“Do të vdes, i mbytur në borxhe…”/ Vargjet e Xhevahir Spahiut që “të thyejnë” zemrën

Kultura

“Do të vdes, i mbytur në borxhe…”/ Vargjet e Xhevahir Spahiut që “të thyejnë” zemrën

Më: 17 mars 2018 Në ora: 17:45
Xhevahir Spahiu

Në rrethet letrare dhe akademike Xhevahir Spahiu është poeti më i dashur.

Pa e bezdisur lexuesin me “biografinë e thatë” të Xhevahir Spahiut që mund ta gjejë kollaj çdokush në internet, do të ndalemi vetëm tek 3 vlerësime që janë bërë për këtë autor, nga personalitete po aq madhështorë sa ai.

– “Poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse”, ka thënë Dritëro Agolli për Xhevahir Spahiun.

– “Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkon rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij…”, theksoi Ante Popovski, në Shkup, 1998

– “Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore”, ka thënë Robert Elsie (Historia e letërsisë shqiptare, Nju Jork 1995).

Ndërsa në vijim, do të mund të gjeni 5 poezi të Xhevahir Spahiut, vargjet e të cilave përdoren shpesh edhe sot e kësaj dite, në situata të caktuara.

Në krye të listës, supershendeti ka radhitur si më të preferuar poezinë “Borxhet e mia”, e cila mbetet hit edhe sot e kësaj dite…

BORXHET E MIA

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë, a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.

EJA TË VDESIM E DASHUR

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?

Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.

Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani.

NJË PYETJE QË DUHET BËRË PATJETËR

Mëngjes. Mesditë. Mbrëmja tretet…
nga kalendari fleta ra.
shkoi edhe një ditë; unë pyes vetveten:
“ditës ç’i dhe e çfarë të dha?”

Një ditë shkoi. Pas saj vjen tjetra,
ti mbjell një pemë, një gur ti vë;
nga guri, ja, u ngrit ndërtesa,
dhe pema pyll i madh u bë!

Koha vrapon. Vrapon si lumë;
nga kalendari fleta ra.
Vetvetes pyetjen i bëj unë:
“Ditës ç’i dhe e cfarë të dha?”

REKUIEM PËR ORËN 6…

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen

Ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë

Ti s’po vjen
S’po vjen

S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s’ekziston

Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika…

TË MBAJ NË DUAR

Të mbaj në duar, dashuria ime.
Krijesë prej qelqi
me shkëndijime yjesh.

Kam frikë..
Kam frikë se mos më bie dhe
thyhesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat