Thellësi të trazimeve poetike, midis unit dhe etnisë

Kultura

Thellësi të trazimeve poetike, midis unit dhe etnisë

Nga: Dukagjin Hata Më: 1 maj 2018 Në ora: 13:14
Ilustrim

Kur lexova librin me poezi “Atdheu plagë e pashëruar” të poetit nga Gjakova Ali Tahiri, pata ndjesinë e një endjeje të pafund, ku imazhet dhe gjendjet këmbëhen pambarimisht dhe kujtesa si mesazh dhe si emocion kthehet në semantikë të identifikimit të derivateve poetike. Poeti e konfiguron figurën dhe imazhin poetik me anë të transfigurimit estetik, duke e kthyer kërkimin e unit në një mënyrë të identifikimit të  shqetësimeve vetjake dhe kolektive të etnisë së tij.

Gama e tematikës së poezive të Tahirit është e gjërë dhe e larmishme, por në fokus të gjithçkaje mbetet fati i atdheut të tij, i cili mplekset e shkrihet në një me fatin e tij si individ, me ëndrrën dhe zhgjëndrrën, me iluzionin dhe deziluzionin, me realitetin dhe fiksionin.

Ali Tahiri e ndërton fabulën poetike në përputhje me strukturën liriko-dramatike të vjershërimit dhe përjetimin e gjendjes vetjake si emocion, që buron nga pavetëdija e tij poetike, nga ato trajta arkitipale, që duke u përthyer në vetëdijen estetike të poetit, kthehen në mesazhe gjithëkohore.

Ali Tahiri është një poet i angazhuar me fatet e atdheut të tij, me denoncimin e krimit të falangave serbe dhe gjithçkaje tjetër që i pati ngrirë akrepat e orës shqiptare, por ky është një angazhim estetik, që nuk ka asgjë të përbashkët me parullat e “agjitpropit” dhe shtysat e sociologjimzit vulgar, që i çon mjaft poetë në qasje deklarative dhe agjitatative.

Thellësia e sondës së tij poetike nxjerr në sipërfaqe gjendje dehëse e trallisëse të unit dhe të jashtësive të tij, kërkimet e një shpirti, i cili nuk pajtohet me të rëndomtën dhe lyp konture në ikje që vazhdimisht largohen nga fokusimi fillestar dhe kthehen në vizatime të shkujdesura, më dorë të lirë. Kjo thellësi e çon atë në histori dhe përditshmëri, në mitolgji dhe faktologji, në përvojë individuale dhe kolektive, në kujtesë, përjetim, mbresë, emocion të beftë dhe të gjitha këto mpleksen e ndërthuren harmonkisht në vargje e strofa, të renditura në ritmet e brendshme dhe strukturat e një lirizmi harmonic e spontan.

Plaga e e pashërueshme e Atdheut gjendet kudo, në tokën e tij, në pamundësinë e shqiptarëve në Ballkan për të kapur kohën e humbur; por mbi të gjitha, kjo plagë është thellë brenda poetit, si dhimbje e klithmë, si vetëkriticizëm dhe pendim, për çfarë nuk u krye si duhej, për çfarë nuk u latua dhe përsos në mënyrën më të mirë të mundshme me daltën e kohës e ku poeti, në këtë përcjellje, rrallë herë e ka shikuar veten, “në pasqyrën e jetës/ku heshtja thyhet/ e ëndrra vdes”. Vizatimi i dhimbjes së thellë: “Shpirti qanë edhe kur këndoj/Melodia e zënë në fyt plagë shpirti është” pasohet me endjen e poetit në “puhinë e kujtimeve të paharruara”, teksa  “përqafon ylberin në horizont/shijon shtatë ngjyrat e tij”…

 Filozofia e vetëkriticizmit e çon autorin në kërkime të befta, në endje edenike, në kalkulime logaritmike gjendjeje dhe impresioni, ku, siç thotë në poezinë e tij “Thurem çthurem”: “Thurem e çthurem/Rrëshqas në akullin e iluzionit/Se ëndrrën do ta bëj zhgjëndërr”…

Në poezinë “Skeleti i tharë-heshtje” poeti teksa përsiat imazhe dhe gjendje transhendente, poeti kalon në kërkime të tejthella poetike, të atij soj, ku shkrihen në një dilemat ekzistenciale me dyshimin filozifik të jetës dhe vdekjes, ku lypja e derivative të mbrame e çon tek “materia e pa asgjesueshme”, e cila ka të bëjë me skeletin, me genin dhe shpirtin, që janë të përjetshëm.

Imazhet që na përfton poeti nga shkuarja deri thellë e përjetimeve dhe ndjesive të tij, na bëjnë poezinë e Ali Tahirit të ngrohtë, të prekshme, por dhe të beftë e tronditëse në të njëjtën kohë.

Befasia që sjell vargu i tij buron nga dy elementë: nga rikonfigurimi i imazhit si kujtesë dhe perceptim dhe nga strukturimi modern poetik, me vargje të hapura, ku metafora dhe enumeracioni ngërthejnë dritëhijet e një bote poetike plot ndjesi dhe emocion.

Teksa gjurmoj atë plazmim estetik të dendur e të ngjeshur në përfytyrime, imazhe, mesazhe, tekst e nëntekst, që përftohet prej një leximi të kujdesshëm të poezisë së Tahirit, gjej të plazmuar një përditshmërinë të thyer në grimicime gjërash të prekshme, të imëta e konkrete, gjej nën të njejtin kulm historinë dhe ardhmërinë, të cilat që të dyja “frymojnë” nga përditshmëria, ku tash sa kohë vazhdon një betejë e çuditshme, siç thotë poeti: “mes meje dhe hijes”…

Tahiri është i natyrshëm në aktin e tij shkrimor;poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është suprizuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Kjo shpalosje e poetit, sjell me vete një aromë të veçantë jete, si një kumt ndjellës drejt përsosmërisë shpirtërore, në kufijtë mes realitetit të rëndomtë, që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik…

Poezia e Tahirit bie në sy për figuracionin xixëllues, trazimin e thellë dramatik, ndjesitë e holla, zhgënjimin, dhimbjen dhe rebelimin qytetar, për antikonformizmin, për magjijimin e tablove, akuareleve, mesazheve, poliseminë e figurave dhe trajtave të imazhit poetik, kontrapunktin dhe befasimin, si elementë të rëndësishëm të mozaikut poetik.

Tahiri e  përdor fabulën poetike për të depërtuar në mitologji, në histori, në përditshmëri, duke vështruar përtej çdo sipërfaqeje të lëmuar, deri thellë në lëkurë, në poret e kohës dhe ankthin sindromik të bashkëkohësve.

Rrëshqita nëpër vite,

Megjithatë i njejtë ngela

Bashkë me hijen time,

Që nuk më ndahet kurrë,

As kur rritet, as kur zvogëlohet…

Poeti “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe raportet e tij me vetveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë, me atdheun dhe “diademën” e plagëve të tij, të marra nëpër luftëra pa të fituar, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ai gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë.

Fryma e poezisë së Tahirit është frymë e një natyre të qetë në dukje, por të trazuar dhe vullkanike në thelb, pasi në ato vargje spontanë e të vetvetishëm, përcillen kurba të epërme të rebelimit, shqetësimit e dhimbjes, për fatin e tij dhe të etnisë së tij.

Në rrekjen për t’i vështruar gjërat në sy dhe në thelbin e tyre filozofik, plot lëng dhe ngjyra të gjalla jete, qëndron e veçanta e aktit poetik të Tahirit, i cili shpalos një jetë në kërkim të vlerave dhe dimensioneve më të pastra e më të qashtëra të qenies njerëzore, shpalos historinë dhe përditshmërinë, unin dhe etninë në kulmimin e tyre liriko-dramatik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat