do të ishte e plotë  dhe nuk do të kishte kuptim pa përfshirë edhe ato periudha të mëvonshme po aq të rëndësishme që sollën një revolucion të madh në  përhapjen dhe modernizimin e shumë institucioneve të tilla simotra në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Pogradec, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, etj. Këto institucione shërbyen dhe ende vazhdojnë të shërbejnë deri në ditët e sotme për edukimin mirërritjen dhe mbrojtjen sociale të asaj kategori fëmijësh që për shumë arsye janë të privuar nga mungesa e prindërve  dhe mos pasja e familjes së tyre biologjike.

Me gjithë orientimet e reja që jetimoret të kthehen në strehë të përkohshme për fëmijët jetimë e të braktisur, të cilëve duhet të gjendet një familje, akoma qindra fëmijë të tillë në Shqipëri janë të detyruar të rrinë me vite në këto institucione.

Në jetën e shoqërisë shqiptare sot kanë lindur probleme të mprehta sociale, si papunësia, polarizimi social, rritja e kriminalitetit, emigracioni, lëvizja e pakontrolluar e popullsisë brenda vendit,prishja e lidhjeve familjare tradicionale, rritja e divorceve dhe e numrit të fëmijëve të mbetur pa kontroll prindëror, tronditja e normave morale  të mëparshme.

Këto dhe të tjera arsye, kanë bërë të mundur që në dhjetëvjeçarët e fundit në Shqipëri është rritur numri i fëmijëve jetimë, sidomos  i të quajturve jetimë social, ose “të fshehur”. Shaku duhet kërkuar të vështirësitë e jetesës në shumë familje, te dobësimi i bazave  morale të këtyre familjeve, te ndryshimi  në marrëdhëniet me fëmijët. Në Shqipëri nuk ka ende një interesim aktiv e konkret të familjeve për mbrojtje e përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë e të braktisur. Të gjithë shqetësohen  dhe rendin pas halleve të ditës, për të kapërcyer vështirësitë e jetës, për të çarë në ekonominë e tregut, një pjesë tjetër  për të jetuar me komoditete të reja, të tjerë për të përballuar vështirësi  të reja. Një pjesë e madhe  e  njerëzve mendojnë se në të ardhmen fëmijët jetimë duhet të jenë vetëm nën përkujdesjen e shtetit dhe të fondacioneve bamirëse, dhe vetëm rreth 1/ 3 mendojnë se këta fëmijë duhen birësuar nga familje shqiptare dhe ato të huaja. Megjithëse dhjetëvjeçarët e fundit ka patur birësime në familjet shqiptare, ende nuk ndjehet ai humanizëm dhe ajo kulturë e nevojshmepër ti marrë në mbrojtje dhe për ti trajtuar këta fëmijë, nisur nga koncepti “pse të rrisë unë një fëmijë kur për të nuk kujdesen prindërit”. Në Shqipëri, ende nuk po zbatohen si duhet format e ndryshme të përkujdesjes mbi fëmijët jetimë dhe të braktisur, që në vendet e tjera të Evropës Lindore ekzistojnë që prej shumë kohësh. Shteti sot, realisht i ka të kufizuara mundësitë financiare për mbështetjen sociale. Por, edhe fondacionet e shoqëritë bamirëse nuk mund të marrin përsipër gjithë barrën e përballimit të këtij problemi. Nqs në regjimin komunist kishte 25 mijë fëmijë jetimë, sot kemi mbi 31 mijë, deklaron z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat