Lutje për Skënderbeun në dy gjuhë dhe studenti shqiptar në SHBA…

Kultura

Lutje për Skënderbeun në dy gjuhë dhe studenti shqiptar në SHBA…

Nga: Visar Zhiti Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 22:23
Visar Zhiti

Isha në Mbrëmjen Gala për Skënderbeun në Michigan, SHBA, me të ftuar plot nga Shqipëria e Kosova dhe nga trevat shqiptare përreth, edhe nga arbëreshët në Itali dhe sigurisht nga diaspora e re në Amerikë, por dhe në Kanada.

Televizonet, shtypi i shkruar, informimet elektronike njoftuan për veprimtarinë tre ditore në këtë fillim viti, të shpallur si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në jubileun e 550 vjetorit të tij.

Në Michigan nisi me vendosje kurorash në shtatoren e Skënderbeut dhe kështu do të ketë ndodhur dhe në qytete të tjera të botës, ku ka buste apo basoreliefe të Heroit, U mbajt një simpozium me historianë dhe hulumtues, u celebrua mesha e së dielës nga Dom Fred Kalaj, mbrëmja poetike për Kryeluftëtarin e Madh dhe Mbrojtësin e paepur të qytetërimit Perëndimor, etj, etj. Falenderohen Dom Ndue Gjergji, kryetari i grupit organizator i përbërë nga përfaqësues katolikë, myslimanë e bektashianë, Konsulli i Nderit dhe ambasadorja, pjesëmarrësit të gjithë, etj, por unë dua të kujtoj dhe ata që nuk kujtohen, që harrohen të parët, ja, shoferët e veprimtarisë, që në fakt ishin inxhinierë e pedagogë, Valentino Lumaj nga Shkodra, Edvin Hoti nga Lezha, apo Mondi, etj, të përkushtuar, të zellshëm, modestë, “prapavia skënderbejane” që rendnin aeroporteve, hoteleve, na mbartin andej –këndej me makinat e tyre… ndërsa në mbrëmjen gala për Skënderbeun në Rochester, në sallën “Gjergj Kastrioti” pranë Kishës shqiptare të “Shën Palit”, pashë dhe të rinj e fëmijë të veshur me kostume kombëtare, një begati ngjyrash kuptimplote, që kishin kapërcyer oqeanin, dëgjova këngët dhe valet në valavitja flamujsh  dhe kur më thirrën që të bëj dhe unë një përshëndetje, i emocionuar fola paksa ndryshe, për Skënderbeun qytetar, princin e virtyteve, sikur t’ia thosha tim biri, pa akademizëm dhe lexova një lutje që sapo e kisha shkruar mbi ftesë.

Por më mbresëlënësja për mua ishte kjo: m’u afrua një student, quhem Xhuliano Pjetrushi, nga Lezha dhe ai, do të ma japësh dhe mua atë lutje, më tha. Është shkruar kështu shpejt e shpejt, i thashë, s’e di a kuptohet shkrimi. E fotografoi me celular dhe mbas ca ditesh ma nisi të përkthyer në anglisht.

Po i risjell ato që thashë, ja dhe lutja ime dhe përkthimi i Studentit, që nuk do të futen në asnjë arkiv apo bibliotekë, por dhe kështu dicka bënë. Se  Skënderbeu, jo Skënderbeu vetë, as fantazma e tij, por kumti, një pjesë nga thelbi i kohës së përjetëshme, që na duhet, që u ngjiz dhe u krijua e më shumë mbetet mister e anonime, një si kërkesë e nevojë, vetëmbrojtje, vision e mund të shtohen dhe plot të tjera, si një mrekulli vazhdon udhëtimin, përshkon shqetësime shekujsh, harrime, vende dhe gjuhë sërisht dhe ndalin atje ku nuk e pret, te një i ri, p.sh., po ai është dhe luftëtar modern i Skënderbeut, mund të thotë ndokush, por unë shtoj, ai është universi vetë.

Po ç’është ajo që mbërrin kaq larg nga aq larg? Nuk di ta them, ngjan me Frymën…

PRINCI I VIRTYTEVE

…erdhëm të dëgjojmë dhe të flasim për Skënderbeun këtu, ku po shpalosen nga vlerat siperane të Tij si udhëheqës i popullit dhe mbrojtës i Europës, ndërkaq këtu pamë nga vlerat e bijve dhe bijave të tij, të diasporës së mrekullueshme shqiptaro-amerikane në Michigan, përbashkimin e komunitetit, të të gjitha shoqatave dhe besimeve fetare, aq sa m’u duk si një tjetër kuvend Skënderbean, ku u përzien kohëra, kujtesa kolektive, bëmat historike, datat, emblemat, por dhe poezia e kënga, nën hijen e Flamujve tanë, me ngjyrat mahnitëse të kostumeve tona popullore.

Dhe më lindi befas dëshira të flas dhe për “Skënderbeun qytetar”, për virtytet e Tij, nga që këtu ka shumë të rinj, sepse Skënderbeu është dhe institucion i lirisë, i dijes dhe i paqes, jo vetem i luftës, i luftës për mbrojtjen e atdheut, sepse sic thoshte dhe Shën Gjon Pali II, Papa Vojtila, miku i madh i shqiptarëve: “Nuk na duhet një demokraci pa virtyte”.

Skenderbeu ishte dhe tejet i virtytshëm, Ai e thoshte dhe vetë: “unë nuk jam rob i fatit, por i virtytit.”. Shkëlqyer! Një Skënderbe mendimtar, elegant, me poezi të fshehtë brenda, orator i rrallë, le të kujtojmë fjalimet e tij në Krujë “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush” apo në Romë, ku foli atje me nocione si të sotmet: “Ne jemi shpata dhe mburoja e Europës” - tha në sheshin para shtëpisë së tij në “Palazzo Skanderbeg”.

Komunikues  brilant, Skenderbeu ishte i drejtëpërdrejtë, le të rilexojmë nga letrat e Tij drejtuar miqve dhe aleatëve në Vatikan e Napoli, apo në Venetik a kundërshtarëve në Konstandinapojë, Sulltanit vetë. Është po Ai Skënderbe, sovran zemërgjerë, i drejtë si Solomon, i sakrificave deri në martirizim dhe ka po atë timber të shqiponjës dykrenore.

Po nxitoj të rëndis disa cilësi të Fisnikut të Madh: kryepunëtor, i zellshëm, kurajoz i mahnitshëm, trim, i besës, dinak për mirë, duhej, i zgjuar si populli, elitar, i kulturuar, fliste disa gjuhë, se sic na tha në simpozium dhe historiani P. Xhufi, që ambasadori i Milanos në Vatikan dëshmonte se “Skënderbeu e flet italishten si ne”, Ai dinte dhe latinisht, arabisht, etj.

Skënderbeu ishte i hijshëm, e donin grate, tërhoqi vëmendjen e Rembrandit a të shkollës së tij me një portret gjithë hije dhe dritë, që kërkohet nga interpoli sot, se u është grabitur pasardhësve të tij në një kështjellë të tyren në Itali.

Bashkëshort gjithë dashuri dhe baba i urtë, testamental. E përsëris, e donte paqen, lufta e tij prandaj bëhej në fund të fundit, ja, na e tregon “ulliri”, Ai e cmonte pemën ilirike të ullirit, jo vetëm si vlerë ekonomike, por dhe si një  si symbol i paqes, se të rinjve që martoheshin u kërkonte të mbillnin rrënjë ulliri. Pajë  për të  gjithë .“Lufton luftën dhe fiton” – fillon poema e poetit të madh amerikan Longfellow, në shqipërimin e Kryevatranit, imzot Noli.

Vallet dhe këngët sonte më kujtojnë një fakt të bukur sa më s’ka,  Skënderbeu ka ftuar në Lezhë muzikantë, na e ka zbuluar studiuesi arbëresh M. Mandala. Sipas tij, e thotë muzikologu Italian Cavallini, po përmend emra, që ta besoni, “që trombetisti venecian, i quajtur Xorxi, u ftua nga Skënderbeu në oborrin e tij mbretëror për të luajtur muzikë flamengoje”, që atëhere ishte muzikë avanguardiste në Europë dhe që ai kishte marrë nga “Princi shqiptar një shumë të madhe parash si kurrë më pare”.

Skënderbeu mecenat arti – shkruan një studiuese.

Sa bukur! Kur Shqipëria e vogël luftonte me një perandori, nga më të fortat dhe Arka e Shtetit nuk ishte dhe aq plot. Skënderbeu vizionar, Skënderbeu i së ardhmes, se do të vinin kohëra kur vriteshin poetë e burgoseshin.  

Jo rastësisht po ridel këto ditë dhe një portret i hershëm, vizatuar nga të huajt, “Skënderbeu me libër në dorë”. A nuk kishte Ai mik dhe me shkrimtarin Marin Barleti? Patjetër që Ai e dinte thënien e Muhamedit, që boja me të cilën shkruajnë fëmijët, është më e shtrenjtë se gjaku i dëshmorëve”. Po që është dhe një libër i rëndësishëm konstitucional për Shqipërinë “Kanuni i Skënderbeut”? Pra Ai udhëzonte se si të administrohej dhe paqja.

Dhe u bë  “Yll i Karvanit” për popullin e tij në shekuj. Dhe jo vetëm kaq. Mbrojtës i qytetërimit Perëndimor. Si tha një kongresmen amerikan, që pa Skënderbeun dhe Amerika mbase do të kishte ndryshe. Se do të ishte ndryshe dhe Europa.

Prej virtyteve vijnë të gjitha këto… Më të forta se kështjellat.

Dhe meqënëse sot morëm pjesë në një meshë, më vjen të lutem tani para jush.

LUTJA NË DY GJUHË GJERGJI YNË, QË JE NË QIELL

Gjergji ynë, që je në Qiell,

Atë i Kombit tënd dhe Bir i popullit tënd,

u shenjtëroftë emri yt,

ardhtë mbretëria jote,

u bëftë vullnesa jote

nga Qielli në tokën, kudo ku ka shqiptarë,

të bashkuar të jemi, se kështu bëhemi më të fortë,

që të fitojë e mira.

Porositë e tua si bukën e përditëshme na i jep sot,

Të duam AtDheun dhe njëri-tjetrin dhe punën

dhe virtytet t’i bëjmë tonat. Na i fal fajet tona

dhe mos lejo faje të të tjerëve mbi ne.

Me shpatën tënde të godasim urrejtjen,

me mburojën tënde të mbrojmë dashurinë,

kali yt të bëhet Pegasi i muzave

dhe mos na lërë të biem në tundimet

e egoizmit dhe korrupsionit dhe na liro nga i keqi

brenda vetes e përreth nesh,

me ndihmën e Zotit, o Zot!

Kurora paqeje me lule shpirti të vëmë mbi veprat e njeriut

ja ashtu si sot në statujën tënde

dhe bekime bashkatdhetarëve të tu kudo e përgjithmonë!

Amen!

OUR GEORGE, WHO ART IN HEAVEN

Our George, who art in Heaven

The Father of our Nation, and the son of our people,

Hallowed be the name,

Thy kingdom come,

Thy will be done,

From the heavens onto the earth, where there art Albanians,

Let us be united, as that will make us stronger,

The allow the good to overcome.

Give us this day, like our daily bread, your orders,

To love our motherland and one-another,

And to make our hardwork and virtues ours.

Forgive us our betrayals, as we forgive those who betray against us.

With your sword let us fight the hate,

With your shield let us protecht the love,

Let your horse be like our Pegasus

And lead us not into tempations, and egos, and corruption

But deliver us from evil, from within us to the people around us,

With the help og God, oh God!

Let us place the crown of peace with sacred flowers

On the heads of the deeds of good people

Like today, on your statue here in Michigan,

And bless your Albanian people, forever and always,

Amen!

Përktheu Xhuliano Pjetrushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat