Një çast i pagjumë

Kultura

Një çast i pagjumë

Nga: Dritëro Agolli Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 23:29
Dritëro Agolli

Çdo gjë ngarkohet-shkarkohet në jetë,
Ngarkohet-shkarkohet toka e madhe,
Mbushet qielli nga retë e shkarkohet nga retë,
Mbushen pemët me fletë e shkarkohen në vjeshtë.

Ngarkohen me borë malet e lartë 
E bora shkrihet në verë,
Ngarkohet ajri me tym e me vapë
E vapa shkarkohet në dimër prapë.

Ngarkohen lumenjtë me ujë nga shirat,
Lumenjtë zbrazen në motin e thatë,
Ngarkohen arat me grurë e vijnë të shirat
Dhe zbrazen e mbeten të lira.

E prapë ngarkohen të gjitha, të gjitha,
Të gjitha ç'janë mbi tokë;
Shkarkohen me gaz, me dhimbje e britma.
Nga rrapi i madh e deri te hithra.

Ngarkohet njeriu me dhimbjen e rrallë,
Nga dhimbja e rrallë shkarkohet,
Por ndryshe çdo gjëje, mundohet, mundohet,
Por ndryshe çdo gjëje shkarkohet ngadalë
Dhe mbeten rrudhat e thella në ballë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat