“Deja e vjeshtës”, përmbledhje poetike nga Delvina Kërluku

Kultura

“Deja e vjeshtës”, përmbledhje poetike nga Delvina Kërluku

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 00:23
Delvina Kërluku promovon librin

Një libër që nxjerr në pah një poete të pjekur, e cila ka me poezinë një marrëdhënie të thellë dhe të përhershme. Kështu është shprehur ambasadori rumun, Viorel Stanila, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e promovimit

“Deja e vjeshtës”, titullohet përmbledhja poetike e autores Delvina Kërluku që është promovuar të martën në Qendrën Informative të Kulturës. Një libër që nxjerr në pah një poete të pjekur, e cila ka me poezinë një marrëdhënie të thellë dhe të përhershme. Kështu e ka vlerësuar ambasadori rumun, Viorel Stanila, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e promovimit.

“Nuk e di si ndihet poetja në volumin e shtatë të poezive, por falë talentit të saj ne kemi një fundvit më të pasur me kuptime dhe përjetime. Në radhë të parë sepse, ky libër, rrezaton një ndjenjë poezie aq të fuqishme, sa të zapton me forcën e saj….. Nga ana tjetër, aftësia e poetes për të shkelur rregullat e gjuhës i përngjan forcës së alkimistit për shndërrimin e lëndëve nga njëra në tjetrën: Ky avull i vjeshtës, kjo mjegull lotësh/Kjo aromë e këndshme e kujtimeve. Për më tepër, kujtimet, së bashku me lotët, me heshtjet dhe me vetminë janë fjalët kyçe të këtij volumi. Në përfundim të leximit, kuptojmë se poetja ka marrë sipër gjithë këto barrë të mosplotësimeve tona shpirtërore dhe i ka sublimuar nëpërmjet artit të saj”, ka thënë Stanila gjatë vështrimit të bërë për këtë libër. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve (SHSHM), Vele Smilevski, duke vlerësuar këtë botim të radhës, ka thënë se talenti dhe intelekti i poetes Kërluku janë në sintezë me njëra-tjetrën.

“Një gjë e tillë të jep të drejtën që të vëmë në spikamë kulturën e saj letrare në sensin kreativ, me një parashenjë moderne. Ajo e zotëron me vetëbesim teknikën poetike, me strukturën e tekstit, me fuqinë e fjalës që duhet të zbutet dhe të  bëhet pjesë e mesazhit, Madje poetja di edhe të luajë, në kuptimin e mirë të fjalës, me arkitektonikën e  tekstit dhe elementet e tij leksikore, me sharmin e një njohësi të letërsisë, gjë e cila e rrëmben vëmendjen e lexuesit”, ka thënë Smilevski. Disa prej poezive të përzgjedhura nga ky libër, u recituan nga aktori Adem Karaga, performacë kjo që shoqërohej me piano nga Ariana Kuriu – Grubi.

Autorja Kërluku në këtë ceremoni ka falënderuar të gjithë ata që mundësuan promovimin e librit dhe botimin e tij, duke thënë ndër të tjera se mbështetja që jepet për talentet e reja është një mundësi më shumë për të spikatur vlerat, por edhe për të nxitur kreativitetin dhe stimuluar krijimtarinë letrare. “Deja e vjeshtës”, një libër i botuar edhe në gjuhën maqedonase, është botimi i shtatë me radhë nga autorja, pas përmbledhjeve të tjera poetike, si : Muza, Altar,  Gjurmë,  Varg vese, Fjordet e vetmisë, si edhe libri në prozë: Pasthënie e ditëve tona. Ajo është nderuar me çmimin special në Festivalin Netët Korçare të poezisë, çmimin “Vepra letrare”, në festivalin e Prizrenit. Po ashtu është fituesja e parë e çmimit “Ura letrare” të SHSHM, si edhe çmimin për poezi më të mirë në festivalin ndërkombëtar “Valët Letrare Strugane”. / Evis Halili/ Koha.mk

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat