Vargje me plotë hare, gaz e aromë të luleve më të bukura

Kultura

Vargje me plotë hare, gaz e aromë të luleve më të bukura

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 21 janar 2018 Në ora: 11:07
Ballina e librit

Diellza diellon-
N’ vargun tim jeton

Flutur që flut’ron
Si lule pranveron

Kështu e nisë librin e tij  “Diellza diellon” (poezi për fëmijë), autori Zymer Mehani, kushtuar vogëlushes me emrin Diellza. Poezitë në këtë përmbledhje autori nuk i emërton me tituj por vetëm me numra dhe atë 67 poezi.  Kjo ndarje është mjaft  e mirë pasi që ato janë poezi të sajuara për Diellzën dhe gjithë atë që asaj i pëlqen ia prezanton autori në këto vargje. Këto vargje ndonëse janë për Diellzën ato me ëndje do të lexohen edhe nga fëmijët tjerë sepse çdo fëmijë  e gjen veten në këto vargje të bukura që janë plotë gaz, hare, plot me aromë të luleve më të bukura ashtu si janë edhe vetë fëmijët. Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për të shkruar  për fëmijë, duhet njohur mirë botën e tyre dhe shpirtin e tyre të çiltër...

Bota poetike e poetit Zumer Mehani  është e pasur. Ai futet thellë në shpirtin e fëmijës dhe me imagjinatën e vet të pasur krijon atmosferë karakteristike që shpejt e bën për vete lexuesin. Gjithçka  që i pëlqen dhe i shkon mendjes  dhe zemrës së fëmijëve autori e thotë në vargjet e tija që janë  përmbledhur në këtë libër duke ia atribuuar Diellzës.

Ti, moj Zemra e vogël
E bardhë si bardhësia
Je vetë agu i ditës
Je vetë lumturia

Mehani me pak vargje arrin të krijojë atmosferë dhe të thotë shumë, të zgjojë mendime e emocione dhe ta nxisë dashurin e artit letrar tek fëmijët. Diellzës bukuroshe autori i jep shumë epitete, bukurinë e sajë e krahason me flutur, lule, engjëll ….

Ajo  është lule

Ajo është flutur

Ajo është engjëll

Besa shumë e bukur

Të gjithë fëmijët  janë si lulet, janë zbukurim i jetës së njeriut dhe shoqërisë, janë zbukurim i familjes dhe shkollës, zbukurim i përditshmërisë.... Në këtë libër vargje të bukura janë  ato që  bëjnë fjalë për lulet, fluturat, diellin, ylberin, bimët, natyrën në përgjithësi. Por autori Diellzën na e përshkruan si shumë të kujdesshme edhe për  nënën, mësuesen, shkollën, librin …

E do shumë mësuesen

Çdokush atë e donë

Merret veç me librat

Kohën kot s'e çon!

Vargjet e kësaj përmbledhje  të shkruara posaçërisht për Diellzën e vogël janë plotë imagjinatë. Ato janë shkruar me një mjeshtëri të rrallë me ritëm e muzikalitet të cilat pa dyshim se shumë do të pëlqehen edhe nga moshatarët e Diellzës  sepse edhe të tjerët e gjejnë veten në ato vjersha, ngase autori në disa vargje përmend edhe shokët e shoqet e Diellzës që janë po aq të bukur sa ajo, ngase të gjithë fëmijët janë po si lulet e natyrës

Shok e ka Agronin

E shoqe  Iliren

Është si engjëllushe

Por dhe faqekuqe

Gencin e ka shok

Shoqe e ka Besën

Ka dhe shoqe tjera:

Mrikën, Bardhen, Shpresën

Tema e motivi  i vargjeve janë shumë të qëlluara. Ato kanë të bëjnë me jetën dhe preokupimet e fëmijëve.

Vargjet janë edukative  dhe mësimore. Ato janë të shkurta  dhe rrallë ndonjë poezi ka më tepër se 20 vargje. Autori përpiqet ta përmbledh mendimin në pak vargje. Ai pretendon që me ato vargje  të thotë shumë dhe të shprehet bukur. Ai komunikon bukur me lexuesit e vegjël përmes fjalëve dhe shprehjeve të bukura , pa e rënduar lexuesin.

Vargjet e këtij libri  kushtuar Diellzës janë vargje kuptimplote. Ato kanë mendim, rimë dhe ritëm. Autori të gjitha këto vargje  i sheh me syrin e fëmijës  duke hyrë thellë në shpirtin e fëmijëve, ngase ai e njeh mirë  natyrën dhe shpirtin e fëmijëve.

Shkronja e parë

E tëndit emër

Dashuri

Në Timen Zemër

Kur i lexon këto vargje  të kthen në një kohë kur e sheh veten  në vallen gazmore të të vegjëlve, të kthen në atë gëzimin  asaj kohe  që nuk mund të krahasohet as me një kohë tjetër.

Më je vesë mëngjesi

Gonxhe trëndafili

Më je freski mali

Më je zë bilbili

Vargjet e thurura me mjeshtëri  në këtë  libër lexohen me ëndje. Andaj  lexues të vegjël, lexoni dhe shijoni këto vargje  të shkruara nga autori Mehani. Ai i ka shkruar për Diellzën e vogël që e donë aq shumë por përmes sajë ju donë  edhe juve sepse këto vargje  nuk i shkruan vetëm për Diellzën  por për shumë  moshatar të sajë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat