Darka më e pasur e jetës sime...

Kultura

Darka më e pasur e jetës sime...

Nga: Kristina Demiri Dojçe Më: 16 janar 2018 Në ora: 18:35
Ilustrim

O kohë të largëta,  që më nxirrni në brigje të thepisura malli e përlotjeje! Sa herë kthehem tek ju, ndihem e rilindur, trupi, mendja, shpirti, limfa dhe gjaku im bëhen urë kujtese, për të ardhur drejt jush, o ditë plot farfuritje të trishta e të ëmbëla  njëherësh!

Gjithmonë më ka shoqëruar në jetë një thënie epistolare e Dostojevskit të madh:-- Një njeri pa kujtime, është si një trung i tharë, pa rrënjë, pa degë e pa gjethe, është njësoj sikur të mos ketë jetuar. Jeta është një sfidë që i hap rrugën vetes mes vuajtjesh, dhimbjesh e sakrificash njerëzore, duke lënë pas të ndodhurën, që vjen si kujtesë dhe bëhet palcë e identitetit njerëzor.

Ia vlen të jetosh, thotë një tjetër i urtë i kësaj bote, që të kesh s'e çfarë të tregosh…

Gjithë këtë qasje përjetimi në lidhje me kujtesën, shkas për të më ardhur në mendje këto kujtime, u bë kronika televizive e ANT-së, në Greqi, vendi ku jetoj e punoj tash më shumë se 25 vjet.

Bëhet fjalë për këtë dimër ankthioz, me përmasa fantastike, që duket sikur ka dalë nga brinjët e një paradestinimi mitik, dimër i jashtëzakonshëm, për SOT, ku dëbora ka mbuluar gjithçka e është në një trashësi më shumë se 2 metra - vende, vende- e një aeroplan dërgohet për të shpëtuar jetën e një çifti të mbetur diku mes borës, mes të ftohtit...

Një avion del nga palca e dheut të kësaj bote…në kërkim të dy jetëve njerëzore, të zhdukur në Bermundën e një absurdi të bardhë, rrethuar me heshtje e vetmi shkretane…

Duket se bota është bërë pak më e përgjegjshme ndaj jetës…e kjo më nxit të hap kutinë time të Pandorës…

Kohë kur njeriu modern e ka flakur tej maskën e kotësisë dhe indiferencën dhe mendon për tjetrin si për veten e tij e është bukur, vërtet bukur që po ndodh… e këtë ndjesi po duan ta rrokin edhe institucionet e shtetit… Janë kohë të tjera, njeriu ka dalë nga guacka e primitizimit ekzistencial dhe nuk ndihet mirë kur kësisoj nuk ndihet gjithë soj i tij…

Unë jam ulur në polifron, po shijoj çajin e ngrohtë e ndërkohë kujtesa punon në të shkuarën, më kthen 46 vjet më parë…Nuk ka lidhje me vendin dhe kohen kur e ku kanë ndodhur, po si të thuash më solli në mendje edhe një film rus të viteve 1960 ''Kudo jetojnë njerëz'', që mua më ka ndihmuar ta shoh jetën dhe çdo njeri me sy tjetër.

Fëmijë isha e kisha një pasion, të shikoja sa më shumë filma e gjeja sa më shumë mënyra për t'i parë, po nejse, kujtimin e kam për diçka tjetër, që po t'i lidhim së bashku edhe sot më shumë se kurrë më bindin; “KUDO JETOJNË NJERËZ” e kurdo herë duhet bërë për to më e mira e mundshme, nga kushdo që ka një minimum mundësie për diç të tillë…

Si çdo vit, edhe atë vit, Seksioni i Arsimit do bënte analizën për rezultatet e tremujorit të parë të vitit shkollor 1970-1971...{shumë nga ju që do t'i lexoni këto radhë, nuk kishit lindur, ose keni qenë të vegjël} Ishim të detyruar të shkonim, megjithëse dimër e duhej të udhëtonim më shumë se 5 orë më këmbë. Detyra dhe ligji ishin aso kohe mbi të gjitha e ca nga malli e ca nga halli, siç thotë e urta fjalë, gjërat shkonin në rrjedhën e paracaktuar nga epoka.

Nejse, tjetër kund e kisha fjalën. Që thoni ju, Rinia ka bukurinë e vet e ne nuk ishim të gjithë më shumë se 20 deri ne 25 vjeçarë; kur them ne, kujtoj mësuesit e shkollës së fshatit SOJNIK të rrethit të Gramshit, Ademin nga Kavaja...Shaqirin nga Tunja e Gramshit, Agronin nga Fshati Rrëmbec, Llambi Koci, Olimbi Kostanca Kote nga Korça, Peme Lilën nga Cërriku,Nevrus Kullën nga Zemlaku i Korçës e të me falin po të kemë harruar ndonjë, sepse vitet bëjnë të tyren…

Dimër qe e dimri ka edhe të papriturat e tij e aq më tepër kur atëhere ishin shumë të pakta mjetet e informacionit.

Gjithçka shkoi mirë deri sa erdhi çasti për t'u kthyer andej nga kishim ardhur, në fshatin tonë, Sojnik. Papritur filloi një dëborë e shtruar, fjolla-fjolla, e cila duke kaluar koha u dendësua e gjithçka veshi petkun e bardhë, me një bukuri e kënaqësi që di të fale vetëm ajo, Bukuria e Bardhë. U bëmë gati për rrugë, por të gjithë na u lutën të mos niseshim, se shenjat nuk ishin të mira, do bjerë shumë dëbore, na thanë të gjithë...po ku pyet RINIA.

U nisëm e tek ecnim e na kishte rrëmbyer ajo bukurri marramendëse, pemët qe sapo kishin veshur fastanin e nusërise, lepujt që dilnin me nxitim nga ndonjë ferrë dhe një erë e ftohtë që sikur na ndihmonte të ngopeshim me atë ajër të pastër. Ishte një bukuri epike, e ftohtë dhe e ngrohtë në të njëjtën kohë…Një bukuri kobëtare, që projektonte makthin e vet mes ngazëllimit të një moshe të krisur…

Të qeshurat mbushnin qetësinë e asaj rruge dhe shkundnin borën nga majat e pemëve, duke bërë që në mes të bardhësisë të tejshndërritshme të lulëzonin petalet e një hareje njerëzore.

Kishim bërë më shume se dy orë, kishim kaluar Kodovjatin e po i ngjiteshim një të përpjete e kur arritëm në majë, mbetëm të habitur, të mahnitur...vetëm bardhësi. As pemë, as rrugë, asnjë lëvizje.Te ktheheshim mbprapsht, qe më vështirë, se dëbora nuk na linte të dallonim njëri tjetrin. Debora kishte një trashësi gati 2 metra e gjithçka dukej si një suva e bardhë dhe e ndritshme, që përcillte ankth dhe pafundësi…Do vazhdonim rrugën, se na u duk si më e lehtë e Shaqiri që e njihte mirë zonën na tha që do qëndronim në fshatin më të afërt Po si mund të arrinim? Kuturu, duke vendosur përpara djemtë, filluam të ecnim në njësh kolone e të zënë dorë për dore. Filluam të ndërroheshin me radhë e ecnim përpara me shumë veshtirësi. Nuk kishim ftohtë, debora ishte më e larte se trupat tanë e bile ndjeheshim mirë për pak kohë.

Po si papritur dikush filloi të ndjente lodhje, nuk ecte dot, kishte etje për ujë. Ujë kollaj, pak dëbore, po në vend që të shuhej etja shtohej e asnjë dritë, asnjë shenjë gjëkundi, vetem bardhësi dhe ankth, një ankth që na vinte që nga fundi i barkut e na përcëllonte si me vringëllimë të akullt brisku çdo pore lëkure.

Nuk e mbaj mend sa ecëm, por filloi të ngrysej e asgjëkudi një shenjë jete, veç ne që ecnim kuturu. Ku shkonim, ku shkelnim, çfare na priste?! Ecnim në jermi, mes një amoku që frynte nga jashtë deri brenda nesh, në thellësi të qenieve tona.

Ecnim shumë pranë me njeri tjetrin, aq pranë sa na dukej sikur ndjenim frymëmarrjen e njëri tjetrit.

Një zhurmë e lehtë na tërhoqi vëmendjen. Qëndruam në heshtje, me një fije shprese që shkrepëtinte bashkë me retë e përflakura në qiellin e bymyer nga pritja…

Ishte rrjedha e zhurma e një uji që e dalluam nga larg. Sa u gëzuam, pra aty afër do të ishte fshati e ujët që delte nga burimi që mbante fshatin me ujë. Shuajtëm etjen e po ecnim përpara kur një trak e shoku yne që ishte i pari ra në një gropë.

O Zot, thamë me vete, e humbëm, kjo është humnerë…

-Jam mirë,- dëgjuam të na thoshte shoku e na ftoi të hidheshim të gjithë…

Një përrallë, do thoni se u hodhëm e u ndodhëm në një truall kasolleje e në një cep të saj, mbështjellë me një lekure deleje, shilte ishin dy njerez, e në mes një si vater...Jo, nuk ishte vatër..por disa gurë rreth e rrotull e disa kërcunj qe akoma vazhdonin të digjeshin. Kishim ardhur mysafire nga çatia, si babagjyshët e Vitit të Ri, por pa dhuratë, vetëm me nga një çantë në kurriz, e të bërë qull nga dëboora e me rroba e trup të lagur e që mund të ngrinte nga çasti në çast. Kishim ecur mbi çatinë e nje kasolleje e atje gjetëm njerëz Kudo jetojnë njerëz, më erdhi në mendje. U flasim e na flasin, ishin në jete, po të izoluar nga bota e jashte e nga gjithçka. Si eskimezet.

Më në fund, u grumbulluam rreth zjarrit. Të zotët e shtëpisë, burrë e grua, na treguan se kush ishin dhe në cilin fshat ishim. Kishim ardhur në shtëpinë e E. Fshatit, qe e kishim shef llogarie në fshatin tonë. Rastësia është mbret, po në këtë rast ishte një Mbretëri e terë.Ne shpëtuam jetën tonë me ndihmën e ZOTIT, po shpëtuam edhe dy njerëz të tjere...e si te rinj për të festuar shtruam edhe darken e kësaj mbrëmjeje… Nxorrëm nga çantat çfare kishim…të gjithë një bukë gruri, të bërë gur nga të ftohtët...se atje hanim vetëm bukë misri. E zonjë e shtëpisë një bukë misri, e një tas me domate turshi e disa kokra qepë. Të mbedhur rreth vatrës, me një mashë trazonim zjarrin e kthenim herë pas here bukën që të shkrinte e që të thekej.

Një shoku yne hodhi qepët në zjarr për t’i pjekur...mishi më i shijshëm që kam ngrënë në jeten time e që atëhere është ushqimi im i përditshëm sallate, nje qepë e pjekur E gdhimë atë natë e fjetëm duke pasur mbulese qiellin gri e për dyshek dashurinë këtyre njerëzve bujarë, që nuk dinin si të na gëzonin duke na faluur edhe ato shilte prej lëkure nga delet e tyre të therura a të ngordhura nga ai dimër i mallkuar…

Me të zbardhur dita, filloi puna, hapëm një rrugë në formë tuneli për t'u lidhur me shtëpite e tjera, shtëpi them une, po ato ishin thjeshtë kasolle me mure guri me baltë, me nga një çati mbuluar me kashtë, pa tavan, pa oxhak, pa banjë, pa shtrese e mbulesë, po kjo për mua e për shoket e mi ishte mbretëria më e bukur në bote, me e pasura darkë e jetës sime...Shijova një mbrëmje darke mbretërore, këtu në këtë skaj të humbur, që na u duk sikur kishim gjetur Kopështin e Edenit dhe Magjinë e e Dashurisë. Po, nuk e kezagjeroj, kur them se këtu e kishte shtëpinë Dashuria, këtu ishte Universiteti i Gjithësisë, këtu mësova se gjëja më e çmuar është Jeta, Njeriu, Dashuria e pacak që I lidh njerëzit përtej kufijve të ekzistenës fizike, në një botë ndjesishë që përshkohet nga fisnikëria dhe humanizmi i pa cak.

Pas dy ditësh arritëm në fshat gjallë e të gëzuar e një ditë pranvere vendosëm të shkojme të falenderojmë miqtë tanë. E pa besueshme, po e vërtetë, duke ecur dëgjuam atë zhurme uji që na shpëtoi jetën e shkuam të shuanim etjen si atëhere, disa muaj më parë, në atë ditë dimri ta pa parë. Kërkuam gjithkund, asgjëkundi burim uji, i vetmi lëng, i zhurmshëm që shihnim e dëgjonim vinte nga një kodër e vogël, nga një ndërtesë që quhej stallë e lopëve...e ajo që derdhej ishte urina e tyre, shqip shurra, që dilte e ngrohtë e që atë dite i kishte rezituar ngricës. Kishim shpëtuar jetën, sepse në bote ka edhe LOPË…e si tek historitë e Migjenit, ato janë pjesëtare të familjes. Ne kujdesemi dhe i duam, po ato na deshën më shumë… Bëmë sa mundëm, ndihmuam sa mundëm, falenderuam e u kthyem më të ndërgjegjshëm se duhet të bëjmë më shumë për të qënë Njeri në këtë botë.

Sot një aeroplan për të shpëtuar dy njerez që kishin shkuar për ski, u ngjit në lartësitë marramendëse, duke rrezikuar jetën e pilotit, por jeta dhe vdekja janë bashkë, e kur jeta fiton, fati është dashuri dhe sakrificë njerëzore…

Shumë gjëra kanë ndryshuar, po mua çaji m'u ftoh se nuk munda t'a pi e shpirti e zemra më shkoi edhe atje, ku akoma ka njerëz që jetojnë të izoluar, që nuk kanë bukë e ujë, që për mbulesë kanë qiellin e për shtresë tokën mbi të cilën kanë lindur…

O ditë dimri e bardhë dhe e bukur, o stacion televiziv që më ushqen me të përditshmen, me të zakonshmen e të jashtëzokonshmen, me të vërtetën e të gënjeshtrën, me realen e fantastiken, transhendenten, bëj që të gjithë të jenë në këtë Botë njerëz në kuptimin e plotë të kësaj fjale e shtroju sofrën mbretërore vetëm me dashuri!...

Kishte të drejtë Dostojevski, jeton vetëm ai që ka kujtime e që ka se çfarë të tregojë…e kujtimet e vërteta, kujtimet që vlejnë të përcillen e të komunikohen si ndjesi, si kumt dhe mesazh midis njerëzve, janë vetëm kujtimet që përcjellin dashuri…siç janë këto kujtime të këtij dimri frenetik…

Kur duket se kjo botë e ftohtë, e vrazhdë dhe cinike, po bëhet pak më e ngrohtë dhe jetësore…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat