Kambana e artë e shqiptarëve të Rumanisë, në lisin e fjalës poetike

Kultura

Kambana e artë e shqiptarëve të Rumanisë, në lisin e fjalës poetike

Nga: Vullnet Mato Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 11:23
Kopertina e librit

Në Mesjetën e vonë, bijtë e mëmëdheut, të përhapur në trojet e mërgimit, bashkuan tingujt e florinjtë të zërave të tyre patriotik dhe derdhën kambanën e artë  shqiptare të Bukureshtit. Kjo kambanë e fuqishme jehoi gjatë, për pavarësinë e kombit arbëror, e tundur fort nga kambanari i shquar Nikolla Naço, Pandeli Sotiri etj. Tingujt e saj nuk heshtën për asnjë çast, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, kur shkuan në të tjera duar patriotike të zjarrta. Së fundi, jehonat e saj i mori në dorë, kambanari më i ri shqiptar, Baki Ymeri.    

Ky shkrimtar, poet, publicist, përkthyes, eseist, me zë bubullimash nga bjeshkët e origjinës veriore të malësisë, i vendosur në familjen e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, veprimtar i shquar, i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, njohës i disa gjuhëve të huaja, dëgjohet sot me tonalitet të lartë, në Rumani, Evropë e kudo më tej. Me frymën e tij të traditës patriotike të Rilindësve tanë, Baki Ymeri ka disa dekada që ndez pasionet e atdhedashurisë të shqiptarëve të Rumanisë, Kosovës, Maqedonisë e të diasporës shqiptare kudo në botë.   

Duke lexuar “Mbretërinë e fjalëve”, të mbretit të fjalës shqipe në Rumani, s’ka se si të mos ngazëllehesh e të ndjehesh krenar, që brezi patrioteve shqiptarë përtej atdheut, ka lindur një bir të tillë, që mban ndezur, flakadanin e fjalës lirike të gjuhës shqipe. Ai të drithëron qysh në fillimin e librit, me këto fjalë të derdhura në vargje mbretërore: “Me muzat tona ndjehemi krenarë/ Porsi mali përballë detit/ Digjemi etapë pas etape/ Për t’u shembur një ditë/ Në kraharorin e dheut/ Që na pret me padurim/ Duke mbetur për kujtim/ Një mbishkrim me titullin/ Këtu prehet Bubullima e Bukureshtit”

Baki Ymeri parashtron në këtë libër të ri edhe misionin e tij, qëllimin fisnik dhe kredon e poetit, duke iu drejtuar mbarë lexuesve: “Ju ftoj ta nderojmë njëri-tjetrin/ Në kështjellën e magjepsur të fjalëve/ Të shtrojmë kafenë e mëngjesit/ Me filxhanët e jetës së përjetshme.” Në librin “Mbretëria e fjalëve”, numrin më të madh të poezive e përbëjnë lirikat e ngrohta për dashurinë dhe fuqinë e saj shndërruese, të thurrura me ndjesi të holla dhe përfytyrime të qarta metaforike: “Dashuria është fuqia e parë/ Shëmbëlltyra e saj është drita/ Që e shemb errësirën/ Duke i shndërruar bjeshkët/ Në anije fluturuese.”

Figurën e femrës së dashur, ai e skalit me pak daltime të shpejta, për të na dhënë një portret fluid, por të kapshëm të atmosferës, me të cilën ajo na rrethon. “Ti je energjia ime e gjallë/ Perëndesha e dashurisë/ Shenja e fshehur në dritë/ Kur je afër diellit digjesh/ Kur je larg meje ngrin/.../ Kur i prek, kallen e dridhen/ Të rrëmbejnë e të ngashënjejnë/ Nga jeleku gjinjtë u shpërthejnë/ Dhe ngadalë e dalëngadalë/ Me puthje t’ëmbla e pa fjalë/ Të përplasin n’shtrat të butë/ E ndjen veten si me qenë mbret/ Të ngrenë në qiell e të bëjnë poet...”. Dhe më tej: “Bukuroshet e Bukureshtit/ Dhe zanat e Dardanisë/ Janë ato që na bëjnë burra..”

Nderimi dhe respekti i tij prej artisti, për gratë dhe femrat në përgjithësi, shprehet me një varg krahasimesh metaforike të gjetura mirë, për stolisjen e botës prej tyre dhe dëbimin e maskarenjve deri në harresë, nga bukuria e tyre: “Bota është e stolisur me gra/ Biblioteka e mbushur me rafte librash/ Deri në tavan, madje dhe në tra.../ Bari dridhet si shtati i femrës/ Që i dëbon maskarenjtë/ Në trojet e harresës...”

Poeti abstragon mjeshtërisht bukur, duke portretizuar  vetveten me elementë të natyrës, me të cilat ai krijon ngjasimin: “Dikur pemët kishin sy/ E di me siguri, sepse shikoja/ Kur isha pemë/ Më kujtohet kur më çukisnin/ Flatrat e çuditshme të zogjve/ Që kalonin para meje”. Në vazhdim ai ndërton paralelizmin figurativ, mes poeteve dhe pemëve të mëdha, që lëkund era e kohës: “Sa herë që plepat/ Dridheshin/ E përdridheshin/ Për ta parë hijen/ E përkundur nga era/ Krijohej një këngë/ Që e dëbonte vjeshtën/ Dhe e sillte pranverën/.../Sa herë që poeti/ Ngjitej në qiell/ Për ta prekur hënën/ Netët perëndonin/ Me qepallat e lodhura”

Si mund të shprehet më bukur e më natyrshëm, jeta e thjeshtë e shqiptarit të thjeshtë, por me botë shumë të pasur shpirtërore, me traditën e mikpritjes dhe ritet zakonore: “Nëna e piqte bukën në çerep/ Baballarët tanë kuvendonin/ Për besë mikpritje e trimëri/ Me pjatën e fjalëve/ Në Sheshin e Drithit”. “Nga Maja e Zezë e Vardisha/ Vjen  flladi mbi arat me grurë/ Për bukën e ngrohtë/ Që të pret në tryezë/ Për mikpritjen e zgjuar”.

Nostalgjia për dashurinë e viteve të fëmijërisë, jo vetëm nuk mbetet në harresën e poetit, por ndërkohë merr edhe ngjyrime të larmishme e ndjenja të përmallshme: “Sa herë shijoja buzët tua moj biondinë/ Më përkujtohej mosha e fëmijërisë/ Dhe vinte dimri me varkat e erës/ Vera gërshetohej me vjeshtën…/ Ti ishe si një sorkadhe që çapëlonte/ Nëpër lagjen e ëndrrave tona.” Në katër vargje, të rreshtuara me esencën e kursyer të fjalëve, autori i talentuar shpreh mendime me dimensione të mëdha dhe nënkuptime të habitshme, për të djeshmen tonë karakteristike:“Kush janë ata që s’janë/ Dhe kush ishin ata që e s’ishin…/ Pyetje e koklavitur kjo/ Për ata që kishin e s’kishin”

Pothuajse në të gjitha krijime e tij, autori, i shkrirë shpirtërisht me mjediset dhe njerëzit e Shqipërisë, i ndërton poezitë nga pozicioni i hapësirës dhe kohës shqiptare: “Vetëm përpara teje moj zanë Dardanie/ E ndjej veten të qetë, të lirë e të shenjtë/ Zëri yt porsi një tringëllimë violine/ Dridhet duke shpërndarë dritë dashurie”. Lidhjen e pazgjidhshme ndër vite, mes Kosovës së ndarë nga Shqipëria nënë, autori e formulon me pak fjalë bindëse, që dëshmojnë shumë për njohjen historike dhe talentin e tij: “Nga vinin anijet/ E mbushura me fjalë/ Nga deti nga qielli/ Apo nga shpellat e hënës/ Fjala me fjalën nuk kruhet/ Sepse historia e Shqipërisë/ Pa Kosovën nuk mund të shkruhet”. “Kush do t’i paguajë gabimet/ E Konferencës Ambasadorëve/ Duke kërkuar falje moj zanë/ Në emër të stërgjyshërve tanë...”

Dhe më poshtë, ai plotëson mendimin poetik, se bashkë me popullin e trojeve tona, poetët me armët e tyre të fjalës, shkrehën shumë krisma për lirinë e Kosovës:“Krejt jeta na shkoi me fjalë/ Duke i mbledhur me kujdes/ Siç i mblidhnim dredhëzat/ Manat qershitë e qershizat/ Nëpër lëndinat e Sharrit/ Për lumturimin/ E buzëve të shqiptarit/.../ Edhe kësaj bote t’ja lamë nji namë/ Bini more trima bini.../ Kosovën serbit mos me ja lanë!”

