15 marsi është ditëlindja e Faik Konicës

Kultura

15 marsi është ditëlindja e Faik Konicës

Nga: Beqir Sina Më: 15 mars 2018 Në ora: 13:07
Faik Konica

Biografi i njohur Faik Konicës, Ilir Ikonomi, studies, gazetar e publicist ka kujtuar sot në 133 vjetorin e lindjes së Faik Konices, atë si një nga diplomatët e medhenj - personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare, nder vite, me një pjesë nga libri "Faik Konica - Jeta në Uashington" si dhe me nji video realizuar nga Top Chanel në shtepinë ku ka lindur Faik Konica.

Ikonomi shkruan se ai lindi në vitin 1875 në këtë shtëpi të Konicës (sot Greqi), të cilën e vizitova për herë të dytë në nënor 2012, kësaj here me gazetarin Sokol Balla. Shtëpia është ende aty, e rrënuar, e braktisur, thotë Ikonomi 

Duke shtuar se në vitin 2010, kur e zbulova shtëpinë, shkrova këto rreshta, të cilat po i ribotoj me rastin e përvjetorit të lindjes së Faik Konicës:

"Ishte një pamje vërtet trishtuese, sepse çatia dhe dyshemetë e kateve brenda ishin shembur plotësisht, ca nga koha e ca nga një tërmet në vitin 1996. Disa trarë, që vareshin si pendulë, dukej sikur do të këputeshin mu në sytë e mi.

Deri në një farë lartësie, muret e jashtëm ishin prej guri ngjyrë gri të gdhendur dhe i kishin qëndruar kohës për bukuri. Kjo duhet të ketë qenë pjesa e hershme e shtëpisë, e ndërtuar që më 1771 sepse, siç mora vesh, ajo qe rindërtuar shtatëdhjetë e ca vite më vonë. Edhe qemeri i portës kishte mbetur i paprekur. Në të dyja anët e tij kishte nga një pllakë guri ku shkruhej Bismillah al-Rahman al-Rahim dhe fjalë të tjera arabisht që ftonin mysafirin brenda. Dikush qe përpjekur ta lyente shtëpinë nga jashtë me gëlqere, por kjo kishte rënë thuajse krejt. 

Shtëpia ishte dykatëshe dhe kishte një bodrum përgjysmë nën dhe. Me sa kuptohej, kati i parë kishte patur shtatë dhoma. Ndërkaq, dy palë shkallë të harkuara prej guri, që shquheshin me vështirësi në gjithë atë shkatërrirë, të çonin në odat sipër. Vetëm një gjë nuk qe prekur thuajse fare dhe ky ishte oxhaku i lartë që kishte mbetur si direku i një vapori. Të bënte të mendoje se ndërtuesit e hershëm duhet t'i kishin kushtuar kujdes të veçantë oxhakut si shenjë e sërës së familjes.

Jashtë në avlli, rrasat e gurit mezi dukeshin nga bari. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia qe kthyer në shkollë të mesme dhe pastaj i pat kaluar bashkisë për ta riparuar. Si duket rindërtimi qe lënë në mes dhe askush nuk kishte vënë dorë më. Ishte pak a shumë si në ato pamjet e dokumentarit Life After People, që rrëfen se si do të jetë jeta në planetin tonë pasi të jenë zhdukur njerëzit.

Befas mu fanepsën imazhet e largët të një Faiku të vogël, të cilit hoxha i fshatit me çallmë në kokë i mësonte arabisht në shtëpi. Jashtë portës më pushtoi një ndjenjë e pashpjegueshme dhe nisa të shihja me kujdes ku e hidhja këmbën. Po shkelja mbi ato rrasa të avllisë, ku Faiku bashkë me vëllezërit dhe motrat kishin kaluar ditët e gjata duke luajtur nën diellin e ngrohtë dhe në ajrin e kthjellët të maleve.

Vështrova qiellin blu, pastaj majat me borën gati të përjetshme dhe u përpoqa të përfytyroj se si mund të kishte qenë ajo kohë e shkuar. Duhet të kishte qenë tamam ashtu siç e kishte shkruar Faiku: “Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël”.

Në fund ai sqaron se kjo pjesë është marr nga libri i tij,  "Faik Konica - Jeta në Uashington".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat