Kampion kombëtar dhe maraton i mërgatës shqiptare

Kultura

Kampion kombëtar dhe maraton i mërgatës shqiptare

Nga: Xhemail Peci Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 07:29
Krijimtaria e Baki Ymerit

Atdheu, nderi dhe dinjiteti. Gjuha shqipe për njeriun për të cilin shkruajmë, përfaqëson kështjellën më të rëndësishme të ekzistencës sonë. Shqipëria sipas tij, ka lindur para krijimit të botës dhe para lindjes së diellit. Baki Ymeri është oksigjen i mërgatës shqiptare, vullkan i pashuar, pëllumb i paqës, zëri i vetëdijes kombëtare, një shpirt i fuqishëm e plot jetë.

Titulli mund të duket i ekzagjeruar, sepse nuk kemi të bëjmë me një kampion kombëtar në fushë të sportit, por të përkushtimeve të ditëpërditshme e natëpërnatshme për afirmimin e vlerave shqiptare në botë. Lexuesi gjithmonë ka nevojë për risi, sepse bota është një univers i mrekullive të mbrujtura me një forcë divine. Artikulli respektiv bazohet në një serë komentesh dhe komplimentesh që nxjerrin në pah portretin e një veprimtari të shquar të kulturës shqiptare në diasporë. Unë e kuptoj shpirtin e brendshëm të intelektualëve shqiptarë sot, kur shpërthejnë me vrullin e tyre në raste të veçanta, sidomos në fushën e krijimtarisë letrare, patriotike dhe artistike të diasporës shqiptare, te të cilët buron shprehja e shpirtit mërgimtar e mishëruar me binomin komb dhe atdhe. Gjuha shqipe për njeriun për të cilin shkruajmë, përfaqëson kështjellën më të rëndësishme të ekzistencës sonë. Shqipëria sipas tij, ka lindur para krijimit të botës dhe para lindjes së diellit. Edhe kjo imagjinatë mund të duket e ekzagjeruar, por jo edhe vlerësimi i Vangjush Zikos nga Kanadaja, i cili e falënderon dhe përshëndet për punën e tij patriotike dhe kulturore të palodhur.

Veprimtaria e tij nuk ka "Stop", thekson Dedë Preqi nga Zvicra. Ajo vazhdon me ritmin e saj në forma të ndryshme artistike, patriotike dhe letrare. Ky njeri është një zjarr i fuqishëm që e shpartallon monotoninë, e dëbon urrejtjen, e zbutë xhelozinë, e djegë smirën njerëzore, në sajë të një shpirti artistik dhe human që ka në qenjen e tij, thuajse gjakon për çdokend që ka gjak shqiptari dhe atdhetari. Edhe në vargjet e redaktuara prej tij, shfaqet një gërshëtim ndjenjash përplot motive të cilat rrëfejnë dhe zbulojnë qëllimet e poetit në rrugën e vet patriotike. Sipas Neki Lulajt, ai është përjetësi dhe një flakë e shqiptarizmit që shndrit në Univers. Ai përhap rrezet e shqiptarisë përmes motiveve të ndryshme, duke u dhënë dritë universale lexuesve të admiruar, duke prezentuar vlera kombëtare, pa u lodhur kurrë, gjithmonë me mjeshtri artistike që din t’i zgjedhë. I lumtë pena dhe mos iu mplaktë kurrë mendja këtij pëllumbi të paqës dhe lobuesit të Zemrës Shqiptare dhe mbarë shqiptarisë!

