Letërkëmbimi i dashurisë/ Dritëro Agolli: E dashur Sadije! Mjaft të jem në vetmi e jepem…

Kultura

Letërkëmbimi i dashurisë/ Dritëro Agolli: E dashur Sadije! Mjaft të jem në vetmi e jepem…

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 13:05
Sadija-Dritero

Tani që nuk të kam ty pranë nuk i vë rëndësi asgjëje: rri i parruar, i pahekurosur dhe me duar në xhepa. Kostumi s’ka ç’më duhet, e kam inat dhe nuk do ta qep- Dritëroi”. “Kam jetue një javë të tanë me gëzimin se do të vinja në Tiranë, se do të flenja nji dhomë ku do t’na ndante vetëm nji mur- Sadija”. Historia e letërsisë, njeh disa botime që kanë përmbledhur letrat më të bukura të dashurisë të shkruara nga njerëz të penës për njerëzit e zemrës. Kujtojmë letërkëmbimin 15-vjeçar mes Albert Kamysë me të dashurën Maria Casares, letrat e Vita Sackville-West për Virginia Woolf, Oscar Ëilde për Alred Douglas, Jean-Paul Sartre për Simone de Beauvoir, a Leo Tolstoy për Valeria Arsenev.

Frazat në hyrje të këtij shkrimi janë shkëputur nga libri ende në proces “Dashuri në moshën e Krishtit”- që përmbledh letrat që Dritëro e Sadije Agolli i kanë dërguar njëri-tjetrit në kohët që gjendeshin larg, shkruan “Gazeta Shqiptare”. Për ditët me shi, për trishtimin e mbrëmjeve, për vetminë e muajve të gjatë, për mallin që shtohej nga largësia, për palltot që nuk i blinin, për tonet e ftohta, për xhelozinë që dilte në pah, për jetën e pakuptimtë larg njëri-tjetrit, për netët që nuk shtyheshin, për këshillat e dimrit, për premtimet e së ardhmes, për dashurinë për një grua; letrat janë jeta e dy viteve kur shkrimtari asokohe në moshën e Krishtit, 33 vjeç, i shkruante të dashurës së zemrës. Sot, pesë dekada më vonë, kanë një peshë tjetër. Ai nuk është më, ajo jeton me kujtimet e tij. Shkrimtari u nda nga jeta në shkurt të këtij viti dhe ndërsa afron 1–vjetori i kësaj ikjeje, libri po merr formën përfundimtare. Letrat rrëfejnë mallin dhe ngjarjet e përditshme. Ai, i shkruante në toskërisht, ajo, i përgjigjej në gegërisht. “Unë kam ndjerë se ti më do me tërë mënt”, i thotë diku Dritëroi, duke vënë në dukje diku se një prej letrave iu duk e ftohtë e se megjithëkëtë, ai nuk do që letrat të jenë të shtirura, edhe me kushtin që mund të duken të ftohta.

Ka qenë Elona Agolli, që e ka nxitur këtë botim. Duket se ka ende kërshërinë e fëmijës për të mësuar më tepër për të fshehtat e pashprehura të atit të saj. “Unike si korrespondencë, në vite e kohë që të surprizon”, duke e krahasuar me letrat mes Kamysë e Maria Casares, të botuara prej vajzës së tyre.

Libri, është nën kujdesin e Prof. Shaban Sinanit, i cili po punon me parathënien dhe një studim pasionant për atë që quhet “letërsi pasioni”, zhanër i munguar në historinë e gjatë të letrave shqipe.

“Nuk m’u ndejt pa lexuar pak dhe u kënaqa shumë. Në këtë vend ku jemi, nuk është zakon letërkëmbimi i dashurisë. Prandaj them se do të jetë një model edhe për të ndryshuar këtë perceptim që ekziston (edhe tek unë) për njeriun shqiptar. Unë pashë shumë gjëra të rëndësishme me aq sa shfletova, ka informacion për jetën krijuese të Dritëroit, ka situata etnokulturore, ka gjendje mendimi, ka emocione, ka art fjale, ka finesë ndjenje”, i shkruan ai Elona Agollit, të bijës së Dritëroit. “Nga ky letërkëmbim, m’u zgjua kujtesa për një kohë që e kisha harruar, kishte mbetur në sirtaret e trurit, të fjetura vite dhe vite me radhë”,-ka shënuar në pasthënie Sadija, bashkëshortja e shkrimtarit, duke shtuar “m’u zgjuan vitet e para të njohjes, të dashurisë mes të rinjve në botën e madhe në kohë krejt të ndryshme nga kjo e sotjma”. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të marrë disa prej këtyre letrave, ndërsa Elona premton surpriza të tjera.

E dashur Sadije,

Nuk e di se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në ç’faqjen e ndjenjave të mija? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mendjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dinë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur. Në mesditë të jetës dashuria qenka e çuditshme.

Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat