Mbledhje komemorative për Nuhi Matoshin

Kultura

Mbledhje komemorative për Nuhi Matoshin

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 12:43
Mbledhje komemorative

Dje u nda nga jeta aktori e regjisori i njohur Nuhi Matoshi. Për nder të tij, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, komuna e Gjilanit ka mbajtur një mbledhje komemorative.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se Nuhi Matoshin e bënë të pavdekshëm vepra e tij shumëvjeçare, jo vetëm në këtë skenë, ku e ka filluar karrierën, por edhe në fushat tjera të arit, ku e ka vazhduar punën e tij, duke dhënë një kontribut prej regjisori në Radio Televizionin e Prishtinës dhe duke mbetur i pandashëm me filmin dhe teatrin.

Në emër të komunitetit artistik, ka folur aktori Sabedin Shahiqi, i cili ka nënvizuar bashkëpunimin me kolegun e tij, që siç ka thënë ai, kishte filluar pikërisht në skenën e teatrit të qytetit në Gjilan, në vitin 1971.

“Nuhiu do të jetë përherë i pranishëm në këtë skenë, në qytet dhe në shoqëri, përmes veprës së tij”, ka thënë Shahiqi

Kurse në emër të familjes, vajza Argjenda Matoshi ka thënë se Nuhiu kishte zgjedhur të bënte rolin e babit dhe të shokut dhe kjo e ka bërë atë që ndihet  vajza më me fat në botë.

“Babin tim e deshën të gjithë, sepse ai ishte i dashur për të gjithë”, ka thënë Argjenda. 

Me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit e regjisorit, Nuhi Matoshi, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin artistik.  

“Me dhembje të madhe e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit të mirënjohur kosovar, Nuhi Matoshi. Nuhi Matoshi do mbahet në mend për kontributin e jashtëzakonshëm në sferën e regjisë në RTP, por edhe në projekte të shumta filmike e teatrale, duke kontribuar në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave artistike”, ka  thënë Haziri. Nuhi Matoshi u varros të mërkurën në varrezat e Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat