Lule, zogj dhe dëshpërim

Kultura

Lule, zogj dhe dëshpërim

Më: 9 mars 2018 Në ora: 19:13
ilustrim

Të mërkurën në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren,  është hapur ekspozita personale e piktorit, Shahadin Mejzini. Pjesë e hapjes së ekspozitës së piktorit, Shahadin Mejzini, ishin artistë të ndryshëm, miq e bashkëpunëtorë të autorit dhe nxënës. Artisti i mirënjohur i pikturës, Ibrahim Skenderi, tha se autorin e kësaj ekspozite e njeh prej kohësh, dhe se ai edhe përmes këtij projekti të ri që po e shohim sot , vazhdon të mbaj ritmin e duhur në krijimtarinë figurative, theksoi ai. Vet autori, Shahadin Mejzini, tha se kjo ekspozitë i dedikohet festave të marsit e në radhë të parë asaj të Ditës së Mësuesit, dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit të ri të tij në fushën e krijimtarisë figurative.

Lulet, zogjtë në hapësirë dhe dëshpërimi janë disa nga motivet të cilat i paraqet në pikturë artisti Shahadin Mejzini. Lulet vijnë nga ndërdija e tij, janë të qeta në sfond me një vjollcë shumë të fortë të përzier më të verdhën dhe në vete përmbajnë një ekspresivitet të thellë modernë. Kurse zogjtë herë janë në fluturim, e herë stoik, te  ata që fluturojnë vërehet shpejtësia sikurse te futuristët, vetëm se këtu forma e tyre kalon në abstraksion. Përmes ngjyrave intensive, të pastra dhe të  mbyllta, të  ftohta e të ngrohta, vërtiten ndjenjat, pasionet, dhe vrulli i dufit të brendshëm, dhe theksi kryesor i formave bie në kuptimin e brendshëm, herë është psikologjik e herë individual. Me frymën abstrakte e ekspresive tablotë veçohen edhe për nga imazhet  tjera, duke filluar nga shprehja, subjekti, apo aplikimi i teknikës së  pikturës.

Sfondi i hapësirës kolorisitike ruan në  vete akorde shumë  specifike ku përfshihet drita natyrale. Raporti i ngjyrës në  sfond është  shumë  i qetë , poetik, dikund vërejmë  ngjyra primare dhe sekondare, por edhe shkallëzime dhe drita kudo në  pikturë  depërton nga brendësia e vet. Ngjyra ka tingullin dhe është  e kumbueshme.

Dikund në  epiqendër të  kompozicionit përveç që  dominojnë zogjtë dhe lulet, vërejmë  ca vibrime ngjyrore që  përfaqësojnë  tredimensionalen. Vrazhdësia e ngjyrës shpreh metaforikisht ikjen nga vetja, tjetërsimin. Kjo ndodh për shkak pamundësisë  për të  qenë  vetja, bëhemi dikush tjetër. Format janë të  një  lloj kombinimi supremastik të  begatuar me kolorit që  në  tërë  kompozicionin rrezaton emocion.

Është  konfrontim i rrëmujës së  brendshme në  spektrin ekspresiv të  ngjyrës. Vërejë  forma në  lëvizje sa poshtë  sa lartë , lëvizje të  drejta të  brushës, dikund të  lakuara, por të  qëllimshme sa vendosen në  të  majtën e pëlhurës sa në  të  djathtën, krijimin e baraspeshës. Pastaj, lind rehatia dhe komoditeti shpirtëror.

Ritmi si dhe harmonia, poashtu bashkëngjitet edhe hapësira pikturave dhe bëhen si elemente më  forcuese në  tërësinë  e kompozicionit. Kompozicionet e tij shquhen me sens ritmik, raporte ngjyrore, trajta të  pastra, gërshetim kulturash përmes ngjyrave sepse ngjyra është  gjuha më  globale. Efekti më  i madh kompozicional lartësohet përmes kontrasteve të  ngjyrave intensive, pastuoze, koloritit transparent në  hapësirën po e quaj qiellore sepse format duken sikur gërvishtin qiellin.

Ndryshe, kjo është ekspozita e tetë personale e piktorit, Shahadin Mejzini. Ekspozita do të jetë e hapur deri të premten. Autori i ekspozitës, Shahadin Mejzini , aktualisht është mësimdhënës i i lëndës së artit figurativ në shkollën e mesme të lartë teknike “ 11 Marsi”, në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat