Ushtari i Dardanisë në trojet e Rumanisë

Kultura

Ushtari i Dardanisë në trojet e Rumanisë

Nga: Monica Mure?an (Bukuresht) Më: 16 janar 2018 Në ora: 13:15
Kopertina e librit

Në vëllimin poetik „Drita e Dardanisë”, Baki Ymeri ka atë pamje krijuese, fenomenologjike që i ushtron intuitat përmes përshkrimit të mahnitjes së ndritur e të përditshme, duke qenë i mahnitur nga gjithçka, ngase ai e sheh fort mirë edhe detajin, për së afërmi, por edhe në distancë, si dhe në ansamblin e saj. Ai shkruan duke e mbajtur ritmin e melosit të brendshëm, ekzakt siç e intrepreton pas veshit muzikanti i dhuruar me një talent gjenial një kafshatë të muzikës klasike, apo siç e mban nga instinkti penelin ai që është i pajisur me dhuntinë e pikturës. Mahnitja e udhëzon përmes përvojës personale të jetës, ndërsa këndi i trajtimit të maturitetit mban llogari ndaj fëmijës në vetvete, zërin e së cilës nuk e gulçon, dhe mu për këtë rigjenden në tekstet e tij tonalitete të ndryshme, subjekte dhe tema të kundruara nga kjo prizmë, baza dhe paralelet e barabarta të të cilit janë këto dy identitete apo mosha bazë e autorit: fëmija dhe njeriu i rritur.

Në njërën anë, zemërdlirësia më optimiste, në anën tjetër optimisti më i dashuruar. Ndërmjet dashurisë puro, të pafajshme të qenjes së brishtë dhe delikate, dhe asaj pasionale të burrit të përsosur, ekziston një raport i çuditshëm egaliteti nëpërmjet aspiratash që evoluojnë paralelisht. I pari do t’i rindjejë impresionet e bukurisë së botës me epshin e eksplorimit përballë zbulimit të së parës, primare – ja pra efektet e kënaqësisë në pjesën e parë të poezisë „Perla e kënaqësisë”: „Thuase je një ëmbëlsirë/ Pëshpëritjesh të etshme/ Ti e ndez zjarrin e shenjtë”. Në anën tjetër, sekondarja, do të metabolizojë senzacione, dëshira dhe përgjërime në laboratorin intim, duke i zbuluar dhe duke u rizbuluar, duke i eksperimentuar sipas përmasave në të cilën do ta ndjejë dashurinë, sërish e përsëri, siç po del nga pjesa e dytë e të njëjtës poezi: „Dhe vjen të më tregosh/ Perlën e kënaqësisë/ Që të shkëlqen në gji/ Nga netët e plakura/ Shpërthen/ Përsëri rinia”.

Kjo ndjeshmëri lirike do të ndikojë që të joshet nga ide dhe forma, por duke i osciluar ndërmjet planit real dhe ireal, duke hezituar pa zgjedhur, porsi në „Lojëra fjalësh”: „Do të më kërkosh/ Dhe do të të kërkoj/.../ Dallimi mes meje e teje/ Është dallimi mes/ Kuptimit të dashurisë/ Dhe ndjenjës së ndjeshme/ Të kërkimkuptimit”. Ajo që është përsëri interesante, është se poeti i dashurisë jo vetëm që e sheh, por edhe e dëgjon botën. Rezultati është një suitë personifikimesh dhe hipostazërimesh. Duke e dëgjuar botën, jehona kaplon konture në veten e tij poetike përmes metamorfizimit të atyre zërave të padëgjuar në mënyrë normale: „Kush është ky engjëll/ Që rri duke pritur në dritare/.../ E pyeta hënën/ Dhe ajo m’u përgjigj:/ Më mirë është mos ta dish!” (Fryt i ndaluar).

Kjo pjesë është një determinativ tjetër i poezisë së tij, qoftë se është fjala për Ilirinë, për fondin e përbashkët të fjalëve rumuno-shqiptare, qoftë për hymnizimin e vendlindjes apo të një vashe të bukur – kombi dhe dashuria duke qenë tema të shenjta mbi ikonostasin e tij poetik. Madje edhe pasioni nuk është aq ekzatik, apo kontemplativ, sa që është aktiv, dinamik, optimist, konstruktiv, dhe ja se si po kthehemi sërish te nocioni i gjendjes krijuese gjinore. Baki Ymeri nuk është një pasardhës i Don Kishotit, por një tip i aftë që din t’i privatizojë mullinjtë e erës. Dhe në të vërtetë, poeti është natyral dhe i ndershëm, madje edhe në atë gjendje parafilozofike për filozofim. Është jo vetëm nyanca që bën diferencën ndërmjet qenies në evoluim dhe atë që posedon „organin për filozofi”, por edhe vetë diferencën ndërmjet një poeti-filozof dhe një shqiptari të aftë për filozofim. Një poezi e këtillë vjen duke përfituar për këmbim një pronësi – livreskun, nytyroren, detajin human të përgjithshëm – të cilat i anashkalojnë poetët modernë, duke menduar se simbolizmin apo lirizmin nuk e intereson askush: „O Zot/ Çfarë burrash ajnë ata/ Që gjejnë përkëdhelje më të shenjtë/ Në vorbullën e gotës/ Se sa mes buzëve të femrës?” (Psihi Mu)

Brishtësia e femrës dhe dielli i fjalëve të tij e shtojnë etjen për jetë.

Portreti i poetit bashkëkohor është efektuar nga tusha të trasuara me qëndrueshmëri dhe forcë, shëmbëlltyra duke përjetuar  një interpretim gjeometrizant traseshë që kryqëzohen, duke shkëputur fragmente harmonike mbi vetë evolucionin e disa tipareve të reja, tashmë të aplikuara nga „trende” apo modalitete të modës. Por, konform këtyre, rryma letrare ka rrëshqitur në modë, ndërsa moda letarre e një bote të re letrare ka evoluar drejt një gjendjeje post-mondeniteti që përjashton autonominë, siç veprojnë edhe poetët klasikë, duke krijuar perla poetike që kanë mesazhin e tyre. Duke bërë një parantezë me qëllim të pastër demonstrativ, ftoj lexuesin ta lexojë Diskursin mikst të poetit Augustin Doinash, i cili i referohet Goethes dhe problemit filozofik, meditimit filozofik që fillon me mahnitjen ndaj gjërave të Natyrës, qoftë madje kur kjo mahnitje përbën dhuntinë e njerëzve të pajisur me sensibilitetin ekzistencial apo me vokacionin e peroblematizimit filozofik: „të mos kesh organ për filozofi në kuptimin e plotë të fjalës, don të thotë të përshkruash një zonë të çiltërt dhe rigoroze të shpirtit, për të medituar mbi to, duke e kristalizuar në shprehje adekuate natyrën e tyre.”

Teksti i cituar do të na ndihmojë për të shpaluar modalitetin dhe pronësinë e frymëzimeve lirike të Dritës së Dardaniës, por edhe të poetëve tjerë që përfaqësojnë manifestimin konkret, material, të korentit/momentit që e kam pagëzuar Kosova letrare, një rrymë që është gjithnjë e më aktive dhe prezente në vëmendje të lexuesit rumunë falë zëdhënist të fjalës, poetit dhe përkthyesit me përkatësi të dyfishtë (rumuno-shqiptare). I dashuruar dhe duke evoluar në dy gjuhë, Baki Ymeri është pëllumbi i fjalëve të bukura, një mërgimtar që e dashuron vendlindjen, por pa e harruar edhe Kështjellën e Bukurisë, Bukureshti sipas tij duke qenë kryeqendra botërore e frymëzimit, ëndërrimtari që s’e harron prejardhjen, shqiptari që deshifron ngjashmëritë e gjuhës amtare me gjuhën atërore, duke kundruar me nostalgji nga vendlindja e tij, mënjanë, dhe nga Atdheu i Poezisë në anën tjetër. Nga kjo dashuri e madhe dhe e dyfishtë, siç ka qenë edhe ajo e pararendësve të tij, ai nuk lodhet për të na prurë trashëgimi dhe nyanca, ngjashmëri dhe diferenca, detaje dhe esenca që i përzjen në një mënyrë origjinale me besnikërinë e besimit të tij poetik. Përndryshe, nuk është i vetmi që është stabilizuar me trup e shpirt, qysh para disa dekadave në Rumani, duke e lënë një pjesë të zemrës në brigjet e vendlindjes. Por është ndër të paktët që ka gjak të përzjerë në kuptimin më fisnik që buron nga një dashuri e dyfishtë

Image

 

I dashuruar ndaj botës porsi rrezet e para të diellit që e përqafojnë me dashuri gjithkend dhe çdo gjë, ai do të inspektojë me kujdes gjithçka që e ka gëzuar, duke e mbushur trajstën e tij prej mesazheri me të gjitha vlerat e çmuara. Jo pse s’është përtac, por pse ka një gjysmë faqe të dheut ku duhet të arrijë. Ai gjendet herë në njërën hemisferë, herë në tjetrën, herë në njërën gjuhë amtare, herë në tejtrën, që e ka ftuar dhe përvetësuar, pa e adaptuar. Herë cerebral, herë senzitiv, intuitiv në funksion të qarkullimit cerebral nga ana e majtë apo e djathta, herë ëndërrimtar, herë ushtar, Baki Ymeri është ushtari i Dardanisë në trojet e Rumanisë. Ajo që është speciale për këtë poet të vendosur  prej disa vitesh tejmatanë kategorisë në një gjeneratë, në një gjini kreative apo në tjetrën, është fakti se ndërmjet tij dhe botës nuk ekzistojnë tensione, por jehona harmonike. Si inspektor i Universit, ka vendosur të përkthejë vlerat shqipe duke botuar rezultatin e atyre që gjenden në disa libra. Shkruan për dritën shqiptare të Bukureshtit dhe është një erashkë suitash dhe motivesh tematike, duke patur si dëshmi dhuntinë e pakushtëzuar të vetvetes, njësoj siç drita përhapet gjithandej dhe për të gjithë. Me siguri se të ndriturit i bën më të ndritshëm, të tjerët më pak, por duke u dhuruar shansa të barabarta afirmimi për të gjithë, duke e përjetuar dhe shpërndarë përgëzimin e dritës.

Në një jetë paraprake, ndoshta mund të ketë qenë ndonjë misionar i fjalëve të bukura apo një pëllumb i paqes që sado larg arrinte, e gjente rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Ky zog delikat dhe rezistent në të njëjtën kohë, ka patur dhe vazhdon të ketë gjithmonë një rol pozitiv përmes vetë simbolit që e gërsheton: „Qe dymijë vjet se po vrapoj/ Pas teje/ Porsi një mesazher i flatërzuar// Që nga Durrësi e deri në Odesë:/ Rumunë, shqiptarë e arumunë/ Më ftonin në qëndresë/.../ Porsi një mesazher i flatërzuar/ drejt Kështjellës së Bukurisë vrapoj/ Të të gjej.” (Kaltrina). Tema është potencuar ndër të tjera në „Fjalor i përbashkët”: „Gëzimi në buzë/ Një vatër, një mëz dhe një vjedhull/ Një murg mbi një gjemb/.../ Këto janë fjalë a apo flatra/ Që në shqipen dhe rumanishten/ Shpërthejnë nga prafullimat e yjeve”, dhe poashtu edhe te „Vllahinka”: „Je si zogu i vjedhur/ Nga erërat përmbi dhe/ Je flatra që në qiej/ Lë pas saj një varg/ Nga poemi që flatron”. Një frymëzim i brishtë që vjen nga një „Botë e degdisur”, ku gjendet drita të cilën mund ta prekish me shpirtin. (Lumina Dardaniei/ Drita e Dardanisë, Editura Muzeul Literaturii Române, Bucuresht – 2004)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat