“Figura e korbit në letërsi”

Kultura

“Figura e korbit në letërsi”

Nga: Fatbardha Statovci Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 19:09

Morfema ‘korb’ që duket të ketë derivuar nga latinishtja e vjetër ‘corvus’ (edhe emri i vjetër
skocez për korbin ishte ‘corbie’), shënjon një zog me trup të madh, me pendë të zeza, me krahë të gjerë, që e bën folenë nëpër drurë, zakonisht në vende të vetmuara dhe ushqehet me kërma. Në mesin e dhjetëmijë zogjve, sa mendohet se ekzistojnë, është korbi ai që gëzon dominancën me më së shumti konotime të veshura (edhe albatrosi e trumcaku, deri diku, por jo barasvlershëm me korbin). Miti mbi korbin është i vjetër sa edhe vetë njeriu. Kur flitet për gjenezën e këtij miti, duhet pasur parasysh praninë e tij, së pari, në Bibël e Kuran. Në Bibël zogu i parë që përmendet është korbi, mirëpo, brenda saj, figura e tij pëson shndërrime sa i përket sinjifikativës së tij. Kështu, në rastin e Noas ai merr anën e ndihmësit, së këtejmi ka konotim pozitiv (Noa lëshon korbin të hetojë gjendjen e ujërave përmbysëse – miti se korbi sheh larg më mirë sesa njeriu), por jo edhe në rastin me Moisiun, sepse sipas ligjit të tij ndalohet rreptësisht ngrënia e korbit. Në një tjetër vend Zoti urdhëron korbat që ta ushqejnë profetin Elijah, e në një tjetër korbi definohet si njëfarë ligj-ekzektuesi kur thuhet se ai do t’ia nxjerrë sytë atij që e përqesh babain, ose është i padëgjueshëm ndaj nënës. Ndërkaq, në Kuran, gjejmë një histori interesante në lidhje me korbin, e cila, këtë krijesë, e nxjerrë, në njëfarë forme, si bashkëpjesmarrës në aktin e ‘krimit’. Kur Kaini vret Abelin dhe nuk di çfarë të bëj me kufomën e vëllait të vet, e sillet rrotull duke u munduar ta fshehë atë, Allahu i dërgon atij dy korba, që nga një përleshje që zhvillojnë mbijeton veç njëri. Korbi i gjallë përdor sqepin e tij, gërryen dheun, bën një vrimë në tokë, gropos kufomën dhe kjo shënjon historinë e parë të varrosjes së njeriut. Pastaj, në mitologjinë greke korbi ka lidhje direkte me Apollon, zotin e profecisë. Sipas këtij miti, Apollo dërgon një korb, i cili, asokohe, ishte i bardhë, për të përgjuar të dashurin e vet Koronisin. Kur korbi kthehet me lajmin se ky i fundit e kishte tradhëtuar, Apollo djeg korbin duke e bërë shkrumb të zi – prej ku gjeneron simboli i ngjyrës së zezë të korbit. Në mitologjinë greke korbi, gjithashtu, shihet si simbol i fatit të keq, si i dërguar i Zotit në botën vdekatare, si një zog i vdekjes. Te indigjenët e Amerikës Veriperëndimore korbi paraqet figurën e një mashtruesi (trickster), për shkak të atributeve të tij shndërruese. Antropologu i njohur Klod Levi-Stross, në librin e tij ‘Antropologjia strukturale’, në kapitullin XI, me titull ‘Studimi struktural i mitit’, flet për shumëllojshmërinë e versioneve të një miti, rreth veçorisë së ndryshueshmërisë së tij nga zona në zonë, duke rrokë idenë se këto variacione mitesh duhet studiuar tok së bashku (cit. ‘If a myth is made up of all its variants, structural analysis should take all of them into account’), sepse, edhe pse ndryshojnë në detaje, struktura e thellë e tyre është e njëjtë. Ndër tjerash, ai lidhet edhe me mitologjinë amerikane, respektivisht figurën e korbit, duke e cilësuar si një figurë problematike (cit. ‘The trickster of American mythology has remaind so far a problematic figure’). Stross e sheh mitin si rezultat vlerash antitetike, siç është çështja jetë-vdekje që njerëzit, duke qenë se s’kanë provuar gjë në lidhje me këtë problem, mundohen t’i japin sens përmes shpjegimeve mitike. Kështu, ky relacion antitetik, përkon me tjetrin relacion të tillë, që është bujqësia dhe gjuetia dhe ky i fundit me tjetrin relacion, barngrënësit dhe mishngrënësit, me një të tretë në mes, një ndërmjetësues, që është korbi ose kojota. Ai formulon skemën në këtë formë: ‘kafshët kërmëngrënëse (korbi, pra) janë sikur bishat për prenë (ata hanë mishin e kafshëve), por janë gjithashtu si prodhuesit e ushqimit bimor (nuk vrajnë atë që hanë). Korbat janë për kopshtin, siç janë bishat e gjahut për kafshët barngrënëse’. Pra, sikur që në relacionin dihotomik qiell-tokë qëndron në mes një mjegull, errësirë a diç e tillë, edhe korbi qëndron, me një status të ndërmjemë, midis jetës dhe vdekjes.

Figurën e korbit e shohim të lidhur jashtë mase me bestytnitë a profecitë e ndryshme. Mjafton të përmendim këtu profecinë që lidhet me kullën e Londrës (London Tower), sipas së cilës nëse korbat e vendosur majë saj ikin, atëherë Britania do të rrëzohet e shkatërrohet. Një rast specifik që shpie tek ideja e raportit të figurës së korbit me funksion pragmatik (siç e pamë te Apollo e Noa), është ai i mitologjisë norvegjeze, ku dy korbat, Huginni dhe Muninni, fluturojnë nëpër gjithë botën për t’i sjellë informata zotit Odin.

Edhe në mitologjinë shqiptare korbi zë një vend relativisht të veçantë. Sintagmat e tipit ‘Mos krrokat si korb’, ‘I shkoftë jeta korb e zezë’, ‘Të pafsha korb’, ‘Korbi korbit s’ia nxjerr sytë’, etj., i hasim qoftë në kulturën orale, qoftë në atë të shkruar. Madje, në vise të caktuara, besohet se po të dëgjosh krrokatjen e korbit do të përballesh me vdekjen e dikujt të afërt. Rrjedhimisht, korbi këtu simbolizon vdekjen, të keqen, negativen, zinë. Në këngët folklorike, të shumtën e rasteve, lidhet me vdekjen, varrin, kobin. Kujtojmë vargjet e këngës së tetëmbëdhjetë, të ‘Lahutës së Malcis’(që, faktikisht, janë vargje të vjela nga këngët folklorike shqiptare) kur Mican Leka plagoset për vdekje në mejdan dhe u lë amanet shokëve t’ia çojnë armët në shtëpinë e tij:

‘Ne pëvetët nana për mue,

Thoni: djali t’asht martue!

Ne pëvetët se ç’nuse muer:

Muer nji plume në krahnuer!

Ne u pëvetët se ç’darsmorë pat:

Pat tre korba ndejë për ngiat!’

Edhe në letërsinë tonë për fëmijë, korbi del si antipod i së mirës, personifikim i së keqes, ziliqarit:

‘Prej zilie, pendë nxirë,

Korbat mbledhur me krrokamë,

Për bilbilin zërin mjaltë,

Thanë e thanë e ç’nuk thanë.’

Këtu mund të tërhiqet një diagonale e drejtpërdrejtë me poezinë e Martin Camajt, i cili vë në korrelacion korbin dhe pëllumbin, në poezinë ‘Një ditë e ka dhe korbi’ – figurën e korbit te Camaj e shohim edhe në poezinë ‘Dy korba’, e edhe në dy-tri poezi tjera. Edhe te Camaj kemi korbin ‘xheloz’, por jo si në poezinë paraprake, ku xhelozia shprehet haptazi dhe është e një natyre dashakeqe. Këtu korbi shfaqet kokëulur, i përunjur, lakmitar për bardhësinë e vallen e pëllumbave. S’e kemi figurën e një korbi mendjemadh, çka është e shpeshta e karakteristikave të tij – do ta shohim këtë portretim te ‘Korbi’ i E. A. Poe-s – por, të një korbi që nuk dëshiron të jetë soj i tillë, një korbi që e ndien veten pëllumb në shpirt, ide me të cilën Camaj bën njëfarë ‘hyperbaton-i’ të madh kuptimor:

‘Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa,

e ndieu veten korbi pllumb në shpirt.’

Kur jemi te ky tip ndasie e paknaqësie të një soji për sojin e vet, kujtojmë prozën poetike të Migjenit ‘Kanga e trumcakut’, në të cilën, përmes një alegorie, ku trumcaku ka zili bilbilin, goditet vesi i zilisë që gjendet në brumin e sojit njerëzor:

‘I lodhun dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat qëndron mbi degë. Me urrejtje shikonte natyrën që s’e krijoi ma artistikisht. Me përbuzje vërente bylbylin....

‘Pse asht trumcak, vetëm pse asht trumcak, nuk mund ta thotë kangën e bylbylit.’

Por, trumcaku i Migjenit, kundrejt korbit të Camajt, në fund, del njëfarë triumfatori dhe pranon natyrën e vet:

‘Dhe aty ia nisi: ciu-ciu e ciu-ciu, ciu-ciu...’

Në funksion të portretimit të zisë e ndjellakeqësisë, korbin e funksionalizojnë në letërsinë e tyre edhe Shekspiri, Kadare e Shkreli.

Në tragjedinë ‘Makbethi’, korbi paralajmëron ‘hyrjen fatale’ të mbretit Dunkan në shtëpinë e Makbethëve. Pra, korbi merr ngjyresa simbolike të lajmëtarit ndjellakeq, simbolizon vdekjen:

‘Dhe korbi vet’ u ngjirr që krakavit

Hyrjen fatale nën strehën time

Të Mbretit Dunkan.’

Në të njëjtin funksion, pra të lajmëtarit të zisë, figurën e korbit e inkorporon në poezinë e vet edhe Kadare, në poezinë ‘Terrori në Kosovë’, ku, për të sjellë atmosferën tipike të viteve ’81 në Kosovë, përdor figurën e korbit, duke maskuar nën velin e tij famëkeq njerëz që qenë dëmsjellës për vendin, që të transkriptojë në poezi realitetin e atëbotshëm:

‘E hidhur vjeshtë e këtij viti

Kosovën e gjeti nën terror.

Korba të zez mbi të ia mbërritën

Hetues, gjykatës, prokurorë.

Edhe Shkreli, me një atmosferë zie e tmerri, në poezinë ‘Udha e korbave’, përdor figurën e korbit për të konkretizuar idenë e rrugës së pushtuesit që qëllim ka pushtimin. Kjo ide lidhet me mallkimin e plakut – që poashtu kthehet në figurë – duke vënë në pah ngarkesën e esencës së zisë që presupozon korbi, duke qëlluar në shenjë me mallkimin, si komponent i rëndësishëm – bashkë me urimin e benë – në kulturën shqiptare:

‘Më i moçmi piu të zitë e vet nga llulla e foli

Udhë e verbër korbash mos paç ngjyrë tjetër

Atë ditë e sot tymon diku ai mallkim i plakut

As fjala s’iu err as nuk iu korb mendimi.’

Një kthesë interesante e bën Osman Gashi me poezinë ‘Zogu i zi’, që vjen e treta në rendin e një triade:

Zogjtë/ 1. Bilbili 2. Lejleku i balsamosur 3. Zogu i zi

Këtu fjala ‘korb’ nuk përmendet fare, por nënkuptohet. Ideja thelbësore është shpërfaqja e zisë dhe kjo arrihet përmes aliteracionit (përsëritja e shkronjës ‘z’):

‘Pendët i ka të zeza

Sytë katran të zinj

Kur lëshon zë

Diçka e zezë del nga gojë e

Zogut të zi.’

Korbi i Gashit është i mençur e dinak (kujtojmë se kultura të caktuara në Evropë e shohin korbin si simbol i krijesës së mençur), i zi sterrë dhe, si i tillë, simbolizon të errtën dhe misterin:

‘Kot merrni mundin ta vini në lak

Ai s’mund të kapet më sa nata

Ai është nata vetë.’

Një prej paraqitjeve më të veçanta, në mos më të veçantën, të figurës së korbit e bën shkrimtari amerikan Edgar Allan Poe. Në poemën e tij me titull ‘Korbi’, përplasen një sërë kodesh e temash, natyrash e idesh, hipotezash e arsyesh, duke e bërë poemën një hapësirë të gjerë, ku lexuesi bashkëjeton me të, i falë ide e teza, frymëzohet nga ajo, shkruan mbi të e shkruan i nxitur nga ajo. Të gjitha elementet përbërëse të poemës si: ngjyrat kuq e zi, trallisja, fëshfërima e perdeve, frika, melankolia, nemitja, shpirtrat, dija e harruar, muaji dhjetor, qetësia, vetmia, trokitja, dritarja me grila, busti i Pallades, rrahjet e zemrës që shkojnë baras me trokitjet në dritare, çojnë në një atmosferë e çuditshme, jonormale, për ta dhënë vulën me figurën e korbit që, sikur një perandor i madh, qëndron krenarisht mbi tërë këto elemente. Korbi i Poe-s është mendjemadh (‘e fare s’më përshëndeti; askund s’u ndal, askund nuk ndejti’), vjen nga ‘brigjet e territ’(që lidhet me idenë e korbit si lajmëtar a dërgues i Zotit, siç e pamë më lart – ‘ç’lajm m’ka pru prej asaj kohe ky korb kobzi, mendojsha pa pra’), rri ‘si zotni’ mbi bustin e Pallades (Poe zgjedh që korbi të rri mbi bustin e Pallades, që ishte perëndeshë e mençurisë në mitologjinë greke, duke vënë në jetë konceptin e zgjuarsisë së korbit). I zi, i ngathtë, i kobshëm, thatanik, oëgurzi, i keq, dreq, janë disa nga epitetet me të cilat stilizohet njëfarë urrejtje, njëfarë tentimi për demaskim të asaj çfarë shënjon korbi, por të cilat, në këtë poemë, vihen në funksion të plotësimit të atij mozaiku madhështor (i cili përmbushet me hijen, ‘hijen hata’, nën të cilën bie, përjetë, shpirti i narratorit) që krijohet në mendjen e lexuesit për figurën e korbit. Sepse, këtu, filozofia është e thellë. Negativiteti i figurës së tij imponohet, gati natyrshëm, duke bindur lexuesin për superioritetin e tij, fuqinë e madhështinë. Është e çudtishme kjo!

Këtë poemë të famshme ta kujton edhe kënga, poashtu e famshme, e Bob Dilanit ‘Love minus zero/No limit’, që i kushtohet gruas së tij, Sara Lowndes-it, në të cilën kjo shfaqet si një krijesë fragjile (‘dashnia jem qesh sikur lulet’), e butë (‘dashnia jem flet butë’) për të përfunduar portretin e saj me fjalinë: ‘dashnia jem asht sikur nji korb me krah të thyem, në dritaren tem.’

Të tillë përkujtim të poemës të fal edhe poezia e Ag Apollonit ‘Nevermore’, në të cilën kemi të dhënë krrokamën e përkthyer në fjalë, ‘NEVERMORE’, të korbit të Poe-s, si titull dhe ndërtimin ‘kurr ma’, të vënë si moto në fundtekstin e poezië, që, sikur në rastin e këngës së Dilanit, poema e Poe-s shërben si impuls apo nxitje për të shkruar. Inkorporimi i ‘kurr ma-së’ së korbit të Poe-s, puqet qind për qind me idenë e poezisë, që është një lamtumirë vendimtare, e pakthim:

‘Për herë të parë trupat tanë

U nisën në anë të kundërta

Për mos me u taku kurr ma.’

Poezi të frymëzuara nga korbi i Poe-s kanë shkruar edhe autorë të tjerë, si: Marieta Maglas ose Corey Threet, etj., sikundërqë edhe figura e korbit prek sa e sa autorë tjerë. Sikur potencoi Barti: ‘çdo tekst është një thurje e re citimesh të kaluara’, apo siç pohoi Natalie Gros, tek ‘Poetika e intertekstualitetit’: ‘letërsia ripërtrihet nga rimarrja e së njëjtës lëndë’, dhe se ‘asnjë tekst nuk mund të shkruhet pavarësisht asaj çka ka qenë shkruar tashmë dhe ai mbart, në një mënyrë pak a shumë të dukshme, gjurmën dhe kujtesën e një trashëgimie dhe të traditës’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat