Flet “Mjeshtri i Madh”, Mevlan Shanaj: Ju tregoj kujtimet e mia me Naim Frashërin, Sandër Prosin - Bota Sot
Flet “Mjeshtri i Madh”, Mevlan Shanaj: Ju tregoj kujtimet e mia me Naim Frashërin, Sandër Prosin

Kultura

E shtunë, 26 maj 2018

Flet “Mjeshtri i Madh”, Mevlan Shanaj: Ju tregoj kujtimet e mia me Naim Frashërin, Sandër Prosin

Nga: Albert Z.Zholi Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 09:23
Mevlan Shanaj

Biseda me të dhe pse zgjati rreth dy orë ,rrugëtoi si një film i bukur me shumë emocione. Falë kujtesës, por dhe ngjarjeve të shumta jetësore me shumë personalitete të artit shqiptar, dëshira ishte që kjo bisedë të mos mbaronte kurrë. Episode, mbresa, kujtime, debate, dialog të mrekullueshëm që jo në çdo artist mund ti gjesh. Ende pa mbaruar studimet, ftohet si një nga folësit e parë të televizionit eksperimental shqiptar. Më vonë, tek ky gjigant i medies vizive shqiptare, ai hedh hapat e parë në regjisurë, duke realizuar disa filma dokumentarë, por njëkohësisht është një ndër nismëtarët e filmave artistik televizivë. Por krahas regjisurës ai prek sheshet e xhirimit edhe si aktor. Dy nga rolet e tij më të spikatur “I teti në bronx” në interpretimin e parë kinematografik (roli i Ibrahim Kovaçit) dhe Nebi Surrelit në “Rrugicat që kërkonin diell” për vetë realizimin e lartë artistik, diskutohen edhe sot, si ndër filmat më të arrirë të kinematografisë shqiptare. I qetë, i saktë, shumë komunikues, por korrekt deri në detaj në mësimdhënie, janë disa nga tiparet dalluese të aktorit, regjisorit, pedagogut, folësit Mevlan Shanaj. Detyrën e pedagogut ai e kryen me një përkushtim të rrallë saqë studentët shprehen plot
emocion dhe vlerësim për figurën e tij. Për meritat e tij në fushën e kinematografisë si regjisor, aktor, pedagog (por së fundi dhe producent) ai nga Presidenti i Republikës para disa vjetesh merr titullin “Mjeshtër i madh”. Shtysë për këtë intervistë ishte shfaqja e dokumentarit për Xhanfise Kekon, një dokumentar i rrallë që mori për shumë minuta duartrokitje të shumta nga të pranishmit.

Si lindi dëshira apo kush ishte shtysa të realizonit një film dokumentar për Xhanfise Kekon dhe pse solli kaq emocion tek të pranishmit ?

Së pari solli emocion sepse  i kthehem një kineasti të madh  Roger Vadimi, cili ishte duke filmuar Brigitte Bardo, gruan e tij, në një film me Trintignant  cili ishte djalë i ri (marrëdhënia qe e kapërcyer nuk qe vetëm një interpretim). Vadim, regjisori  pas skenës i thotë aktorit të ri:  Mirë shkoi skena, por mos kishte diçka më shumë aty? Po tha ai kishte diçka më shumë. Në këtë kohë kineasti, regjisori i thotë BB: Mirë shkoi por ky djali i ri ishte interesant dhe në skenën e filmuar kishte diçka më shumë. Jo i thotë Bardo, paksa e hutuar! Po i thotë regjisori, të pashë shumë mirë nga kamera dhe kamera nuk gënjen kurrë. Pra kjo është dhe përgjigja ime për filmin e Xhanfisesë. Filmi kishte emocion sepse erdhi tek spektatori nëpërmjet rrëfimit në kamera.  Në rrëfimet para kamerave ajo ka qenë shumë e sinqertë. Kujtimet e jetës së saj për të gjithë auditorin sillnin  copëza të jetës së tyre  pavarësisht rrëfimit të sinqertë të thjeshtësisë, modestisë mënyrës së perceptimit të Xhanfisesë jo vetëm të filmit por edhe të filozofisë, edhe të jetës, edhe të familjes. Të gjitha këto  vinin dhe çukisnin në trurin dhe ndjenjën apo shpirtin e çdo shikuesi. Pra organizimi i materialit, servirja ishte një punë e brendshme artistikike disa herë me metafora kur kalohej nga një episod në tjetrin, por mbi të gjitha ishte një dokumentar i ndershëm, pa gënjeshtra dhe ndershmëria sjell një respekt të madh, ndaj dhe publiku mbeti i gozhduar, i hutuar,  dhe shumë i emocionuar.

-Nga kush u iniciove për këtë film?

Ishte një dëshirë e brendshme e imja pasi Natasha Lako ka pasur shumë miqësi me Xhanfisenë por dhe unë njëkohësisht. Unë kisha më shumë se 3-vjet që e inicioja idenë për të bërë një film dokumentar për të dhe ky film do të jetë mbyllja e portreteve për mua në filmat dokumentar.

-Pse do jetë mbyllja e portreteve?

Kjo sepse në realizimin e portreteve në dokumentar vitet e fundit nga Vangjush Furxhi tek Ndrek Luca e gjeta mundësinë e kapërcimit të trajtimit të figurave të tjera por pa i përsëritur,  pa u bërë një soditës, një gazetar që shikon dhe qëmton  materiale, por në mënyrën e tregimit të ishte rrjedhshëm. Në art, në trekëndëshin e famshëm çfarë, pse, si? Çfarë bën, përse e bën dhe si e bën? Në këtë trekëndësh si-ja është talenti  dhe si-ja fillon tek forma, gjykimi, që është shumë e rëndësishme në art. Nëse e kisha gjetur tek dy filmat e parë zgjidhjen e këtij trekëndëshi tek Xhanfiseja na lodhi, derisa duke biseduar gjatë me Natashën deri sa u gjet çelësi i portretit. Kur gjendet çelësi, le të jetë kështjellë, le të jetë apartament modest, ti di të ecësh dhe ta ndriçosh sekretin dhe rrugën e filmit. Dhe ne e gjetëm këtë çelës që Xhanfiseja të vinte në film si Xhanfiseja, pra që Xhanfiseja të tregonte për Xhanfisenë. Ndërsa, konturin profesionistët, specialistët e kanë më të thjeshtë për ta gjykuar ata që janë profesionistë. Aq më tepër kur flasim për një “fushë të minuar” siç është filmi, fusha më popullore në mbarë shoqërinë. Kjo pasi në film të gjithë kujtojnë se dinë, ngaqë është më popullori, por sigurisht nëse nuk ke një edukim profesional, nuk mund të dish të japësh gjykimet e duhura, qofshin edhe subjektive, të cilat nuk janë ato që kërkohen për ta ndriçuar, për ta iliminuar mendjen, shpirtin e shikuesit. Unë pretendoj që në këtë moshë që jam, mund të trokas në zona të panjohura dhe të eksploroj sigurisht gjërat e fshehta. Dhe me Xhanfisenë kështu u bë. Xhanfiseja erdhi në film nga fillimi në fund si një monolog i gjatë, sikur ajo ishte ndërtuar për të na dhënë ne portretin e saj. Por ky qe qëmtimi në vite. Një kërkim, qëmtim, organizim i mendimit, ku mendoj se ky ishte çelësi i suksesit, por dua të theksoj se nuk ishte vetëm merita e punës së mençur e Natashës, as e Mevlanit, por në radhë të parë ishte emri i madh, Xhanfise Keko.

Image

-Kohët e fundit jeni dhënë shumë pas regjisë ku keni realizuar shumë filma dokumentarë por edhe artistikë. A ka ndikuar të qenit aktor që në rini për tu bërë dhe një regjisor po kaq i suksesshëm?

Më falni, jo kohët e fundit, pasi unë gjithë jetën kam punuar regjisor, që në ditën e parë të fillimit të punës, pasi mbarova shkollën. Unë  kam studiuar për aktor, regjisor më emeruan. Në fakt para se të futesha në rrugën e madhe të artit, vija nga një fushë shumë sociale siç ishte mjekësia. Kam bërë 4 vjet shkollë të mesme për mjekësi dhe kam punuar dy vjet në spital. Kur erdha në fushën e artit isha në moshën 20-vjeçare, në moshën e aventurës, moshën e bukurisë, romantikës. Aventura është e domosdoshme në jetë. Pa aventurë jeta nuk do të kishte kuptim. Por kjo aventura ime duket doli për mirë. Një goditje në këtë moshë më ka dhënë emri i madh që citohej në atë kohë si zbulim, aktori i madh Aleksandër Moisiu. Duke u njohur, duke dëgjuar për të, duke parë figurën e tij madhështore, një ditë prej ditësh mendova me vete pse të mos ti futem edhe unë rrugës së aktorit? Pra, nëse unë në këtë moshë deri më sot kam arritur diçka, një majë timen në këtë fushë, ose kam  plotësuar një ëndërr ose e kam tejkaluar ëndrrën sipas idesë time, kjo i takon Aleksandër Moisiut.

- Konkretisht si u njohe nga afër me këtë figurë të madhe të skenës së teatrit?

Thjesht, sepse në moshën time të rinisë po shkruhej shumë për të, flitej, komentohej shumë dhe vazhdimisht për disa vite. Në atë kohë mbreti i informacionit ishte radioja. Madje ishte mbreti i informacionit për kulturën. Në rast se sot flitet shumë për mjetet e tjera të informacionit, unë jam një radiofil. Radioja ishte ajo që ishte ushqyese e  vazhdueshme e turit tim madje  edhe në moshën që kam, truri im ka nevojë për një radio, për muzikën e saj, që të më shoqëroj. Pra, në vitet 1963, filloja të dëgjoja në radio për Aleksandër Moisiun dhe për mua ishte si një zbulim kjo figurë e madhe. Duke  dëgjuar për të, diçka më ngacmoi përbrenda dhe ana tjetër ishte se, kur isha nxënës në mjekësore nuk kisha lënë teatër dhe film pa shikuar. Kur shikoja këto më dukeshin si një magji në distancë. Në atë kohë edhe shkolla e aktorëve mbante emrin “Aleksandër Moisi”.  

-Me çfarë pjesësh konkurrove për aktrim dhe kush ishin në komision?

Ishte viti 1965 dhe pedagogu, njeriu i parë që kontaktova, njeriu i parë që më dha orientimet ka qenë regjisori, pedagogu Mihal Luarasi. Ai na dëgjonte, na bënte ndonjë sugjerim dhe pastaj do kalonim në komision. Në komision ishin emra të mëdhenj të asaj kohe si Andrea Malo, drejtor  i shkollës, Xhemal Mbroja(Drejtor i Teatrit), Drita Agolli, Naim Frashëri. Para se të dilja para komisionit, Mihal Luarasi më orientoi për shumë gjëra. Unë kisha një pjesë nga Stendali një monolog: E kuqja dhe e zeza” ku bëhej djalë dhe për një femër. Mihali më tha kur të vish ne këtë moment fjalët adresoja asaj femrës që është aty. Shiko atë në sy dhe këtë pjesë të duket sikur ja drejton asaj. E kishte fjalën për Drita Agollin këshillë të cilën unë e ndoqa. E kreva detyrën që më caktoi në mënyrën më të përsosur. Pastaj kisha dhe një poezi të Eseninit për “Nënoken”. Pra kisha disa pjesë nga letërsia ruse sepse ajo mbizotëronte. Kisha dhe një poezi të Naim Frashërit që në një moment ngeca. Në moment ndërhyri Xhemal Mbroja dhe ma kujtoi dhe kështu kaloi situata.

-Kush ishte konkurrues në këtë vit? A janë emra të mëdhenj të regjisurës dhe të aktrimit shqiptar?

Mund të them se atë vit kanë dalë emrat e njohur te  aktrimit dhe regjisurës shqiptare. Ishte Timo Flloko, shok klase, Niko Kanxheri, Llazi Serbo, Minella Borova, Gëzim Kame, Birçe Hasko (më i madh se ne në moshë),Petrika Riza, Saimir Kumbaro, Kristaq Mitro, Dervish Biba, Mirketa Çobani, Veronika Todri, Kristina Mihali, Neriman Resuli, Frederik Fistani, etj. Në atë vit ne ishim jo vetëm një grup i mirë, por dolëm rivalë në jetë, pa xhelozi, pa ambicie dhe gëzoheshim me sukseset e secilit. Edhe sot jemi miq të mirë. 

-Kë kishit pedagogë kryesorë në Institut dhe çfarë kujton nga auditorët e Institutit?

Pedagogë kishim Drita Agollin, Pandi Stillo, Miho Gjini. Drita dhe Pandi kanë qenë pedagogët e parë. Ata na jepnin mjeshtërinë e aktrimit. Çdo gjë duhet kuptuar në kontekstin e kohës. Në atë kohë të gjithë ishin më të vërtetë më me pasion, më të sinqertë dhe shumë të ndershëm. Nëna ime nuk e dinte kurrë se ku isha unë dhe ku shkoja. Nuk donte të shkoja në aktrim. Kur pa filmin “I teti në  Bronx” në kinema, me shoqet e veta të moshuara të veshura me të zeza, filluan të qanin pasi u habitëm së tepërmi. Në atë kohë ka qenë një film goditës në publik. Kishte emocion dhe komunikim. Nëna nga kinemaja doli krenare dhe pse mes lotësh. Mbas disa kohësh unë shkova në Patos ku banonte nëna ime dhe më tha: Ëëëëë, tani e mora vesh unë se përse ikje për konkurrim! Paç uratën dhe ke zgjedhur rrugën që doje ti, dhe më bekoi. Në atë kohë shkollën e bënte vetë njeriu. Atëherë nuk ndërhynte njeri, as motër as vëlla apo kushërinj. Shkolla ishte një pasion i madh dhe ne ishin në garën e të lexuarit. Kur kam ardhur nga Patosi  në Tiranë, kam qenë 14 vjeç, unë u çlirova sepse isha nën hijen e familjes së nënës. Kam qenë fëmijë që doja të dilja mirë në shkollë. Kur erdha në Tiranë pashë se ishte një përzierje nga e gjithë Shqipëria. Konvikti i asaj kohe ka dhe nostalgji. Në konvikt rritet shumë ndjenja sociale. Të gjithë ishim në një prerje nga ana ekonomike. Ishim të gjithë të thjeshtë dhe të gjithë të ardhur nga zona rurale, vetëm 2-3 kishim nga Tirana. Futja ime në këtë rrjedhë intensive në kryeqytet me fëmijë të kategorive dhe të moshave të ndryshme nga e gjithë Shqipëria më dha një dimension krejt tjetër. Këtë ndjeshmëri timen të  brendshme e ka rregulluar kryesisht marrëdhënia sociale me njerëzit ku të gjithë kishin ambicie për dije.

-Që në fëmijëri jeni dashuruar shumë me librin?

Unë nuk mund ti bie gjoksit se jam një lexues i shkëlqyer. Por di se nëna ime më thoshte gjithmonë: Mjaft lexove se do të prishen sytë.

-Po në shkolle u aktivizove në ndonjë film, teatër ose në dramë?

Unë kam mbrojtur diplomën shkëlqyeshëm me dramën “Pushkët e nes Karrar... ” Bertold Breht, të cilën si regjisor e nisi Misto Zoto ku më pas e la në mes dhe pas tij e mori Naim Frashëri që ishte pedagogu im. Ishte një rol kryesor, doli mirë, dhe ishte një nga tre diplomat e nderit të dorëzuar nga ministri i Arsimit së asaj kohe.  Timo Flloko, Minella Borova dhe unë.  Kjo shfaqje ishte trampolinë e jetës. Isha ende pa e marrë diplomën kur vjen Viktor Gjika dhe më merr për tek filmi “I teti në bronx”. Viktori guxoi, guxoi shumë me ne të rinjtë duke na dhënë role kryesore. Ky ishte një fat i madh për mua, kur sapo ke dalë nga bankat e shkollës të jesh partner me kolosët e mëdhenj të aktrimit shqiptar si Sandër Prosin, Kadri Roshin, Pandi Raidhin të cilët më vonë i mora në filmat e mi. Në atë kohë kam qenë 24-vjeç. Nuk e besova se do të më merrte Viktori. Ai kërkonte shumë dhe bënte ndryshime. Kur më kërkoi shkova në mënyrë sportive si gjithë të rinjtë, por edhe me mendimin se nuk ka për të më marrë si komisar. Kam bërë një kinoprovë me një indiferencë të madhe, dhe aty kishte qenë suksesi. Më ka ndihmuar indiferenca dhe  thjeshtësia. Pra në këtë kohë erdhi gjenerata jonë ku flamurin e mbante Rikard Ljarja. Mbas Rikardit vjen Timo, unë, Bujari. Erdhi grupi ynë, ku në kinemanë e brezit tjetër që po vinte në Shqipëri do merrnim pjesë dhe ne. Edhe  regjisorët donin të tregonin veten me figura të reja. Interpretimet tona vinin më afër kinemasë. Është dhe kinemaja franceze apo italiane që hynte në konceptet tona që ka ndikuar tek ne, pasi mundoheshim ta ndiqnim, të fitonim, ta komentonim.

Po kinemaja ruse?

Kinemaja ruse ishte e përparuar  në gjuhën e filmit dhe mbetet një nga kinematë e suksesshme. Kinemaja shqiptare e pati atë arritje sepse u shartua kinemaja ruse, italiane, franceze që solli një mënyrë dhe frymë të re, tjetër të kinemasë. Të gjitha këto lanë shenjat e tyre në koshiencën tonë dhe kjo pasqyrohej tek ne.

 -A mendon se edhe sot identifikohesh me këtë rol të komisarit apo Nebiut?

Publiku ashtu më thërret, njëherë me njërin dhe njëherë me tjetrin, Nebi Surrelin. Ta kesh bërë një rol para gati 50 vitesh dhe të ketë përsëri komunikim figura karakteri është një sukses. Kjo është edhe një sukses për kinematë shqiptare dhe kjo nuk është slogan por është e vërtetë. Të marrësh akoma edhe pas kaq vitesh mesazhe mendoj se është diçka e çmuar. Ne i dhamë shoqërisë shqiptare atë që nuk e kishte pasur, i kemi dhënë art. Kinemaja është arti i shumicës, i përjetësisë. Dhe në këtë pikë unë ndjehem krenar. Filmi i dobët eliminohet vetë. E eliminon koha. Filmi i mirë reziston. 

- Nga shumë intervista që kam marrë në TVSH kam mësuar se që kur mbaruat Akademinë u emëruat si regjisor tek televizioni shqiptar. Në ç’vit ka qenë dhe si e morët këtë  emërim?

Ka qenë viti 1969 kur jam emëruar si regjisor në TVSH në një moshë shumë të re. Në atë kohe nuk kishte televizorë në Tiranë, ishin me gishtat e dorës aparatet televizive. Por dua të bëj me dije se kisha hyrë në televizion që kur isha student, si folës i lajmeve. Ishte viti 1968, ku lexoja në TVSH lajmet me Vera Zhejin ku më afroi Misto Zoto, i cili ishte dhe pedagogu im por edhe regjisor në televizion. Në atë kohë TVSH ishte një televizion eksperimental me 25 veta. Ndoshta kam një rast unikal në botë,(qesh... ma kalon vetëm Çaplini sepse ai është gjeniu) pasi kam prekur gjithçka në  ekran që do të thotë shumë. Të tjerët kanë pozicione të caktuar në ekran, ku njëri është aktor, regjisor, folës, tjetri skenarist, organizatorë, etj. Unë kam bërë çdo gjë, kam filluar nga folësi i lajmeve, nga drejtuesi i Show mani, kam bërë koncerte të Radio Televizionit, kam qenë spiker Festivali, regjisor i festivalit, kam eksperimentuar sinkronizimin për herë të parë të këtyre spektakleve me superpozim me “play back”, etj... Dhe të gjitha këto i bënim në mënyrë primitive, sepse ishin vitet 1970 dhe nuk ishte ky modernizim. Kam bërë reportazhe, dokumentare të cilët jam ndër të parët në televizionin eksperimental, ku bashkë me një grup shokësh kemi dhënë modelin se çfarë është televizioni. Pra rruga ime në Tv  ishte ajo e artit, pasionit tim. Unë ndërtoja më shumë kinema në televizion, pasi me atë isha i lidhur me shume...

-Çfarë regjie ke bërë konkretisht?

Të gjitha pa përjashtim. Shtyp butonat për ty që flet, për atë që tregon përrallën, pastaj biseda në  studio. Pastaj filluam të tregojmë që ne mund të  bëjmë më shumë si reportazhe të vogla, pastaj dokumentarë, më vonë nxorëm dramën nga skena  në ekran dhe pastaj unë bëra filmin e parë televiziv “Korrierët” si regjisor. Dhe mendoje kjo është realizuar  në vitin 1975 me një grup njerëzish “aventurier” ku 7 veta kemi qenë paralelisht në të njëjtin vend xhirimi në Dardhë të Korccës, me  filmin  “Dimri i fundit”. Pra realizoheshin dy filma njëkohësisht ku tek “Dimri i fundit” ishin 25 veta ndërsa tek “Korrierët” 7 veta. Pra korrierët mbetet si filmi i parë shqiptar televiziv. Aventura ime me Pali Kuke në kamera dhe Gjergj Shteto në zërin direkt, është unikale për atë kohë.

-Mbas sa vitesh e realizove filmin “Rrugicat që kërkonin  diell”

E kam realizuar mbas 5-6 vjetëve të filmit tim të parë,  ku ndërkohë kisha bërë edhe disa filma të tjerë, deri te Rrugicat. Regjisor ishte Hysen Hakani. Ai e la në mes filmin dhe e morën dy asistentë Rikard Ljarja dhe Sajmir Kumbaro. Kam një respekt shumë të madh për autorin e skenarit, Dhimitër Xhuvanin që e kishte libër dhe që e kthye në një film simbol. Xhuvani ky kolos, njeri i thjeshtë vinte dhe rrinte me ne, me grupet e xhirimit dhe ndërhynte dhe korrigjonte. Ai ishte një burrë modest i qeshur, gazmor, komunikues. E kujtoj me nostalgji. Por ,ah  (qesh)!. Se kam thënë, por unë jam edhe nuni i filmit sepse unë e kam quajtur “Rrugicat që kërkonin diell”, nga “Zgjimi i Nebi Surrelit”, që ishte në libër.

-Po si regjisor kush ka qenë filmi i parë i juaji qoftë dokumentar qoftë artistik?

Dokumenti i parë që kam realizuar ka qenë një dokumentar për Tefta Tashkon, në vitin 1971. Pastaj “Marie Kraja”, “Pandi Raidhi”, dokumentar për qytetin e Korçës për Beratin. Filmi për Beratin nuk është transmetuar, u shfaq në kolektiv dhe morëm vlerësime maksimale, u fol në kolektiv me superlativë, por pas disa ditësh më thirrën duke më thënë që të hiqja një episod. Unë nuk e hoqa si i ri që isha, ndaj nuk u shfaq kurrë. Në këtë film spikati skenari i Shpëtim Gines, një talent, që fatkeqësisht iku herët nga kjo jetë. Kemi punuar me pasion së bashku me Pali Kuken dhe narratorin Sander Prosi. Por duke qenë televizion në zhvillim ne mbulonim shumë fusha. Çdo dokumentar ka historinë e vet. Më vonë kam xhiruar “Avni Rustemin” si dokumentar. Por eksperimentuam  me dramat, teledramat dhe filmin artistik. Ne arritëm ti imponoheshim administratës së kohës pasi realizuam disa filma televiziv nga regjisorët, Albert Minga, Ylli Pepo, Vladimitr Prifti me filmin “Udha e shkronjave”, filmi im “Plumba Perandorit”, (një film jetëgjatë, që edhe sot diskutohet), “I paharruari”, “Të shoh në sy” deri tek “Fletë të bardha”. Ky i fundit ishte një film që pati shumë diskutime, dhe herë pas here u diskutua, pasi për herë të parë në ekran u cekën problemet e kohës, pra solli një tronditje në administratën e kohës. Ishte një film provokativ. 

Duke qenë i vështirë si profesion regjisura, keni pas moment që jeni ndjerë keq?

Jo se jam ndjerë keq. Por për të qenë i sigurt në rrugën time, për të qenë sa më Mevlan në këtë rrugë me hapësira të pakufishme, tek “Korrierët” që nuk kisha përvojë me operator Pali Kuken (me të cilin kam disa punë) kam eksperimentuar që me pak veta mund të bëhet një vepër arti. Dhe me pasion ja arritëm. Vështirësi të mëdha kam pasur në krijimin e atmosferës “Plumba Perandorit”, pasi transformuam qendrën e Tiranës për të krijuar skenat e atentatit në rrugën e Elbasanit të cilat i krijuam me besnikëri te admirueshme aty ku është parlamenti. Një ditë do të mblidhej kuvendi (në sistemin komunist) dhe na u dha urdhër që të sforcoheshim, pasi do vinin deputetët dhe nuk duhej të shihej dekori fashist që ishte krijuar, skenat ku dukeshin figurat e Duçes apo Viktor Emanuelit. Me një pasion të madh dhe forcë fizike si Pali Kuke (operator, unë si regjisor dhe Fatbardh Marku si skenograf) i zhvilluam skenat përfundimtare në kohë rekord. Ishin momente shumë të tensionuara shumë të paparashikueshme për një film të tillë. 

Po si aktor kë rol do të veçoje si të lodhshëm të stërmundueshëm?

Çdo film ka tekat e tij. Por, lodhje të madhe kam pasur te roli i Nebi Surelit, jo se ishte me dy seri. Është xhiruar në verë dhe veshja ishte dimërore. Një pallto dhe një karrocë. Aq më tepër kur filluam xhirimet ishim në Korçë, pastaj na zhvendosën  në Durrës. Pra të xhirosh me veshje dimërore në mes të verës në Durrës, veja vetë emrin. Lodhja ishte e madhe, por ishte mosha që e përballonte. Gjithë ai qymyr, pisllëqe, djersë, dhe kur mbaronte dubli në çezmën e rrugës bëhej një shpëlarje deri sa të vinim në hotel. Ajo karrocë e rëndë që e tërhiqje si kalë. Kishte lodhje fizike por në fund realizimi me sukses ka dhënë frytet e veta. Kam punuar me dy nga miqtë e mi shumë të mirë Rikard Ljarja dhe Sajmir Kumbaro, që e kishin filmin e parë. Më vonë ja ktheva borxhin Rikard Ljarjes duke i dhënë rolin kryesor te filmi “Fletë të bardha”, me të cilin pata një bashkëpunim të shkëlqyer.

-Sa vjet qëndrove tek RTSH-ja?

Gjithë jetën. Nga viti 1969 -2002. ( me një shkëputje prej katër vjetësh 1992- 1996)

-Në cilët festival ke qenë si folës?

 Vetëm një herë kam qenë folës në Festivalet e RTSH, në festivalin e  9-të.

-Diçka për regjisorët e TVSH?

 Unë, Robert Minga dhe Ylli Pepo, ishim tre regjisorët e parë në televizion ku kanë kaluar shumë breza të cilët u edukuan me ekranin dhe dhanë eksperiencat në televizionet e shumtë pas vitit 1990.

-Flitet ende për Koncertet e Vitit të Ri në sistemin monist, mendimi juaj?

E vërtetë. I veçoj koncertet  e Vitit të Ri, ato të famshmet. Në njërin nga më të arriturit shpërtheu humori i Pëllumb Kullës dhe atë vit rastisi të isha unë ai që arrita të nxjerr emrin e tij për herë të parë ne ekran, pasi ishte i censuruar, edhe pse me aftësi të përsosura e etiketonin me biografi të keqe (qesh). Edhe sot ato koncerte transmetohen të copëzuara. Punonim  muaj të tërë për ti realizuar dhe gjurmët ndihen ende.

-Po me udhëheqësit e asaj kohe a ke pasur ndonjë kontakt?

Jo, asnjëherë! Unë kam bërë dokumentar për takimet e Enverit. Kam bërë 4 dokumentar “Gju më gju me popullin” me rastin e 75 -vjetorit. Në televizionin shqiptar më shumë jam  marrë me rubrikat serioze të  artit dhe të kulturës. Nuk isha te politika. Edhe te vdekja e Enver Hoxhës kam qenë si regjisor i transmetimit të ceremonisë së vdekjes. Kam xhiruar si regjisor në kongresin ku Mehmet Shehu u censurua (në nëntor 1981), pas atij momenti në dhjetor 1981, ai ka vrarë veten.

-Po nga drejtorët kush ka qenë më  i prerë për atë institucion?

Marash Hajati. Në fillim drejtor ka qenë Thanas Nano, pastaj Todi Lubonja, Thanas Nano përsëri dhe pastaj të  tjerë  pa fund. Kemi bashkëpunuar në disa programe të Vitit të Ri dhe kam bërë disa dokumentarë me Marashin. Kemi bërë një dokumentar për Komanin ku morëm edhe çmim. Kishim marrëdhënie të respektuara me njëri tjetrin, unë nuk e dija se isha mik i tij. Gjatë viteve në sektorin e kulturës, kam bërë, një numër të konsiderueshëm dokumentarësh, mes të tjerëve dua të përmend, Lasgush Poradecin i  vetmi dokumentar ku Lasgushi flet në intervistë me zë. Një pjesë të mirë gati 30 min i lashë jashtë dokumentarit të sinkronizuar duke menduar se ishin të patransmetueshme për atë kohë censure. Mendova të rrinte aty në arkiv pa u dhënë. Mbas vitit 1990 shkova i kërkova ato materiale dhe nuk i gjeta. Edhe dokumentarin për Beratin nuk e gjeta.

-Fole për shumë artistë të  mëdhenj që ke bashkëpunuar, me kë ke pasur miqësi dhe situata  të veçanta?

Nuk ka artistë në Shqipëri që ka emër, si në  teatër, ekran,  humor , muzike te asaj kohe që nuk kam punuar duke filluar qe nga Naim Frashëri të cilin e kisha mik shumë të mirë, pas punës si pedagog por edhe nga adhurimi im për të si një ndër më të mëdhenjtë e skenës shqiptare. Kur vuri në skenë shfaqjen “Pushkët e nënës Karrar”  pashë se më çmonte dhe kur më emëruan në televizion më tha se nuk duhet të shkosh në tv, pasi

ti je artist dhe do të vish në teatër nuk ke punë në televizion. Pas disa ditësh shkoi tek Fadil Paçrami i cili ishte sekretar i Tiranës dhe kishte lidhje shumë  me  teatrin. I shtroi problemin por Fadili ju përgjigj se përderisa e ka marrë Thanas Nano unë nuk ndërhyj.

Si regjisor në televizion ke pasur rastin të punosh sicc më thatë edhe me këngëtare, jo vetëm me aktorët. Kujton ndonjë rast të veccantë?.

Mbi të gjitha është mikja ime Vacce Zela (i përjetshëm kujtimi i saj), edhe ajo që ka mbetur në arkiv dhe jepet shumë herë, që është Vaccja me kitarë. U regjistrua në një nga programet e vitit të Ri ku punoja së bashku me Vera Grabockën. Shkova e mora Vaccen në shtëpi pasi na duhej prezenca e saj dhe u improvizua ajo që tashmë ka mbetur. Po ashtu kujtoj që kam xhiruar Fatime Sokolin në Dragobi, apo Liri Rashën ende nxënëse shkollë në Zall Dardhë të Peshkopisë, apo me Kleoptara Skarcon në Vlorë, me të cilën realizuam provën e parë më 1970 me superpozim apo “play back”, po pa aparaturat e përshtatshme. Vullneti dhe pasioni, na shtynte të provonim gjithccka. Kemi xhiruar me film në këtë rast, por operatori i ri pa eksperiencën e duhur e ngatërronte futjen e filmit në kamera dhe ishte shoferi një njeri praktik që mbushte kasetën me film, duke e ndihmuar operatorin, ndërsa mjeshtri Gjergji Shteto që kishte në këtë rast punën më të vështirë ne studio, nuk tha asnjëherë që nuk bëhet. Diccka për humor...Kur shkuam në hotel tek Uji i Ftohtë, Vlorë, do flija në një dhomë me Gjergj Shteto, inxhinier zëri. Nxjerrim pasaportat në sportel dhe Gjergji kishte marre pasaportën e të shoqes jo të tijën. U regjistruam dhe nuk u ndjemë se mos nuk na pranonte sportelisti dhe më pas e kaluam me humor me Melpon, të shoqen duke i thënë se ke fjetur në një dhomë me mua (Mevlanin) Ky ishte material i mjaftueshëm për divorc Qesh). Pra me këtë dua të them se kishim miqësi të pastër në ato vite që e kujtojmë me nostalgji.

Në shumë biseda më keni përmendur shumë Sandër Prosin, cilat ishin marrëdhëniet e tua me të?

Sandër Prosin e kam pasur mik të madh. Sandri pati peripecitë e tij ne jëtë pasi kishte një ndjeshmëri njerëzore të madhe. Kur xhiruam tek  filmi “I teti në  bronc”,  më vinte tek krevati që të  bisedonim sipas skenarit. Në ndërtesë po bëheshin disa rregullime dhe kishte shumë zhurmë. Sandri që të mos dëgjonte zhurmën vuri pambuk në vesh dhe po bënte  dialog me mua. Unë e pashë që vuri pambuk dhe për ta ngacmuar nuk i nxirja zë po hapja vetëm gojën dhe ja jepja tekstin pa zë. Pra sa hapja gojën dhe nuk nxirrja zë. Ai buzëqeshi, e kuptoi humorin tim dhe ky ishte xhesti që ne u bëmë miq. Në një film tjetër kemi diskutuar mbi detajin e kapelës të cilin ma propozoi ai që ta bëja. Po xhironim për filmin “Plumba Perandorit”. Ishim te “Vollga” në Durrës dhe aty në lokal hynë disa vajza, ku njëra nga ato ishte shumë e bukur dhe  Sandri e ndërpreu bisedën dhe i iku koka duke e parë vajzën. Sandri nuk ishte për këto punë, nuk ishte i dhënë pas femrave, por ajo vajzë e goditi. Pas atij momenti ne e kërkuam atë vajzë dhe e futëm në film. Unë  kam qenë regjisor tek ky film dhe Sandrin e kam pasur aktor. Një tjetër moment. Po xhiroja filmin “I paharruari” dhe në një moment vjen Sandri dhe shikon kur ishim në Korçë për xhirim. Shikonte detajet. Fliste pak dhe gjurmonte atë të voglën që pakkush e kap. Duke parë veshjet diçka nuk i pëlqeu. Vjen dhe në mënyrë miqësore më thotë se distinktivët që kanë në gjoks personazhet janë shumë të mëdhenj, bëji më të vogla. Kishte të drejtë, e korrigjova menjëherë gabimin.

Një episod tjetër me Sandër Prosin. Kur ishte ndërtuar i famshmi 15-katësh, një ditë e shikoj që ishte në tavolinë me një njeri tjetër të cilit i buzëqeshte dhe i tundte kokën. Pasi ai tjetri iku i them: Si shumë i buzëqeshje atij njeriu. I buzëqeshja kot, tha se më lavdëronte dhe më hyjnizonte.

Një episod tjetër është kur ai tentoi për vetëvrasje. Një ditë kur po bëhj apeli në teatër, personi përgjegjës që  bënte apelin si duket nuk e pa Sandrin apo si kushtoi vëmendje në apel dhe nuk ja përmendi emrin.  Sandri shtangu pse nuk ju përmend emri. Ishte shumë i ndjeshëm. Menjëherë më tha se duket më paskan hequr nga teatri! U hutua! Ishte ajo lufta që bëhej herë pas here brenda qenies së tij për të qenë më shumë se i përpiktë. Pas apelit shkoi në shtëpi. Ishte vetëm, në gjendjen e depresionit se e kishin hequr nga teatri që e donte aq shumë, mori thikën dhe  ja futi vetes. Përfundoi në spital. Sa mora vesh shkova në spital dhe i fola ashpër për atë që kishte bërë. Rri më tha se për dy gisht kisha mbaruar punë, por nuk mbarova. Shpëtoi. Jo më vonë se një muaj në një mbledhje Enver Hoxha tha që tha kemi artistë të mëdhenj si Sandri, etj. Kjo e qetësoi por dhe e mobilizoi.

-Çfarë zakoni të veçantë kishte Sandër Prosi në raport me aktorët e tjerë?

Ai e kishte  zakon se cigaren e parë e ndizte me shkrepëse dhe të tjerat i ndizte cigare me cigare. Gishtat i kishte të verdhë nga cigarja. Nuk mund ta kuptoje Sandrin pa cigaren.

Një episod tjetër me Sandrin është, ishim në.... një zonë nga Burreli ku xhironim filmin “Guximtarët “ në vitin 1970.  Sandri rrinte me tuta dhe bluzë, këmishën nuk e vesh thoshte se në male jemi, këmishën e ruaj për në  Tiranë, se vetëm këtë këmishë kam. Ai kursente shumë. Punonte gjatë verës kur ne kishim pushim  në verë, ndërsa ai vinte dhe merrte një rrogë plus në kinema. I varfër dhe korrekt. Viktor Gjika e kishte Sandrin në çdo film në episode të ndryshme. Kur ja kam  thënë këtë fakt Viktor Gjikës ai u habit nuk i dinte këto se ato ishin personale.

-Cilat janë kujtimet e tua me aktorin e madh Kadri Roshi dhe cila ka qenë lidhja juaj?

Me Kadriun unë isha njohur që kur isha student në teatër. Mund ta kishim parë më shumë se 20 herë Ezopin. Një aktor i jashtëzakonshëm, nuk ka aktor më të fuqishëm në skenë se Kadri Rroshi. Për mua rival ai ka pasur vetëm Naim Frashërin të gjithë të tjerët janë distancë me kilometra dhe jo me metra. Ai mbizotëronte dhe kontrollonte në mënyrë të jashtëzakonshme marrëdhënien me partnerin dhe me publikun. Dinte të shikonte edhe se kush po kollitej në sallë. Ka qenë aktiv në veprim, aktor i zgjuar. Po xhironim te filmi “Malet me blerim mbuluar”, ku një pasdite ishim në Libohovë. Ditë dimri kur ja, del një rreze dielli të mirë tek kalaja ku ne po pinim raki. Papritmas Kadriu ia merr këngës. Ai këndonte bukur dhe  recitoi në mënyrë të përsosur. Në këtë bisedë tha se unë jam nga Mallakastra. Edhe unë i them nga ai vend jam. Ik more “cjap” me thoshte mua. A e dini se çfarë do të thotë për mallakastriotët ta thotë Kadri Roshi në Libohovë këtë gjë?!  Në këtë film “Malet me blerim mbuluar”  ne kishim një moment kur Kadriu duhet të më qëllonte me pëllëmë. Regjisori i tha qëlloje vetëm me një pëllëmbë, por ai më qëlloi dy herë dhe fort. Madje ai në çdo dubël më fuste nga dy të forta dhe pas tyre më thoshte “a të dhemb?” dhe më përqafonte. Kemi pasur marrëdhënie koifidente, miqësore, profesionale. Pastaj si regjisor unë e mora në një rol shumë të bukur tek filmi “Fletë të bardha”. Në atë film kemi punuar në mënyrë të  shkëlqyer.

Një herë  tjetër ne po xhironim në Divjakë dhe Kadriu ka pasur pasion peshkun. Në Divjakë çdo natë ne ja shtronim për të pirë dhe për të ngrënë peshk dhe njeriu që hante më pak peshk ishte Kadriu i cili i zinte. Kur isha i ri kam xhiruar Mentor Xhemalin, Naim Frashërin, Piro Manin, Prokop Mimën, Hysen Pelinkun, në Lezhë dhe në vitet 1971-1972  kam një episod fantastik se si ata zënë peshk, besoj se diçka nga këto materiale duhet të ketë Stefan Gajo, një ndër bashkëpunëtoret e mi shume të afërt në ato vite.

-Sa role ke si aktor?

Nuk e di, nuk kam shumë dhe nuk e di.

-Po si regjisor?

Në televizion janë pa fund. Kam eksperimentuar i pari të marr nga  skena komedinë “Pallati 176”, për ta transmetuar në televizion. Kam eksperimentuar muzikën me “Play Back”. Në televizion mund të jenë më shumë se 10 dokumentarë, filma artistikë janë rreth 8, drama janë pa fund, koncerte pa limit. Kujtoj dramat, “Orët e Kremlinit”, “Bernarda Alba”, “Epoka para gjyqit”, “Vdekja e komisionarit”, “Fernando Krafti”  e shumë të tjera.

 Filmi i fundit juaj artistik?

Është filmi “Lule të kuqe, lule të zeza”, një film i suksesshëm jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, një film që kritika e vlerëson ende. Ky film është realizuar në vitin 2003. 

CV

Mevlan Shanaj,

Regjisor, aktor, “Aartist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, Profesor

Aktor-filmat

-I teti në bronc,

-Malet me blerim mbuluar

-Guximtarët

-Rrugicat që kërkonin diell

-Pranvera s’erdhi vetëm,

-Rrethimi i vogël

-Unë dua Erën,

-Viktimat e Tivarit

-Lule të kuqe, lule të zeza

-Në kërkim të kujt

 

 

Regjisor-Filma artistik

-Korrierët

-Plumba perandorit

-I pa harruari.

-Një telegram një këngë

-Të shoh në sy

-Fletë të bardha

-Lule të kuqe, lule të zeza.

 

Producent

 

-Lule të kuqe, lule të zeza.

-Ditët e fundit te Loro Shestanit

-Pharmakon

-Përcjellja. 

-Ndrek Luca

-Rrugët 2016

-Koha e pelikules.

 

 

Filma dokumentarë

-Tefta Tashko

-Marie Kraja

-Pandi Raidhi

-Korça, katër mëngjese

-Berati

-Avni Rustemi

-Gju më gju

-Lasgush Poradeci

-Komani një betejë

-Shqiptari i vonuar

-Rrugët

-Arqile Boti ( Bibla dhe kurani)

-Ftesë nga Iliri

-Përcjellja

-Të fala Ndrekë Luca,

-Shkronjat e Pavarësisë

-Rrugët 2016

-Koha e pelikules ( Xhanfise Keko)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test