Si shumë shqiptarë jashtë kufijve shtetëror, Bakiu i ka jetuar vite të gjata të ndarjes, me sytë dhe veshët nga Shqipëria:“Sa herë që e dëgjonim/Radio Kukësin e Tiranën/Shungullonin gurrat e Dardanisë/ Dhe flatronin fjalët tona/Majave të Arbërisë/Që e ëndërron kaherë/Bashkimin e Madh Kombëtar”. Ky poet, filiz i shqiptarit, e ka vuajtur mbi shpinën e tij diktaturën komuniste, si Lorka spanjoll diktaturën Frankiste: “Telefoni i zi/ Me të cilin na përgjonin/ Kameleonët e sistemit të stigmatizuar/ Dremit në muzeun/ E fjalëve pa fjalë”.***”Frika trembej nga guximi i bujkut/ Që në vend të fjalëve e hidhte grurin në arë/ Dhe mugullonin të lashtat gjatë verës/ Kur bujku me kosën e Dikës/ I shkurtonte këmbët e frikës./ Mugullonte përsëri frika në vjeshtë/ Dhe fshihej si breshka në vreshtë/ Herë pas gurit e herë pas murit/ Krimbat e turbullonin/ Epideminë e përjetësisë/ Ndërmjet dyshimit e marrëzisë”.

Ky poet, militant i kombit të vet, jeton  me kohën, hap pa hapi dhe rënkon për hallet e popullit të tij të rraskapitur: “Mbi flatrat e kohës flatron trishtimi/ Pushtetarëve u mungon guximi/ Për të zbritur në gjirin e popullit/ Që merr rrugët e mërgimit...” Poet i shquar, Baki Ymeri, me horizontin e tij të gjerë jetësor, nuk qëndron mbyllur në sferën prej qelqi, me ngjyrat larushitëse  të artit poetik, por jeton situata bashkëkohore me lupën e tij të kthjellët, duke bërë edhe përcaktimin e mëkateve që i vijnë njerëzimit, sipas përvojës së mendjeve të ndritura, që i përshtaten edhe vendit tonë: “Ja 7 mëkatet e kësaj bote/ Sipas Mahatma Gandit:/ Pasuria pa punë/ Kënaqësia pa ndërgjegje/ Dija pa karakter/ Tregtia pa moral/ Shkenca pa humanizëm/ Adhurimi pa sakrificë/ Dhe politika pa parime”

Duke bashkëjetuar me përvojën letrare të autorëve të shquar shqiptar, ai vijon të zbrazi breshërimën e vargjeve kundër së keqes sonë kombëtare: “Maskarain e tremb tërmeti i fjalëve/......./ Dhe del Lasgushi e ia pret troç:/ Ti demon i shkretëtirës/ Që kalon me vaj në duar/ Flet e ç’flet, dhe vret e pret/ Për një virgjinitet…” Për të mos e zgjatur shumë mendimin tim analitik, po e mbyll me këto tre vargje kuptimplotë të mikut tim poet shqiptaro-rumun: Si Ju duket fshati ku Zoti flet shqip/ Magjia e fjalëve dhe ishulli i pavdekësisë/ Shija e nostalgjisë/ Dhe shpirti i dashurisë...”

Përfundimisht, më duhet të theksoj e të sjell në dukje, se duke e lexuar me një frymë, nga fillimi në fund këtë krijim madhor, krejt origjinal të autorit të nderuar Baki Ymeri, kam konstatuar me kënaqësi, se struktura kompozicionale e tij, i ngjan një lisi vigan. Në të cilin, trungu është nocioni kryesor i zanafillës së njerëzimit “Në fillim ishte fjala” dhe prej këtij trungu dalin të gjitha degët e poezive, të lidhura organikisht me këtë pemë poetike, nga rrënjët deri te maja.

Kjo gjetje artistike e mahnitshme për nga bukuria, shënon edhe vlerën më të madhe të këtij botimi dinjitoz, që e ka bërë me mjaft fantazi, ky mbret i fjalës, i cili i shushurit degët e lisit të tij, me një fllad ndjesie tepër të këndshme për lexuesit. Shpirti i tij këngëtar, ka mbledhur nëpër degët dhe gjethishtet e blerta të kësaj peme nga lisnaja shqiptare, të gjithë zogjtë e hapësirës ballkanike, që të jehojnë në një simfoni liriko-epike, me ëmbëlsinë e cicërimave të tyre të hareshme. Për mendimin tim, kush merr në dorë këtë botim, ka marrë një thesar në bibliotekën e vet, për të pasur në raftet e saj, tingujt e kambanës së artë, të këtij kambanari shqiptar, që shpërndan tinguj atdhedashurie, nga brigjet e largët të Rumanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat