Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument - Bota Sot
Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument

Kultura

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 14:38
Prizren

Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar edhe një monument i trashëgimisë kulturore, i cili ka gëzuar mbrojtje ligjore.

Monumenti i regjistruar si “Shtëpia e Bajram Sokolit” është rrënuar përkundër vendimit të lëshuar në muajin gusht nga autoritetet e trashëgimisë kulturore për ndërprerjen e punimeve në këtë objekt. 

Sipas informatave zyrtare të marra nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Komisioni për vlerësim të projekteve restauruese-konservuese në kuadër të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës në muajin korrik të këtij viti kishte miratuar kërkesën/projektin për renovimin/restaurimin e objektit shtëpi individuale për banim në ngastrën kadastrale 1910-0 në Prizren, thuhet në komunikatën për media të OJQ Ec ma ndryshe.

Por më pastaj QRTK, pasi është informuar se në këtë shtëpi kanë nisur aktivitetet rrënuese ndonëse leja ka qenë për renovim, ka informuar IMMK-në dhe Komunën e Prizrenit për mosrespektimin e lejes së dhënë.

Sipas QRTK më 22 gusht 2017 IMMK-ja ka pezulluar vendimin lidhur me projektin për renovimin/restaurimin e shtëpisë në fjalë. IMMK-ja gjithashtu ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në objektin në fjalë për shkak të punimeve të kryera në tejkalim të kushteve dhe kritereve të përcaktuara në projektin e aprovuar nga IMMK.

Ky Institut gjithashtu ka theksuar se "çdo veprim që zhvillohet pas pranimit të këtij vendimi nga të gjitha palët, konsiderohet 'punë e pa autorizuar në trashëgiminë kulturore' - vepër kjo e ndëshkueshme. Në të njëjtën kohë IMMK ka autorizuar QRTK-në që të zhvillojë të gjitha procedurat përkatëse me Komunën e Prizrenit në mënyrë që të zbatohet ky vendim respektivisht të ndërpriten punimet.

Megjithëkëtë monumenti i shekullit XIX është rrënuar nga pronari i ri. Shtëpia e Bajram Sokolit është e mbrojtur dhe është e listuar në shtojcën II të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe konsideron se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test