Kujtojmë mësuesin Mehaz Abdyli nga Shipkovica e Tetovës

Kultura

Kujtojmë mësuesin Mehaz Abdyli nga Shipkovica e Tetovës

Nga: Shefqet Osmani Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 06:11
Mehaz Abdyli nga Shipkovica e Tetovës.

Gjithsecili ka një vënd në këtë jetë. Gjithsecili ashtu si vjen, njashtu shkon, por pas vete lë një gjurmë, një vepër, një emër. Kur një njeri i mirë ndahet nga kjo botë, sigurisht se ata që mbeten pas, qoftë familjarë, qoftë miq, intelektual, pas përmbylljes së tabllos jetë kujtojnë vlerat e tij, të mirat dhe kjo bëhet me një ide fisnike, bëhet me qëllim reflektimi për të afërmit e tij dhe për gjeneratat e kombit në përgjithësi! Në këtë tabor të shqiptarëve të mirë, të devotshëm, mësuesit me pasion, drejtuesit të shkollës shqipe bën pjesë edhe mësuesi Mehaz Abdyli nga Shipkovica e Tetovës.

Mësuesi Mehaz, ashtu siç e thirrnin të gjithë, me punën e tij, me moralin e tij shumë të lartë vet i ka bërë vend vetes në jetë dhe në shoqërinë shqiptare këtu në Maqedoninë Shqiptare dhe më gjërë! Presonaliteti i mësuesit Mehaz Abdyli është figurë e ngritur morale dhe ky epitet real përkon shumë me punën e tij, me dashurinë e mirësinë shpirtërore, me dëshirën për të bërë e parë mirë e më mirë, me urtësi e në udhë të Zotit. Mësuesi Mehaz Abdyli shpesh thoshte se, një njeri nderon vetveten kur të gjithë e nderojnë, por më tepër kur ndahet nga jeta e pas lë vetëm kujtimet të mira! Shekujt kanë përcjellë dijetarë  plot dinjitet ndër ne, por në këtë rast e pamundur është që mos e bësh krahasimin real më të dinjitetshëm të mësuesit Mehaz me dijetarë të kohës!Për këtë figurë gjithsecili kishte nderim e  respekt të veçantë, meqë sa ishte në jetë na la në kujtesë gjëra të bukura, porosi lirie, porosi ardhmërie!

Mbetet një kujtim i paharruar për këtë presonazhë shumë pozitiv të kësaj bote! Fjala e mësuesit Mehaz Abdyli kishte ndriçimin e vet, kishte një qetësi të habitshme dhe të admirueshme për të  gjithë! Në këto çaste meditative dhe shumë emocionuese humbasin edhe fjalët, por të ngrinë edhe mendimi. Më takon mua të kujtoj një ngjarje të paharruar të kohës së largët, kur unë, pastaj fëmijët e mësuesit Mehaz dhe shoqëria jonë e ngushtë kemi bujtë do netë në shtëpinë e mësuesit Mehaz. Ajo kohë është e paharruar, meqë kujtoj kur mësuesi Mehaz sillte me thasë samuna, kurse ne si fëmijë me sy të zgurdulluar hanim nga dy samuna për një herë!Por sikur mos ishim skuqur paksa nga fytyra kishte mundësi që secili të hanim nga katër samuna për një herë!

Kjo që thash dikujt do t’i duket nostalgji, ndonjë tjetri dukuri dobësie!Megjithatë dikurë ishte bukur! Zemrat tona tani flasin në heshtje për mësuesin Mehaz.Fjala në këto raste nuk ka zë, por shpalosen  aq sinqerisht sa vështirë të kuptohet atë që ndiejmë e përcjellin me gjithë sinqeritetin e çiltërsinë shpirtërore. Mesazhet e mësuesit Mehaz Abdyli ishin të buta, por me rrugë përjetësie! Personaliteti i tij u rrënjos për të jetuar shumë gjatë tek të gjithë! Përjetë ai do të jetë sikur një përmendore e skalitur në kujtesën e qytetërimit shqiptar!

Pastërti e shpirtit, pastërti e mendjes, pastërti e jetës, figurë që secili do ta lakmonte është mësuesi Mehaz Abdyli! Të ndritë shpirti atje ku prehesh, mësuesi Mehaz Abdyli! Të tillë njerëz lindin pak, jetojnë pak në këtë jetë e lënë memorie të pashkruar që rron shumë gjatë. Në këto ditë pranvere ai përcillet në botën e përjetshme. Përcillet si një kujtim, si  një mal me lule mbi pranverën e jetës së tij, plot admirim, nderim e respekt për njerëz që vend për herë i bëjnë vetes mes njerëzve ku jetojnë e punojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat