Çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të asimiluar në Maqedoni

Kultura

Çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të asimiluar në Maqedoni

Nga: Jahja Lluka Më: 11 mars 2018 Në ora: 07:37
Foto ilustrim

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, familja Qiriazi është njëra nga familjet që dha kontribut të jashtëzakonshëm, duke shkrirë kështu gjithë pasurinë, intelektin dhe kulturën për çështjen atdhetare. Nga familja Qiriazi dolën inteketual të mëdhenjë si: Papashqevi, Sevasti, Kristo, Gjergji dhe Gjerasimi, të cilët ishin bijat dhe bijtë e Maria dhe Dhimitër Qiriazit nga qyteti i bukur i Manastirit. Në historinë tonë kombëtare Kongresi i Manastirit shënon një triumf për gjuhën shqipe, poashtu është një kthesë për kulturën dhe çështjen shqiptare në kohëra kur qenia jonë rrezikohej me mosekzistencë në Ballkanin e tërbuar nga pushtuesit sllavë, grekë dhe turq.

Roli i familjes Qiriazi për Kongresin e Manastirit ishte dhe do mbetet i pamohueshëm, sakrifica e tyre ngeli në histori duke e ngritur zërin e shqiptarëve në instancat më të larta të asaj kohe. Por ku janë sot pasardhësit e familjes Qiriazi dhe si jetojnë ata? Në emisionin “Në Mbremje me Agim Poshkën” Risto Qiriazi pasardhësi i kësaj familje të denjë shqiptare, tregon se si gati gjithë jetën, jetoi si i asimiluar duke mos guxuar të deklarohet shqiptar nga regjimi sllav. Është e dhimbshme se si familjet e mëdha shqiptare të ritit ortodoks janë asimiluar. Është jonjerëzore se si të drejtat e tyre themelore janë shkelur gati për një shekull para syve të Evropës, dhe do jetë dhe më jonjerëzore nëse zërat e këtyre shqiptarëve nga dy shtetet shqiptare nuk dëgjohen, sepse janë dhe do mbesin gjak i yni, pavarësisht rrethanave të cilat i kanë detyruar ta mohojnë vetveten, duke jetuar të nëpërkëmbur sa të jetë jeta.

Poashtu, dhuna ndaj themeluesit të Bashkësisë Fetare Ortodokse të shqiptarëve në Maqedoni, Branko Sinandinovskit para disa ditësh në Shkup, duhet të dënohet, pasi që të drejtat themelore të njeriut nuk mund të shtypen në asnjë formë, nga cilido regjim apo ideologji prezente. Vëllëzerit tanë të asimiluar të cilët kanë filluar të deklarojnë rrënjët e origjinës duhet të mirëpriten, të mbrohen dhe të dëgjohen nga institucionet e shteteve shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare pasi që të drejtat bazike ekzistenciale të asnjë individi apo familje të tyre nuk guxojnë të vazhdojnë të shkelen, sepse janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. (*Jahja Lluka është Këshilltar i Kryeministrit Haradinaj. Zgjodhi Baki Ymeri, enkas për Botën sot dhe revistën Shqiptari.)

Post Scriptum

„Vëlla im dashur Zt. Naço, - i shkruan Gjerasim Qiriazi nga Korça më 9/21 dimërori 1892: Me gaz të madh e këndova letrën e Z-së Sate që e mora dje... Shumë na nderove që kur dërgove 10 napolona për ndërtimin e skolisë, të cilët zunë vend të mirë, se ato bashkë me ca ndihmëra të tjera na bënë të vëmë një themel të shëndoshë ndë punët e gjuhës sonë. Zoti jua shpërbleftë! Ne e kemi patur ndër mënt t’ju bëjmë shok të nderit të kësaj Vëllazërie (biblike), se s’harrojmë dot të mirën tuaj... Motin e ardhshëm ne kemi ndër mënd të kemi edhe çupa që gjetkë nga Shqipëria të janë e të vishen ndë skolitë. Ndë mbledhçim ndonjë ndihmë për së shpejti do të zëmë të ndërtojmë nja dy oda për të fjetur... U përqafonj me shumë mall, Gj. D. Qiriasi.” Disa muaj më vonë, më 27/8 prill 1893, Gjergj Qiriazi shkruan:

 „Vëlla im i dashur, Zt. Naço, Bukuresht. Letrën e Z-së Sate të pastajmen e mora ndë Korçë. S’pata nge të të shkruanj, ndonëse kisha shumë fjalë për të thëmë... E para fjalë që dua të them është se Petrua (Petro Nini Luarasi – martir i shqiptarizmit), i cili ka fituar shumë kundërshtarë nga ca veta ndë Korçë. Mbesonj të jesh pjekur me Zt. Jovan Kosturin, i cili është sjellë fort me mënd ndë punë të skolisë, po tash posa iku ay. Petron e përfolnë shumë keq me fjalë të paduruarshme, kaqësa u nangos të ngrerë plaçkat nga skolia dhe t’i shpjerë ndë shtëpi gjetkë. Përmbi të gjitha, këta e lanë fare pa para, edhe kur iku nga Korça u anagas që t’i jap unë ca të holla të shkonjë Pashkët... Zoti Petrua është me zemër të përvëluar edhe me shpirt e me mish përpiqet për të mirën e skolive. Nuk i erth kaq keq për vetëhen e tij që mbet pa para, por kërkoi para për priftin dhe për dhaskenjtë, edhe s’i dhanë...”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat