Gjenerali M. dhe djali me çokollatë

Kultura

Gjenerali M. dhe djali me çokollatë

Nga: Sinan KAMBERAJ Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 22:18
Ratko Mlladiq dhe djali me çokollatë

Si e ke emrin bukurosh?
Braho, iu pergjegj ai
Sa vjeç je?
Dymbëdhjetë, - tha, duke i fshehur dy

Po ti, e ti
Ti atje?

“Merrini, se s’do të hani më”!

Çunit me çokollatë në dorë
I ngriu shikimi -
Si dhe shokëve të tij ..

“Merri, - urdhëroi Rreshterin -
Çoji atje -
Poshtë” ...

Fëmijët me çokollata në duar
U nisën mbas Rreshterit

Gjeneral M.  numëroi  krismat në Luginë -
Kujtoi mbiemrin e vet *)
Dhe preku armën në brez!

*
Shumë ujë rrodhi e rrodhi
Nën Urën e Driniës ...

Djali me çokollatë
Sot do të mbushte 34
Pa ato që ia fshehu Gjeneralit M. atëherë ...

Kur u kthye në Sallë
Gjyqtari Alphons Orie iu drejtua:
Mr. Mladic, a e pranoni krimin?

Gjenerali M. ulëriu si bishë:
- Protestoj!
Nuk e njoh këtë Gjyq!

- Burg të përjetshëm!, - tha Z. Orie
Dhe e lëshoi çekanin mbi tavolinë

“Kur ka ndodhur kjo?” -
pyeti vetën Gjenerali M.
Pastaj zu të përmjerrej
Dhe heshti

Ai kërkoi leje nga Gjyqtari
Të shkonte në banjo
Dhe u kthye sërish i lagur

Sakaq iu shfaqen sytë e ngrirë të Brahos:
Po ata sy, si dikur !
Pastaj pa kurrizin e tij dhe të shokëve
Pastaj pa horizontin e Srebrenicës në muzg ...

Dhe u ul

“Merre, merre”, i tha Braho
“Ta hash nga pak -
Se mjaft do të keshë kohë”

“Shporru!
Unë nuk ha çokollatë!” -
U çart Gjenerali M.
Dhe u ngrit në këmbë
Duke prekur vendin bosh të pistoletës

U ngrit sërish
Mbylli veshët nga jehonat e Luginës
Dhe u ul me vrull

- Ju duhet të qëndroni në këmbë Mr. Mladic! - tha gjyqtari gjentil

Gjeneralit M. iu duk prapë e vogël
Gjykatorja dhe Serbia

- Protestoj!,  tha
Dhe u ngrit e u ul
E u ngrit e u ul -
Në shurrë të vet -
Çull
Duke murmuritur
Gj - Gj - Gj...

Paptitmas ngriti kryet lart
Dhe me instinktin e oficerit
Çoi dorën në brez ..

Iu bë se dikush thirri:
Gjeneral, Gjeneral!

Ai s’e kushte ditur asnjëherë
Sa pranë qëndrojnë në Fjalor
Fjala Gjeneral
Me fjalën Gjenocid!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat