Aritidh Kolja: Një poet i tillë si Agolli nderon Shqipërinë, Ballkanin por edhe Europën

Kultura

Aritidh Kolja: Një poet i tillë si Agolli nderon Shqipërinë, Ballkanin por edhe Europën

Nga: Albert Z. Zholi Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 09:02
Dritëro Agolli

Pasi shkruam për ushtarë e oficerë të letërsisë së arteve, nuk mund të mos e ndajmë më vete gjeneralin e tyre. Nuk di nëse Dritëro Agolli kishte ardhur edhe herë tjetër në Athinë apo jo, por kësaj radhe atë e pritën siç do ta prisnin në një rreth të Shqipërisë me rastin e Muajit të Letërsisë dhe Arteve. Njeriu që së bashku me Kadarenë e Rexhep Qosen përbëjnë triumfin e kulturës së shkruar shqiptare, nuk mund të mos shënohet si një kulm i jetës së emigracionit shqiptar në Athinë.

Ideja e parë për një vizitë të mundshme, jo për turizëm, natyrisht, por për të pakësuar mallin e emigrantëve, na u dha në muajin qershor 1996. Qe ndodhur këtu gazetari dhe juristi S. Braho dhe ne, një grup adhuruesish të letërsisë biseduam me të për Dritëroin. Diçka na premtoi zoti Braho. Nuk duheshin shumë çika për t’u ndezur eshka e mallit. Lajmet e para nga Shqipëria ishin inkurajuese.

Lajme nga “qiraxhinjtë e Grebenesë” që vinin duke kaptuar malet. E dija që zoti Dino Kubati shkrimtar e publicist arvanitas, si dhe i mirënjohuri Aritidh Kolja, ishin gjithashtu të interesuar shumë për vizitën e Agollit. Dino Kubatis mori përsipër nxjerrjen e vizave, ndërsa unë e disa shokë përgatitjet për sallën e lajmërimin e emigrantëve…Salla, natyrisht duhej paguar.

Më pas, kur gjithçka kishte mbaruar, disa “diplomat”do të tregonin haptazi kurnacërinë e tyre për ca mijëra dhrahmi. Nejse, u detyrova t’i paguaja vet, i bindur se do të më ndihmonin edhe emigrantët e tjerë, sikundër bënë. Por nderi i kombit, siç qe poeti i madh, ishte numëruar me ca të holla…

Nuk e di se cila gazetë kishte shkruar diçka për përgatitje dhe telefonatat e emigrantëve nisën të binin pa pushim. Kur, ku si do të mbërrinte poeti i madh? Si mund të sigurojmë një ftesë? Në ç’orë mund ta takojmë në mënyrë që pronarit t’i themi … e kupton? Nuk merrnim dot frymë nga telefonatat. Dhe ja, ai erdhi ashtu, papritur siç mund të vijë një poet. Jo vetëm. Me dy të tjerë: E shoqja Sadija dhe poeti tjetër Moikom Zeqo.

Qe një alarm që përshkroi gjithë “pjesën” shqiptare të Athinës. Poeti i madh kishte bredhur mjaft nëpër Shqipëri dhe kishte pasur shumë miq. Miq, që nga ndonjëherë nuk i mbante mend, sepse u kishte bujtur vetëm një darkë në shtëpi. Por ata e konsideronin këtë gjithë jetën një nder të madh dhe tani, të emigruar në Greqi, natyrisht jo midis 3 milion shqiptarëve, por midis 500 000 emigrantëve, ngjante se Shansi për t’u bujtur edhe një herë poeti në shtëpi ishte 10 herë më i madh.

Nga ana tjetër ishte e para herë që njëri nga intelektualët më të mëdhenj të vendit, njëherësh edhe për pozitën e tij të qartë politike, e bënte njeriun e letrave dy herë më interesant për ikanakët. Ata donin të qanin hallet me të si me një kushëri të madh e të dëgjuar, me një ‘post” në ‘komitet”, sepse tani kishin mbetur pa shtëpi e katandi, pa punë për djemtë, pa dhëndurë për vajzat.

Hallet ishin të rënda sa malet e Shqipërisë. Se mos erdhi më parë ndonjë ministër e qëndroi të llafosej me ta?! Se mos erdhi presidenti i vendit e t’i lironte sado pak nga vargonjtë e pikëpyetjeve? Se mos u tha njeri se vuajtjet tuaja do të mbarojnë në këtë vit të këtij shekulli apo të atij tjetri dhe ata të mos flinin të qetë… Se mos…!!!

Mirëpo, shqiptarët nuk e dinin se për Drirtëroin kishin nevojë edhe grekët.

Dhe jo grekët hallexhinj, si ata vet, por grekët e pasur: domethënë grekët shkrimtarë, artistë e gazetarë… O perëndi, ndoshta shkrimtari i madh do t’u thoshte këtyre grekëve të dëgjuar që…Po ç’t’u thoshte më parë! Apo më mirë mes veti, pa na dëgjuar bota?! Salla ku e prisnin grekë e shqiptarë bashkë ishte mbushur plot e përplot. Ai qëndronte, përqafohej me dikë, dikujt i jepte vetëm dorën, ca të tjerave u mbetej dora shtrirë se ai kalonte tutje…Jo si mbretërit mendjemëdhenj, por ngaqë nuk mund t’i takonte të gjithë. Ajo qe salla e lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Greqisë.

Ftesa i takonte klubit “IDEON” dhe ai i falënderoi së pari drejtuesit e tij për këtë vizitë të shumëdëshiruar. Pastaj ai foli gjatë. I njihte rrënjët e kulturës së dy popujve, siç dinte rrënjët e familjes së vet. E njihte letërsinë greke, siç njihte atë shqipe. Veç donte, që siç njohin shqiptarët, mitologjinë dhe letërsinë greke, ashtu edhe grekët duhet të njohin disa nga perlat tona. Fjalët e mençura binin si vesa, por edhe ai si breshër. Herë të mbusheshin sytë me lot, herë të skuqeshin veshët. Pastaj lule, poezi të tij të recituara nga shqiptarë e grekë, në shqip e greqisht…

Në fund të fjalës së Dritëroit Aristidh Kolja më tha: “Me njerëz të tillë të fjalës dhe të penës, Shqipërisë e shqiptarëve u takon tjetër fat. Dhe besoj se do të vijë dita ta kenë. Një poet i tillë nderon Shqipërinë, Ballkanin por edhe Europën”…Mbas takimit, bashkë me Dritëroin, Moikom Zeqon e Spartak Brahon, Aristidhi na ftoi për darkë në shtëpinë e tij. Biseda e tij me Dritëroin ishte aq magjepsëse, sa nuk e kuptuam si ikën orët e drita e ditës tjetër na gjeti po aty, në ballkonin e shtëpisë së tij në periferi të Athinës…Të nesërmen adhuruesit e tij shqiptarë do ta ndiqnin deri në ishullin histori të Salaminës. Beteja e madhe greko-persiane i la famë në legjenda këtij ishulli. Gurë e shkëmb këtu është kthyer në parajsë.

Njeriu i lirë ka bërë krijimtarinë e tij nëpër kopshte, vila hotele, drurë…Ai si një fëmijë ka “vizatuar” jetën e begatë me rrëke djersësh. Këtu erdhi poeti i madh. Sepse klubi “IDEON” e donte edhe për vete midis anëtarëve të tij. Zoti Dino Kubatis pa u infektuar fare nga zilia e krijuesit tha me plot gojë se, ishte nder i madh të kishte kaq pranë një shkrimtar e poet të përmasave të tilla. Po të dinit ju grekë të lexonit shqip Dritëroin do të drithëroheshit si unë. Faleminderit z. Kubatis, tha poeti ynë i madh! Po ne jemi komshinj dhe na ndan vetëm një oborr i vogël.

Dikur kishim edhe një gardh, por e shembën edhe atë. Të dy këto “shtëpi” i kaluan tërmetet me sukses. Tërmeti i madh qe ai i luftës çlirimtare kundër italianëve dhe gjermanëve. Unë isha vetëm 9 vjeç tha ai kur Italia sulmoi Greqinë, por asnjë shqiptar nuk u gëzua për këtë. Më pas ne luftuam së toku gjermanët. Partizanët tuaj të lavdishëm erdhën deri në Korçë e Përmet. Unë i mbaj mend shumë mirë se u bëra partizan i vogël. Aso kohe ju grekët ishit shumë të varfër, të uritur...Dhe kaluat gardhin dhe hytë në oborrin e fqinjit.

Dhe fqinji ndau me ju grushtin e fundit të miellit që kishte mbetur në hambar. Pastaj ai foli për të kaluarën shqiptare në totalitarizëm, për shtetin e ri demokratik, por edhe kundër atyre që i mohojnë historisë së vendit tonë gjithçka të vyer që krijoi në ata 50 vjet. Duke u ndaluar vetëm në veprat e historisë, ai tha, se qe një periudhë e vështirë por pjellore dhe krijoi vlera të tilla që i njohu gjithë Evropa. Ata ishin Oaze në shkretëtirën e ideve të diktaturës. Agolli hoqi paralele me periudhën e diktaturës në Greqi ku shkëlqyen pena të tilla të fuqishme si Seferis, Ricos, etj. Ndërsa tani që shkruajnë e botojnë të gjithë, vëmë re se majat janë rrafshuar...Gjithçka është kthyer në një qetësi të trishtueshme. Folën edhe të tjerë për letërsinë. Zoti Kubatis shtroi aty një drekë për nder të miqve të shquar. I zoti i lokalit Spiro Sovreli, kur mori vesh se me ç’miq kishte të bënte u bë copë për të shërbyer sa më mirë. Kur do të ndaheshin, Dritëroi i Madh, i tha mikut:
-U kënaqëm në verandën e lokalit tuaj të mbuluar me rrush. Por do të ishim kënaqur më shumë, në qoftë se do të ishte pjekur edhe rrushi!

Me emigrantët
Në ditën e tretë e të vërtetë ai donte të ishte “vetëm” me njerëzit e tij emigrantë. Kishim siguruar sallën qendrore të Universitetit të kryeqytetit grek. Qenë mbledhur me qindra e s’kishte ku të hidhje mollën. Shtypi i PD, me gjithë fyerjet që ishte munduar t’i bënte poetit të madh, nuk kishte arritur të shmangte nga ky takim vet simpatizantët e asaj partie. Poeti ishte mbi partitë. Poeti ishte mbi krahinat. Poeti ishte mbi politikanët. Pavarësisht se ishte pozicionuar në një krah të mendimit politik shqiptar. Ai vizitonte Athinën pas zgjedhjeve të diskutueshme të 26 Majit 1996, pas përleshjeve politike të opozitës me forcat e pushtetit në Shqipëri, pas lëvizjeve politikane që kishte bërë lideri i burgosur i opozitës socialiste Fatos Nano, lëvizje që ato ditë quheshin shumë të diskutueshme. Edhe poeti i madh në biseda private i përkrahte lëvizjet e Nanos, por dënonte mënyrën se si ishin bërë ato. Por ajo që e gëzonte atë ishte fakti se Partia Socialiste dilte nga papjekuria totalitare e PD-së në një parti me diversitet mendimesh.

Sepse, grupime të tilla të mëdha njerëzish, të majtë, apo të djathtë, thoshte ai, nuk mund t’i futësh në rresht dhe ata thjesht të zbatojnë komandat. Në PS ka mënyra të ndryshme, por nuk ka masa përjashtuese për ata që mendojnë ndryshe. Në PD do të përjashtoheshe po të dilje kundër Berishës, tha ai, sikundër përjashtoheshe dikur në Partinë e Punës. E mbytën në pyetje. Qe zbrazja e atyre halleve që qenë grumbulluar para se ai të vinte. Dhe ai si shqiptar e filozof dinte vetëm të jepte këshilla, të jepte gjykime se si do të shkonin punët në të ardhmen. Sepse megjithëse ishte më i madh se mbreti, nuk qe vet mbreti. Por edhe kur nuk e pret qëllimin, hedhja tej e brengës të lehtëson sa s’bëhet... Këtë bëri Dritëroi me ata emigrantë të etur për drejtësi në vendin e tyre...

Pastaj nuk ishin vetëm sallat. Poeti dhe miqtë e tij që e shoqëronin kudo nëpër Athinë kishin rastin të uleshin e të pinin një kafe atje ku i ftonin. Ishin ata të njohur e të panjohur, shqiptarët që këtu larg ngjajnë të gjithë kushërinj, poetët që nuk kanë botuar kurrë vargje por e ndjejnë veten nga kjo racë superiore, por edhe socialistë të thjeshtë që duan të takojnë dikë nga “maja” e partisë së tyre. Nëpër kafenetë e “Omonias”, apo gjetiu vazhdonin kështu ato biseda për hallet e Shqipërisë dhe të emigrantëve. Poeti vizitoi shtëpinë e emigrantit Z. Zhupa dhe Sh. Jahja. Unë pata fatin ta kem mysafir një natë në shtëpinë time.

Qe një ëndërr. Si ç’do i ri shqiptar për Dritëroin kisha dëgjuar shumë, kisha marrë nota për krijimtarinë e tij, kisha bërë hartime, kisha mësuar shumë vargje përmendësh nga korpusi i gjerë i poezisë e poemave të tij. Të rinjtë e brezit tim, edhe pa shumë dëshira në letërsi, dinin dhjetëra vargje përmendësh të poemës “NËNË SHQIPËRI”. Dhe ja tani, ky idhull ishte ulur në shtëpinë time. Por jo në shtëpinë time të vërtetë në Shqipëri, por në shtëpinë time me qera në Athinë. Por qe edhe Sadija e tij, gruaja që i kushtoi aq shumë vargje, që mbiu dynjanë, me ‘turkeshën” e tij, qe gruaja që u bë shoqe e pandarë në dallgët e jetës së tij. Dhe atje në cep, një krevat i thjeshtë ku do të flinte poeti i madh. Ç’mendime do t’i trazonin trurin pjellor para se gjumi të ulej mbi qepallat e tij? Ç’ëndrra do të shihte me gogolë a shtriganë që hanë emigrantët së gjalli? Ç’shtojzavalle do të bredhin nëpër vargjet e tij të ardhshme të cilat do të kenë për fillim këtë krevat të thjeshtë shtruar në një shtëpi athinjote? Nuk e di... Por unë isha i lumtur që kisha për darkë atë njeri aq të shtrenjtë...

*****
Dritëro Agolli
Albert Zholi shkruan me një penë të ëmbël dhe të qetë, sikur valëzon. Ai hyn në shpirtin e personazhit dhe e zbërthen atë duke na e prurë pranë të gjallë dhe të freskët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat