Imagjinata e bujshme e një poeti nga Kosova

Kultura

Imagjinata e bujshme e një poeti nga Kosova

Nga: Lucian Gruia Më: 15 janar 2018 Në ora: 23:46
Kopertina e librit

Para nesh kemi spektër poezish meditative të një hijeshie të jashtëzakonshme. Poet i një ndjeshmërie të rrallë, Ramiz Kuqi krijon në gjendje ëndërrimi dhe komponon përfytyrime ku yjet përzjehen me fjalët, duke rezultuar një art poetik me një substancë romantike. Kur bota dremit, sipas tij, poetët shndërrohen në zogj qielli dhe fluturojnë mbi qëpallat e vashave të bukura dhe grave epshndjellëse, duke u bërë lot shiu në bebëzat e mallit. Krahas dashurisë, ëndrrat shqiptare reflektohen pothuajse në çdo faqe të librit të tij: „Stinët/ Janë puthur mbrëmë/ Krushqi kanë lidhur/ Era i bart shekujve/ Ëndrrat e mia të shkelura/ Si me këmbë/ Diell/ Me gjymtyrë të kërrusur/ Mërdhirë stinësh/ Palosur/ Në arkën e Pandorës (Metaforë dhembjesh).

Në poezinë e dashurisë, krahët e femrës janë të freskëta si valët e detit, kurse malli shumëfishohet dhe fuqizohet paralelisht me kalimin e stinëve. Ashtu siç thekson filozofi Gaston Bachelard, feminiteti karakterizohet fort mirë përmes elementeve të lëvarashta: freski apo nxehtësi, përqafime, përfshirje, butësi dhe përkundje. Këto elemente primordiale i shfrytëzon edhe poeti Ramiz Kuqi, duke e krahasuar femrën me shungullimat dhe freskinë e detit të përbujshëm. Poetin e kaplon nostalgjia me kalimin e kohës, duke medituar në konditën efemere të qenies sonë: „Mbrëmë/ Mes faqeve të librave të kam kërkuar/ Porsi era kur vjen me shi/ Jam ulur mbi fjalë/ Mall stinësh trazuar/ Gjumi degdisur rrugëve të harrimit”.  Dhe më tej: ”Lundër përplasur në mesnatë/ Mbi liqen puhizë e lehtë/ Dallgë ëndrrat/ Det/ Atje rri strukur/ Dhembja e natës/ Mbrëmë../ Edhe hëna mbeti pa gojë/ Era frynte me tërbim” (Natë pa gjumë).

Image

Tema e kalimit të kohës e kaplon poetin në dhe të huaj. Porsi në tabllotë e një ekspozite, të kompozitorit Vivaldi, stinët e jetës bëhen sinonime me ato të natyrës. Metrika dhe ritmi i vargjeve të Ramiz Kuqit, fërgëllimë e ashpër kur këndon pranvera e rinisë, zbuten ngadalë në verën e maturisë, bëhen ujëvara epike në vjeshtën e pjekurisë. Dimri është ende larg, por ai mund të homologohet me ekzilin e poetit në brigjet nordike/veriore të kontinentit. Por, poeti nuk është vetëm një i dashuruar i përjetshëm, por ai është një qenie e brishtë që di t’i përjetojë të gjitha vuajtjet e botës, duke u bërë ushtari i lirisë së popujve. Në këtë kontekst, Ramiz Kuqit i loton shpirti dhe i digjet zemra për mundimet e atdheut të tij derisa e përfitoi pavarësinë.

Zëri i heshtjes së tij është kushtrimi biblik i Kosovës martire, ndërsa patriotizmi i tij është një karaktaristikë kryengritëse/stërgjyshore e popullit shqiptar,  një popull trim që e ka fisnikëruar edhe personalitetin e poetit tonë: ”Jemi ne racë ilire/ Pa kulm mbi kokë/ Me një flamur të përdhosur të Dardanisë/ Derdhur rrugëve të Ballkanit/ Kafshuar me dhëmbë qeni kafshërisht/ Një ditë ngritje/ Rënie në buzë/ Shtegtarë/ Lejlekë pa kasollë/ Ndarë përçarë pikë e pesëqind/ Njëqind vjet luftë për fron uni im shqiptar” (Metaforë e dhembjes). Një temë tjetër të librit e përbën kondita e trishtme e mërgimtarit, i dëtyruar të përshtatet në një vend të ri, ku, fillimisht gjiteçka duket e panjohur. Tash e vërshojnë kujtimet dhe malli ndaj vendlindjes dhe prindërve që i kanë ikur nga kjo botë: ”Mall kurbetçarësh/ Zier / Me ëndrra Atdheu/ Vitet ëndrrat/ Dielli i vendlidjes/ Ishte varur/ Si pjergullë rrushi/ Mbi sytë e tyre/ Nga Kelni/ Mall kurbetçarësh” (Nga Kelni).

Ka edhe shumë subjekte/motive/tema tjera interesante dhe joshëse, për të cilat do të shkruhet pas botimit të librit ”Heshtje biblike”. Arti nuk ka nevojë për shumë e për lumë, por për pak e për merak. Kësaj here, në kuadrin e kësaj parathënieje të shkurtër mund të konkluzionojmë se Ramiz Kuqi është një poet subtil që di të krijojë përfytyrime të freskëta dhe emocionuese. Vargjet kanë një sonoritet dhe muzikalitet të veçantë. Talenti mugullon në çdo varg, njësoj sikur yjet kur i shndrrisin netët në poezinë e tij të dashurisë. Metaforat, të një transparence shqetësimesh, siç janë ”Lotët e shiut”, ”poetët zogj në horizont”, i shpiejnë mendimet e potit deri në largësi, në zemrën e lexuesve.Atje ato e bëjnë jetën e përjetshme.

Ramiz Kuqi është një poet akuatik, por para së gjithash ai është poeti i stinëve, i mallit, i dhembjes, i ndjeshmërisë dhe i dashurisë. Poezia e tij zhvillohet në brigjet e detit, ndërsa fjalët janë të shpërlara nga ujërat e shiut dhe nga lotët e nostalgjisë për vendlindjen e tij në Kosovë. Përpëlitja e valëve të detit shëmbëllen me buçitjen e ndjenjave në krahërorin e poetit. Universi i poetit reflekton një metaforë dhembjesh që përfshihet në trojet e një loti: ”Bredhim pa fanarë/ E shpirti qan/ As puthje as mall/ Çmendur janë stinët e shekujve/ Rënduar mbi supe/ Jemi ne/ Bijtë e shqipeve/ Harruar/ Edhe nga Zoti” (Metaforë e dhembjes).

Titulli i vëllimit, ”Heshtje biblike”, na shpie me mendimin te shqetësimet e popullit shqiptar që nuk mund të shprehen në fjalë, të mëdha e të thella, si përpara krijimit të botës nga logosi divin/hyjnor. Poezitë e Ramiz Kuqit janë njëherit edhe do arte poetike, poeti ka nënvizuar në vargje gjithmonë se bota e tij imagjinare lind nga fjalët e frymëzuara që i shpreh ai me fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat