Gjenialiteti i Xhevat Limanit përloti spektatorët e Teatrit Shqiptar të Shkupit - Bota Sot
Gjenialiteti i Xhevat Limanit përloti spektatorët e Teatrit Shqiptar të Shkupit

Kultura

E premte, 15 dhjetor 2017

Gjenialiteti i Xhevat Limanit përloti spektatorët e Teatrit Shqiptar të Shkupit

Nga: Sabaudin Zhuta Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 17:17
Kopertina

Skënderbeu ngadhënjeu edhe njëherë në Shkupin Dardan. Bëhet fjalë për poemën dramatike që në esencë është dhe një melodramë me plot risi, cilësi dhe gërshetim vlerash të arteve dramatike-muzikore dhe historisë. Edhe pse gjatë kohë përcjell aktivitetet dramaturgjike në Shkup e më gjerë dhe sadopak njoh historikun teatror por edhe vlerat dhe kriteret, e kam vështirë të them ca fjalë me kompetencë të një kritiku të vërtetë në fushën e këtij zhanri.

Nën thjerrëzën e mbresave të kësaj mbrëmjeje, nuk mund të jem i qetë pa thënë e përshkruar atë atmosferë, për të cilën pas shfaqjes u fol me zë dhe e cila do ngel gjatë në kujtesën e spektatorëve. “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” është pjesë e autorit Xhevat Limani, i cili pos tekstit, e ka bërë edhe regjinë në bashkëpunim me Michael Tylo dhe paraqitet në rolin e Skënderbeut, ndërsa, sopranoja Era Hoxha, do të paraqitet në rolin e Donikës, me arie të kompozuara enkas për rolin e Donikës nga kompozitori Aleksandër Peçi, me libreto të Xhevat Limanit, ndërsa si narratorë paraqitet Merita Çoçoli.

Xhevat Limani, një aktor i rryer, me një përvojë të ngjeshur gjatë dekadave në fushën e dramës e artit filmik, një dramaturg e publicist i vërtetë, një regjisor tanimë i dëshmuar e intelektual i madh i gjirit të këtij trualli, një personalitet shumë i veçantë e karizmatik, me një elan të mbushur plot ide kreative dhe vullnet të pashoq, erdhi si një feniks i zbritur nga qielli për të zdritur trojet shqiptare. Më dt. 20.11.2012 në kuadër të festave të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit Shqiptar erdhi ai nga SHBA-të (ku jeton, punon e vepron) dhe nderoi Shkupin e tij të rinisë e pjekurisë artistike, me një vepër premierike të ngjeshur me vlera të larta artistike, kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Para Shkupit ai entuziazmoi Tiranën e Prishtinën me të njëjtën vepër. Xhevati nuk kalkuloi as me shifra e as me djersën e derdhur për mundin e dhënë. Ai shpesh citon John F. Kennedy-n kur pat thënë: “Mos shiko ç’bën shteti për ty, shiko ti çfarë bën për kombin”.

-Kënaqësi pata, për këtë qindvjetor t’i dhurojë kombit dy premiera për dy figurat (nga tre) më emblematike të kombit shqiptar, atë të Skënderbeut dhe Adem Jasharit. “Ismail Qemalin e bëri Tirana”, thotë ai. Kënaqësinë e veçantë e kam këtu, në Shkupin Dardan, në zemrën e shqiptarisë. Nga këtu le të jehojnë mesazhet e dramave të mija! Këtu janë gjurmët dhe gjëma e hapave të Kastriotit…në Gradec, në fushëgropën e Strugës, Ohrit, Livadhisë, në Svetigrad / Koxhaxhik, në grykën e Radikës, Dibrës e më tej…thotë ai. Ca fjalë për figurën frymëzuese të Skënderbeut: Personaliteti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –Skënderbeut ishte figurë frymëzuese e shumë krijueseve letrar, skulptorëve të ndryshëm, si dhe kompozitorëve të periudhave të ndryshme, e në veçanti gjatë periudhës së barokut. Kompozitori italian Antonio Vivaldi, me porosi të njërës nga shtëpitë më me renome të asaj kohe në Firencë “Teatro della Pergolla”, shkroi operën “Scanderbeg” e cila u realizua gjatë tërë një sezoni koncertal gjatë vitit 1718. Kjo opera u realizua me rastin e hapjes së sezonit koncertal dhe pas një renovimi dy-vjeçar të këtij objekti, siç quhej teatral, nga artdashësit e asaj kohe u prit me një dashamirësi të veçantë.

Nga ato pak shënime të kohës mund të konstatohet se autor i lebretos (tekstit) ishte Antonio Salvi - një shkrimtar i renesancës që i takonte rrymës përparimtare të libretistëve firentinas të asaj kohe dhe për çudi edhe sot shumë pak dihet. Që të mundemi pak ca më për së afërmi të njihemi me historikun e këtyre veprave, është e udhës të jepen ca sqarime në kontekst të kohës kur u krijuan dhe si u krijuan këto vepra operistike që lidhen me personalitetin e Skënderbeut dhe historinë e popullit shqiptar. Për Skënderbeun dinte gati çdokush që sadopak ishte i lexuar. Në pika të shkurtëra sa për t’u rikujtuar do t’i përshkruaj ca momente.

Image

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte bir i familjes së njohur aristokrate shqiptare-Kastriotëve. Gjon Kastrioti (babai i Skënderbeut) në dokumentet e shekullit të XV–të paraqitet si princ në rajonin e Dibrës dhe madje konsiderohej edhe si zot i Krujës. Në atë kohë si të nënshtruarit e perandorisë Osmane, Gjoni i fal tre djemtë e tij sulltan Muratit të I-rë, ndër të cilët Gjergji ishte më i vogli (8-9 vjeç). Aty u rrit e u edukua. Gjergjin në sarajet e quajtën Skender dhe me vonë merr titullin Beg, gjegjësisht - Skenderbeg. Pas një lufte të gjatë të ashtuquajtur “ngadhënjimtare” kundër turqve (1443), të udhëhequr nga Duka i Erdelit, Janjosh Hunjadi, Skënderbeu ik nga Stambolli me një grup shokësh e kthehet në Shqipëri dhe pushton Krujën.  Fillimisht sulltan Murati i II-të e njohu atë si princ atributiv shqiptar, mirëpo së shpejti Skënderbeu organizohet dhe fillon luftërat për çlirim të trojeve tjera shqiptare. Katër herë ai triumfoi mbi ushtritë osmane. Në vitin 1445 në Krujën e rrethuar vërsulet edhe vetë sulltan Murati i II-të, ku edhe pse kishte sjellë një ushtri numerikisht shumë më të madhe (100 mijë) aty vritet edhe vetë sulltani. Pesë vite më vonë, në pjesën e Shqipërisë jugore, në betejën e Beratit, Skënderbeu pëson disfatë dhe përkohësisht largohet për Napoli. Në Napoli behet dukë i ushtrisë së Aragonëve kundër Anxhuinëve. Në luftën e ashpër venediko-turke (1466-1467) Skënderbeu edhe njëherë triumfon dhe përsëri kthehet në Krujën e tij, por së shpejti pas kësaj i rraskapitur nga beteja të shumta, vdes.

Simbol im mbrojtjes së Europës nga invazioni osman

Skënderbeu përveç që mbrojti vendin dhe popullin e vet, ai u bë sinonim i mbrojtjes së qytetërimit evropian dhe simbol i mbrojtjes së çdo gjëje fisnike nga luftërat ekspansioniste e barbare osmane qe po i kërcënohej tërë Europës. Jehona e veprës së Marin Barletit: “Mbi jetën dhe luftërat e Skënderbeut”. Humanisti dhe historiani shkodran Marin Barleti (“Skodrensis”) përndryshe profesor i shquar në Dubrovnik, Breshë e Padovë në vitin 1508-1510 në Rome botoi librin biografik “Mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut” (“De vita et gestis Skanderbegi”). Ky libër është botuar disa herë, ndërsa të gjitha shkrimet e mëvonshme për Skënderbeun mbështeten kryesisht në këtë burim.

Në vitin 1743 Franjo Taus e përktheu në kroatisht dhe po në këtë vit botohet në Zagreb.

Figura e heroit tonë kombëtar - Skënderbeut, bëhet frymëzim për shumë vepra artistike barokiene, por natyrisht edhe më vonë. Më 1585 Baldazare Skaramelli boton librin e soneteve ku ndër të tjerat, janë edhe dy vjersha nga poema heroike e Skënderbeut: ”Due canzoni del poema eroico di Scanderbeg”. Trimërisë dhe heroizmit të tij iu kushtuan edhe Ronsarini, La Martini, E. Spenseri Bajroni e shumë letrarë të tjerë. Libretisti francez Antonione Houdar d’la Motte (anëtar i akademisë franceze) shkruan tekstin “Skanderbeg”, në bazë të së cilit dy kompozitorë të njohur të operas franceze: Francois Rebel dhe Fransua Franker bashkërisht kompozuan operën me të njëjtin emër e cila, (siç shkruan në një shkrim At Vink Malaj), në vitin 1735 në Paris realizohet 35 herë rresht edhe atë me një sukses shumë të madh. At Malaj, një kohe ishte në shërbim të kishës katolike në Kosovë dhe aty kah vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, jep të dhëna se kjo operë është e ruajtur gati në tërësi, si libretoja e partiturat, ashtu edhe ca nga skicat e kostumografisë shqiptare të asaj kohe.

Në vitin 1968 kompozitori shqiptar, Prenk Jakova në tekstin (libreton) e Llazar Siliqit, merr guximin dhe i rreket punës për të shkruar operën kushtuar udhëheqësit ushtarak, diplomatit dhe heroit kombëtar - Skënderbeut. Kjo vepër muzikore – skenike ka dy akte dhe tetë pamje - e ndërtuar mbi tabanin e melosit kombëtar shqiptar dhe me një harmoni të ndërlikuar e të vendosur me mjeshtri të njohjes së orkestracionit e kompaktësisë profesionale e operistike dhe premiera e se ciles ishte ne qershor te ketij viti ne Tirane e qe u realizua edhe ketu ne Shkup me 22.10.te ketij viti. Brendia tematike në Skënderbeun e Xhevat Limanit është kronologji historike nga jeta dhe vepra e kryeheroit tonë. Aty përfshin luftërat heroike të patriotëve të kohës, por nuk lë anash pa i trajtuar edhe tradhëtitë që ai i pati, si nga rradhët e brendshme të ca ushtarakëve të dhënë pas ca interesave vetanake, ashtu edhe nga ca aleatë nga vendet e perëndimit. Porositë janë shumë të fuqishme dhe prekin edhe kohën e politikave aktuale. Një komb, një gjuhë, një shtet – ishte ideja e Skënderbeut, të cilën akoma sot s’e kemi.

Melodrama është vepër muzikore –skenike. Ajo realizohet edhe përmes implementimit të arieve të bukura dhe lidhet në kontekstin përmbajtësor me tekstin dramaturgjik. Ka edhe aspektin e aktrimit skenik dhe jo rrallëherë gërshetimin me vallëzim.

Për këtë më me ëndje do të flas, do ta them se vërtetë ishte një prezantim i denjë i sopranos Era Limani-Hoxha, por jo vetëm kaq. Muzika e kompozitorit Aleksandër Peçi ishte një realizim dedikuar dhe e kompozuar enkas për këtë shfaqje e për këtë eveniment të shekullit, ku me mjeshtri të rrallë ai ndërlidh karakterin e Donikës dhe rolin e saj ku herë-herë kombinohet edhe me reçitativin e Skënderbeut, në një dialog dhe gërshetim të rrallë në praktikën muzikore. Tiranasi A. Peçi është një kompozitor me shumë përvojë, opusi i veprave të të cilit janë më së shumti të realizuara në botën e jashtme.

Era Hoxha vjen herë si erë-furtunë e furishme e herë si një zë engjëllor i stilit të renesancës. Zëri i saj me një diapazon të gjerë dhe rezonancë të fuqishme, të shoqëruar me një orkestrim rrënqethës të punuar nga një mjeshtër i madh i muzikës dhe ku mjeshtërisht vërehen tingujt e melosit shqiptar, herë të rrëmben në eterin e skenës, e herë të ledhaton me melodinë e ëmbël të tingujve të jugut. Ajo, edhe pse e re në moshë, lë përshtypjen e një dive të vërtetë operistike, thuajse është kalitur nëpër shtëpitë operistike botërore.

Narracioni i aktores korçare Merita Çoçoli, e cila jeton e punon në Shkup, ishte i denjë dhe dinjitoz në funksionalitetin që kish. Ajo si një zonjë e rëndë, paraprinte në vazhdën e ngjarjeve e ndodhive epizodike të Skënderbeut. Me një theks e diksion të pastër i jepte vazhdën duke lartësuar gjithmonë intensitetin e shfaqjes. Xhevat Limani, luajti rolin e Gjergj Kastriotit, regjinë të cilën ai vet e ka realizuar bashkë me Mychael Tylo, si dhe rekvizitat e sjellura nga SHBA-të si përkrenarja dhe shpata të cilat ngjasojnë tejet me origjinalet, erdhi në skenën e dramës shqiptare dhe me gjenialitetin që ai posedon; solli emocionet më subtile me të cilat mbushi zemtat, por dhe sytë e spektatorëve me lot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test