Për këtë njeri ka shkruar me admirim edhe Ali Podrimja i pavdekshëm, Sali Bashota i famshëm, Visar Zhiti i përjetshëm, Xhelku Maksuti, Luan Topçiu, Gëzim Marku, Sadulla Zendeli Daja, Bota sot, Ilir Dardani, Fakti i Shkupit, Aurel Dasareti, Kurtesh Devaja, apo Dilaver Goxhaj duke cituar Remzi Limanin, sipas të cilit zëri i tij ta përkujton Faik Konicën e ditëve tona. Sipas Hasan Qyqallës, Baki Ymeri është oksigjeni i mërgatës shqiptare, ndërsa Kozeta Zylo e konsideron si një nga personalitet më të shquara të çështjes shqiptare në Diasporë, një shpirt fisnik që me penën e tij të artë mblodhi pranë vehtes shqiptarët që flasin gjuhën më të vjetër në botë. Këto vlera gjithmonë duhen çmuar dhe bërë shembull kudo, përndryshe, po qe se nuk e përkujtojmë, Zotin, Familjen dhe Atdheun çdoherë e kurdoherë, do të na drejtojnë antivlerat dhe kultura do të mbetet në mjerim. Xhevat Muqaku thekson se Bakiu është një shpirt i fuqishëm e plot jetë, i cili meriton respekt të veçantë në mesin e shumë krijuesve në mërgim. Riza Lahi nga Tirana e konsideron si një patriot i madh, ndërsa Miradije Gash thot: “Ju jeni shpirti i kombit, kurse feja le mos të bëhet mollë sherri që të qeshë bota me ne!” Jo çdokush ka fatin e këtij njeriu të ketë një fe të dyfishtë, duke i dhënë prioritet fesë së tretë, që sipas tij është feja e parë: atdhetarizmi.

Komente, admirime dhe komplimente

Suksesi vjen nga familja dhe respekti ndaj gjuhës, atdheut, nderit dhe dinjitetit. Emri i mirënjohur i Baki Ymerit është shembull dhe burim frymëzimi për të gjithë ata që e lexojnë dhe respektojnë veprën e tij të vyer. Nuk digjet për vetëveten apo për familjen e tij, sa digjet për ne, edhepse familjen e konsideron si një dhuratë e shenjtë e Perëndisë. Dit’e natë digjet si Naimi në garsonierën e tij që e ka shndërruar në një arkiv vlerash të mrekullueshme shqiptare, duke drejtuar dy revista të famshme që dalin me nga 50 faqe në kolor (Shqiptari dhe Kosova), duke lexuar, shkruar, përkthyer, redaktuar e botuar. Miqtë e tij janë të panumërt, si lulet e fushës dhe gjethet e malit. Unë studioj në Angli dhe qysh në rini të hershme kam dëgjuar për këtë vlerë shqiptare me shpirt të florinjtë. Agim Shehu e çmon për njohjen e shkëlqyer të gjuhës shqipe, kurse Pal Sokoli ka theksuar se ai  është një Apostull i letërsisë dhe kulturës shqiptare anë e kënd botës. Kush nuk e di se ku jeton ky njeri, do të mendojë se jeton diku afër tij. Ai vërtet jeton aty ku flitet dhe shkruhet shqip, por edhe aty ku shkruhet dhe flitet një gjuhë e huaj që flet me admirim për shqiptarët dhe Shqipërinë, pa asnjë ndikim të huaj. Thonë se edhe fqinjët e tij rumunë kanë filluar të flasin shqip (Tiberius Puiu, Doru, Laura Rushani etj.). Puna dhe veprimtaria e tij nuk mund të përmblidhet në një libër të veçantë për të, por në disa vëllime me subjekte si: Zogu i Sharrit në zemër të Bukureshtit, Afirmimi i Kosovës në gjuhën rumune, Poeti i dashurisë, Drita shqiptare e Bukureshtit, etj.

Unë e falënderoj nga zemra për pëmbledhjen e përzgjedhur nga krijimtaria ime me poezi "Gjaku i Dashurisë" ("Blut der Liebe") në dy gjuhë, atë rumune dhe gjermane, që e ka botuar në Bukuresht, thekson Pal Sokoli në një koment të tij. E falënderoj nga zemra për publikimin e poezive të mia nëpër revista dhe gazeta rumune, na shkruan një zanë shqiptare nda Dardania jonë. Edhe unë e përgëzoj nga zemra për prezantimin e të gjitha figurave të zgjedhura të letërsisë shqipe. Më vjen shumë mirë qe jetoj dhe komunikoj me një pinjoll, me një Apostull të tillë të kulturës shqipe siç është Bakiu, thekson një dashamir tjetër i tij. Ramiz Dermaku e përgëzon për kontributin që jep për çëshjten kombëtare, duke shtuar: “Mirëpo fjalët e mia i kanë marrë të tjerët, dhe mua s’më ka mbetur gjë pos t’i uroj shëndet të mirë dhe jetë të gjatë.” Lum Atdheu dhe kombi që të ka, thot Ilia M. Dilo nga Greqia, duke e quajtur “Një misionar i vërtetë”, duke shtuar se vetëm njerëzit intelegjentë dhe të ndershëm mund të kryejnë vepra të mëdha: “Zotëri! Të përgëzoj nga zemra për perpjekjet Tuaja për të mbajtur gjallë revistat Shqiptari dhe Kosova, duke Ju uruar rrugë të mbarë në misionin e tyre të shenjtë!”

Përpjekjet e mia për të qëndisur një portet në bazë të komenteve dhe letërkëmbimit privat, më duket një formë e re e publicistikës sonë. Këtë njeri, një autor romanesh policore e ka kërcënuar me hedhje në gjyq pse e ka kritikuar librin e gjymtë të një ambasadori komunist, por Bubullima nuk trembet prej askujt, sepse e mbrojnë engjëjt. Po kështu ka vepruar edhe një ishudbash të cilin Kadri Mani i ndjerë e ka lënë pa brekë, por Shqiponja e Shqipërisë në trojet e Rumanisë nuk ka frikë nga kërcënimet, sepse e mbrojnë engjëjt. Sylejman Morina nga Kosova do ta fillojë vlerësimin e tij me një Përshëndetje nga Dardania: “Kur njeriu pranon informacione të kënaqshme, nuk mund të jetë indiferent emocionalisht ndaj refleksioneve të tyre. Andaj shkrimet e këtilla na krijojnë çaste të bukura. Me vëmendje i lexova ato vlerësimet të cilat sipas mendimit tim, paraqesin realitetin ashtu siç është. Sukseset Tuaja  sigurisht nuk do të mungojnë as në të ardhmen, vetëm sa do të rriten e do të shtohen. Të urojmë dhe dëshirojmë suksese te reja në hulumtime, krijime letrare dhe përkthime poetike! Paçi përkrahjen e Zotit!"

Një shembull konkret i mbarëvajtjes së kulturës shqiptare në botë

Kështu do të shprehet Skënder Zogaj (emër i njohur i letrave shqipe), duke vazhduar: “Tashmë kur dy pjesët kryesore të tokave shqiptare janë të lira, them se nevoja për pasqyrimin e vlerave shqirtërore të shqiptarëve është edhe më e madhe, sepse, siç po shihet, Shqipëria dhe Kosova janë të lira, mirëpo ende te pazonja për të manifestuar lirinë në masën e duhur. Dhe, kjo po ndodh sepse ende nuk po mund të vijë ne shprehje zëri dhe potenciali intelektual, vlerat e vërteta te qenies njerëzore. Një shembull konkret e kemi me Baki Ymerin që, fjala vjen, bën shumë më tepër se sa institucionet kompetente të Kosovës në gjetjen, zgjedhjen, përgatitjen, përkthimin dhe botimin e krijimeve të autorëve tanë që jetojnë dhe krijojnë në botë. Kjo është diçka tepër e madhe, prandaj nuk ka si të mos e them, i bindur se kjo duhet te thuhet sa më zëshem, sa në shenjë të mirënjohjes për Ju, po aq edhe në shenjë të zgjimit të ndërgjegjës së institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, që duhet të këndellen dhe të gjejnë forma e mundësi të një bashkëpunimi më të thellë e më të gjithanshëm me qendrat e ndryshme dhe veprimtarët në to, për qasje dhe këmbime reciproke te veprave dhe të veprimtarive të dobishme. Rumania është vendi që na intereson shumë dhe, që kemi interes ta zgjojmë kërshërinë e saj me vlerat tona.”

Poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare, do të shprehet zoti Zogaj: “Ky portret i ri kushtuar Baki Ymerit, më solli risi dhe sihariqe të reja. Këtij njeriu i buzëqeshi fati të përkthejë e botojë mbi 100 poetë shqiptarë nëpër revistat rumune, dhe mbi 30 libra poetësh nga Kosova shqiptare në të njëjtën gjuhë. Fjala është për vëllime mono apo dygjuhëshe që vlerësohen me reçensione të favorshme në të dy gjuhët. Është një dukuri e rrallë e afirmimit të kulturës shqiptare që na gëzon shumë, sepse për autorin nuk ka gjë më të madhe se sa kur e kënaq lexuesin, e që në rastin e përkthyesit, kënaqësia është e shumëfishtë, sepse përkthyesi është lexuesi special, prandaj e falendëroj nga zemra edhe për vlerësimin që kanë bërë kritikët rumunë, jo vetëm për librin tim, duke e shumëfishuar në këtë mënyrë subjektivizmin e miqësisë sonë të vjetër.”

Shqiptar i përkushtuar do ta quajë Drita Lushi nga Shqipëria: “Para disa ditësh dëgjova për herë të parë për Baki Ymerin. Nëpërmjet këtij shkrimi lexova dhe mësova më shumë për këtë poet, publicist dhe botues. Respekt për mendjen e tij dhe për njerëz të tillë.” Remzi Limani është shprehur: “Faleminderit miq të Zemrës Shqiptare! Nëpërmjet kësaj tribune, nga zemra i falënderoj të gjithë dashamirët e krijuesve në mërgatë, në veçanti, adhuruesit e zotëri Baki Ymerit, të cilin me të drejtë e potencova në shkrimin tim, ngase Bakiu më duket si një bajraktar i cili kuqëlon nga larg, për ta lëshuar kushtrimin e ndërgjrgjjes gjithandej, së bashku me tingëllimat e shqipes së bukur nga Bukureshti i Asdrenit tonë.” Bubullima e Bukureshtit, pa kurrfarë sponsorizimi qeveritar nga Tirana apo Bukureshti, është gjithmonë në mbrojtje dhe afirmim të shqiptarizmit, ditë e natë, duke e braktisur jetën private, duke mos krijuar kurrfarë kushtesh për një jetë normale apo ekzistencë. Etnik Kosova do ta quajë Vullkan i pashuar: “Të lumtë pena o i nderuar për punën tënde të papushuar në Prushnajën e Asdrenit, për guximin që posedoni për përhapje rreze kulture gjithandej në botë. Jeni pishë, fanar i ndritur dhe vullkan i pashuar. Jeni ju mrekullia vetë që mbani gjallë kulturën shqipe me fanatizëm e seriozitet. Prano vëlla urimet me të nderuara nga ata që te respektojnë, nga ata që janë të dashuaruar në kulturë e letërsi, e që të vlerësojnë si një Yll të pashuar i Diasporës shqiptare. Zjarri i shpirtit tënd ka krijuar dashamirë të panumërt të poezisë gjithandej në botë, sepse dëshmon se je shqiptar i kulluar me shkrimet dhe me lirikën tënde që është kontinuitet i traditës sonë dhe të mbarë shqiptarisë.” 

Ku jeton shqiptari, valon flamuri dhe shqipja i shtrin krahët për së mbari

Duke kundruar flamujt e shqipes në bibliotekën e tij, një lexues i pasionuar nga Diaspora do ta quajë Fryma shqiptare, për të vazhduar: “E lexova dhe e përjetova këndshëm shkrimin e Remzi Limanit për mikun tonë që i freskon rregullisht faqet e shtypit shqiptar me reportazhe dhe artikuj vlerash të rralla. Personalitetin e kompletuar të Baki Ymerit e percjell një penë polivalente me talent. Bubullima e Bukureshtit vërehet dhe ndjehet çdokund ku frymojnë shqiptarët.” Sadik Krasniqi e përshëndet dhe falënderon për punë të mbarë: “Urime autorit dhe Zemrës Shqiptare për këtë portet vlerash të veçanta publicistike! Lumi flen e Baki Ymeri nuk flen, sepse vetëm puna i jep kuptim jetës së njeriut që vepron për kombin e tij, jo vetëm në Atdhe, por edhe në diasporë. Bota sot dhe Zemra Shqiptare na e kënaqin shpirtin me të gjitha shkrimet që i boton. Mos u ndalni, se sa më shumë emra shqiptarësh që prezantohen jashtë vendit të tyre, kjo është një vlerë më vete, ngase prezantohet tingëllima e fjalës shqipe!” Eduard M. Dilo: “Baki Ymeri është simbol i ndritur i çështjes kombëtare. Çfarëdo që të shkruhet e të thuhet për të është pak. Ai është një patriot i vërtetë që punon plot shpirt e pasion për çështjen shqiptare. Ai është një ambasador i pashpallur i kombit tonë në Bukuresht. Fjalë tepër të zjarrta dëgjova për te këto ditë në dy takime që pata me Dr. Prof. Theodor Damian si dhe përkthyesen e shquar rumunene, Maria Petresku. E çmonin së tepërmi Bakiun dhe punën e tij tejet të vyer. Lum ju që e keni këtë veteran të palodhur, më thanë. Përshëndes autorin e shkrimit, përshëndes Zemrën tonë Shqiptare, që është një xhevair në publikim materialesh, përshëndes Bubullimën e Bukureshtit dule i uruar shëndet e mbarësi.”

Nexhat Rexha, ishdeputet i Parlamentit të Kosovës, shkrimtar dhe profesor: “Emri i Baki Ymerit dhe roli i tij në angazhimin e çështjes shqiptare nuk është vetëm vazhdimdimësi i Rilindësve tanë, por edhe ruajtës dhe ndërlidhës i dy kulturave. Puna konkrete dhe përhapja e letërsisë postmoderne shqiptare frymon jashtëzakonisht bukur në gjuhën rumune, falë punës së tij të palodhshme. Bakiu me dijen, dashurinë dhe punën që është duke e bërë, shumë shkrimtarëve rumunë dhe shqiptarë u ka mundësuar të komunikojnë në mes veti. Ajo që duhet të dihet, është fakti se krejt këtë punë e angazhim, Bakiu e bën me vullnetin e tij. Derisa shtetet tjera angazhojnë ekipe, Bakiu e bën këtë punë pa konpenzime shtetërore dhe konsideroj se ka ardhur koha që të dy qeveritë tona, ajo në Shqipëri dhe kjo në Kosovë, të angazhojnë këtë njeri në rolin e ambasadorit kombëtar për të dy shtetet tona. Sa të vonohen qeveritarët e tanishëm, ata që do të vijnë nesër do ta kërkojnë këtë njeri për këto punë, por atëherë do të jetë vonë. Pra, roli isntitucional dhe financiar do të avansonin projektet shkencore të paluara në arkivin personal të tij. Të tjerë do ta plotësonin këtë nevojë dhe pasuri kombëtare shumë më herët. Dhe se për ne është këmbana qe pret t’i bien sa më shpejt e pa vonesë tingëllimës së Bukureshtit për të ndriçuar rrugën e kombit tonë edhe në këtë vend me traditë të kulturës sonë. Periudha e Rilindjes Kombëtare mbetet njëra ndër fazat më të rëndësishme për këtë që e kemi sot. Me Bakiun dhe shqiptarët e Bukureshtit, fjala dhe kultura shqiptare do të mund të hapëronin aty ku ne duhet te jemi.”

Neki Lulaj, alias Etnik Kosova: “Ku jeton shqiptari, valon flamuri dhe shqipja i shtrin krahët për së mbari: E çuditshme është kjo jetë. Mund të shkruash njëqind portrete të pafrymëzuara dhe asnjërin s’ta botojnë, dhe e qëndisë një portret të frymëzuar dhe menjëherë ta botojnë. Mund të bësh njëqind apo njëmijë fotografi nga të cilat asnjëra apo vetëm njëra mund të ketë vlera artistike. Baki Ymeri është njëri ndër bletarët më të zellshëm të diasporës shqiptare, i cili i mbledh zgjojat e mjaltuara të letërsisë dhe kulturës shqiptare, kudo të shpërndara nëpër këndet e botës, duke i kultivuar ato si vlera të çmuara, por të mbuluara në pluhurin e harresës.”

Shkëndijë e bjeshkëve të Sharrit në Bukuresht

Anonim: “Nga zemra me pikojnë fjalët jeta ikën me shpejtësi si nuk na ofruan këto brigje e male të shtruara në një tryezë me Bubullimën e Bukureshtit. Të bisedojmë bashkë me ty, se unë ende s’u takova as me Asdrenin. Fort e desha atë pishë dielli që shumë na ngrohi e na e pasuroi letersinë. Flatrat e Engjëllit ai ia ngjiti. Urime poetit nda Ilirida ku nga maja e Sharrit e thërret kushtrimin, e me vargjet e bukura e melankolike përkundet në djepin e Naimit. Shëndet bashkë e shumë miqësi me kafenë e mëngjesit po ju bekon një bashkëkombas buzë Rheines në Gjermani!” Sylë Tusha: “Baki Ymeri është një pasuri kombëtare e tërë diasporës. Ai është një ambasador i kulturës është trashëgimtari i Asdrenit që jeton buzë Danubit në Bukureshtin e patriotëve shqiptarë që dikurë aty morën vendime historike për ta shpallur shtetin shqiptar. Juve, Baki, ua kam shumë "zili" se jeni penë e Fishtës, jeni diell për shqiptari që shëndrrisni nga çdo anë, duke prezantuar vlera të larta e veteranë të pavdekshëm shqiptarë. Ju jeni një fanar shqipeje, një patriot i vlerave etnike! Urime, mbarësie pavdekësi, Ju uron një poet nga mërgata e që digjet si dru pishe për shqiptari!”

Shqiptari i Gjermanisë: “Të lumtë! Jemi të bindur se atdhetari, poeti dhe ambasadori i diasporës letrare shqiptare nuk e ka mendjen të frymojë pa frymuar së bashku me librat dhe vargjet e ndonjë poeti apo shkrimtari shqiptar. Ky zog nate i palodhur, në mesin tonë po prezanton portrete të penave të ndryshme dhe të vyeshme. Kjo tregon se gjithnjë, ky misionar i diasporës sonë ka lindur të veprojë në fushat e kësaj kulture, të cilat janë të rëndësishme për opinionin tonë dhe për opinionin e huaj, sepse nuk janë punë politike dhe ditore, por janë punë kombëtare dhe kulturore. Uroj edhe poetin Ali M.Lajçi, i cili na sjellë një frymëzim të thukët me librin e tij.”  Miradije Gashi: “I nderuar! Ju jeni zëri i vetëdijes kombëtare! Bukuria e shpirtit Tuaj s'ka limit, i preokupuar vazhdimisht për Atdheun, atje ku jeni e do të jeni përjetësisht!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat