Shënohet 18-vjetori i Kinemasë ABC me filmin “Yjet e së Ardhmes”

Kultura

Shënohet 18-vjetori i Kinemasë ABC me filmin “Yjet e së Ardhmes”

Më: 24 maj 2018 Në ora: 20:50
“Yjet e së Ardhmes”

Me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Kinemasë ABC, sonte kjo kinema dhe Multi Media Studio NOSITI mbajtën premierën e filmit me metrazh të gjatë “Yjet e së Ardhmes” të regjisorit Edmond Topi.

Drejtoresha e Kinemasë ABC, Miradije Vllahiu, tha se 847 filma shqiptarë nga rajoni, Evropa dhe nga Hollywoodi janë shfaqur për këto 18 vite, ndërkohë që janë shfaqur edhe qindra filma në kuadër të Javëve dhe festivaleve, të cilat kanë qenë me interes të zhvillimit të kinematografisë dhe kulturës në Kosovë.

Ajo shtoi se gjatë këtij rrugëtimi kanë pasur shumë sfida, ku vetëm gjatë periudhës 2004-2008 kinemaja ABC është përballur me dukurinë e piraterisë dhe konkurrencën jolojale, ndërsa në vitet e fundit ka një numër të paktë të shikueshmërisë.

Vllahiu: Zgjodhëm filmin shqiptar “Yjet e së ardhmes” për ta shënuar 18 -vjetorin

“Është përzgjedhur për të shënuar këtë përvjetor të 18-të, filmi shqiptar “Yjet e së ardhmes”, në këtë datë të rëndësishme jo vetëm për ne, por për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të dëshmuar traditën e shfaqjes së filmit shqip, që kjo kinema I ka trajtuar në një hapësirë të veçantë gjatë gjithë rrugëtimit të saj 18-vjecar. ABC, sot në këtë datë 18 vite më parë është inauguruar nga aktori ynë i madh Istref Begolli, tashmë i ndjerë dhe në atë kohë është shfaqur filmi premierë “Kolonel bunker” i regjisorit shqiptar, Kujtim Çashku”, ka thënë Vllahiu. 

Regjisori i filmit “Yjet e së Ardhmes”, Edmond Topi  deklaroi për KosovaPress se është kontributi i çdo kineasti i domosdoshëm për zhvillimin e industrisë së filmit, në këtë rast për të mbajtur gjallë dhe zgjerimin e rrjeteve të Kinemave.

Ai tha se filmi “Yjet e së Ardhmes”, është pjesë e politikave për zhvillimin e industrisë së filmit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Topi: Filmi, pjesë e politikave për zhvillimin e filmit në Kosovë

“Pse vendosem ta transmetojmë këtu? Sepse filmi është pjesë e politikave për zhvillimin e industrisë së filmit në Shqipëri dhe në Kosovë. Unë në momentin që u propozua kjo datë, isha më shumë se sa I kënaqur, ndërsa nga pikëpamja menaxheriale duhet ta pranojmë që kjo nuk është një datë e mirë, Kosova është një vend, i cili e ka më të theksuar se sa Shqipëria ndjenjën religjionit, pra të fesë dhe periudha e Ramazanit në këtë rast nuk është një moment i mirë për të shfaqur një film. Në orën 20.00 që fillon filmi është koha e iftarit, por të gjitha këto që nga pikëpamja menaxheriale janë të dhëna negative, mua më gëzon fakti që sonte ishte 18-vjetori i Kinemasë. Më vjen shumë keq që është një Kinema në likuidim, por unë uroj që të bëhet 80-të”, deklaroi Topi.

Aktorja e cila ka interpretuar në këtë film, Margarita Xhepa për KosovaPress tha se “Yjet e së Ardhmes” trajton problemet për moshën e shtyrë, pasi sipas saj, kjo moshë e vjetër dikur ka qenë fisnike midis brezave, ndërsa tash është në një gjendje të keqe.

Xhepa: Ky film trajton problemet për moshën e tretë

“Ne erdhëm nga Tirana për të prezantuar një film të ri të regjisorit Edmond Topi, një temë për moshën e tretë, që është edhe mosha ime. Jam tepër e gëzuar për arsye, sepse ky film jo vetëm për ne shqiptarët, por do të thosha në mbarë botën janë probleme për moshën e tretë. E themi këtë, sepse dikur kanë qenë fisnike marrëdhëniet midis brezave, kur tani mendoj se janë trembur, janë trazuar, janë trazuar, janë ftohur dhe është për të ardhur keq”, ka thënë aktorja Xhepa.

Të pranishëm në këtë event ishin edhe yjet e kinematografisë shqiptare Tinka Kurti, Reshat Arbana, por nuk u prononcuan për media.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat