Xhemajl Rudi në faqet e revistës Shqiptari

Kultura

Xhemajl Rudi në faqet e revistës Shqiptari

Nga: Baki Ymeri Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 23:30
Xhemajl Rudi

Xhemajl Rudi u lind më 1 Mars 1965 në fshatin Savrovë (Ujmir), komuna e Suharekës (Therandë). Shkollimin fillestar në vendlindje dhe në fshatin Bukosh, të mesmen në Suharekë (Therandë). Një kohë në Prishtinë, në fakultetin Filozofi-Sociologji, pastaj i përjashtuar e burgosur në vitet 1981-1982-1983 e kështu me radhë, i ndjekur, kurse pas vitit 1993 i larguar si pasojë e bastisjeve të regjimit serbo-çetnik. Momentalisht jeton me familje në Zvicër.

Ka filluar të shkruajë poezi, pjese teatrale dhe një roman, që nga klasa e 6-të e fillores. Ka të përkthyera disa poezi në gjuhen gjermane, në një antologji me autorë shqiptarë e zviceran. Prezenmt në librin e përbashket, në dy gjuhë „Vështrim nga dritarja e hapur”, botuar më 2005 (AIKD, Prishtinë). Veprat poetike: „Rrjedhë Autoktone” (Shtëpia Botuese Pjetër Bogdani, Bil-Bienne, 1996, Redaktor Emrush Xhemajli); „Duke Mbledhur Kohën” (Sh.B. DRITËRO, Tiranë 1999, Redaktor Shaban Sinani); „Dheut Pjesën e Vet” (botuesi „Shqip“, Tiranë 2001, Redaktor Shaban Sinani); „Asgjë s`ngjanë në reklama, as hënorja” (Sh. B. Faik Konica, Prishtinë 2008, Redaktor Nazmi Rrahmani); „Fjala e Dhimbjes” (Sh. B. Andena, Prishtinë 2011, Redaktor Prend Buzhala); „Lule dhe Vjeshtë” (Tetovë 2011, Sh. B. Botimet Shqiptare, Editor dhe redaktor: Enver Neziri); „Siluetë e Saj” (Zen, Prishtinë 2012, Redaktore Trina Gojani) „Brigjeve të Hijeve Lirike”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë 2013, Redaktor Abdyl Kadolli); „Për ty Lerta” (Botimet Shqiptare, Tetovë 2013, Redaktor Ahmet Selmani); „Vjeshtë në dritaret e Anës” (Shqip-rumanisht, Bukuresht 2017). Libri i tij në gjuhën rumune të cilën e flisnin edhe rilindësit tanë, Nikolla Naço, Visar Dodani, Asdreni, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci etj. u prit me entuziazëm nga opinioni dhe për të u qëndisën disa recensione të favorshme. Po japim kopertinën e revistës „Shqiptari” kushtuar këtij poeti, si dhe njërën nga 50 poezitë e rikënduara në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet.

VETËTIMAT E VJESHTËS

Bien vetëtimat në mëngjeset vjeshtakë
mbi brymë pikojnë shenjat e gjetheve
duke  mbuluar kopshtin me ngjyrën e vet.
Vetëtimat bien dritareve me mjegull
si në një pikturë me vija të hirta
në formë gërshetash një mugëtirë
e një dite të rëndë duket dhe lumenjtë
zgjohen furishëm me valë e dallgë
nga qielli i kaltërt nga malet e blerta.
Në dritaret e Anës ndihet zymtësi
re të turbullta si erërat e përtokura
në hirin e një zjarri të fikur
një llampë e ndezur si e trembur
rri në murin pranë oxhakut të vakët
dhe tymi i zbehtë valëzohet tej çatisë
duke u verbuar në vetëtimën e vjeshtës.
Në mëngjes vjeshta zbret ngadalë
në dritaret e Anës mendimtare
si një pikturë vijash të harmonishme
duke u shkrirë pranë gërshetës së varur
në gozhdën e llampës ndriçonte silueta
e fitilit të zjarrtë lartësohej tymi i zbehtë
prej qiellit me vetëtimë të trishtë
pikonte vesa e agut të brishtë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat