Është promovuar libri “Përtej kujtimeve”, që është libri më i ri me poezi i autorit Blerim Dajaku.
Për autorin Dajaku u tha se në këtë libër të gjitha të mirat dhe të këqijat e ofruara nga jeta i paraqet me një vërtetësi artistike.
Në këtë libër autori i thur vargje jetës, lirisë, shpresës, së ligës, guximit e dashurisë. Dajaku, thotë se në këtë libër secili lexues do të gjejë copëza të jetës së tij.
Dajaku: Në këtë libër ju e gjeni pjesën e jetës suaj
“Librin e parë në vitin 2008 kur e kam botuar pas dy muajve, tre ka pasur lexues që rastësisht jemi takuar dhe kanë thënë se sa herë që po e lexoj për herën e parë, për herën e dytë, po e gjej diçka një pjesë të jetës time. Unë them që në këtë libër ju e gjeni pjesën e jetës suaj, copëzat e jetës tuaj”, tha ai.
Për librin dhe autorin ka folur edhe redaktori i librit Merxhan Avdyli, i cili u shpreh se vargu i Blerim Dajakut mbështetet mbi disa paradigma, të cilat njëherësh janë edhe shtyllat ku mbështetet poezia e tij.
Avdyli: Vargu mbështetet mbi disa paradigma, që janë edhe shtyllat ku mbështetet poezia e tij
“Blerim Dajaku, pavarësisht jetës, kohës, rrethanave, rrjedhave jetësore ka arritur të krijojë një poezi e cila të gjitha të mirat dhe të këqijat e ofruara nga jeta, të gjitha krajatat dhe sfidat e saj i paraqet me një vërtetësi artistike duke e krijuar realitetin e dytë përkatësisht realitetin artistik. Vargu i Blerim Dajakut mbështetet mbi disa paradigma, të cilat njëherësh janë edhe shtyllat ku mbështetet poezia e tij. Jeta, liria, sakrifica, dashuria, kujtimi, shpresa, malli, ëndrra, sikurse edhe veset dhe veprimet e tjera si mashtrimi, mëdyshja, zhgënjimi janë paradigmat poetike mbi të cilat është e ndërtuar poezia e tij. Mirëpo, shtrirja dhe shtresimi poetik i Blerim Dajakut shkon përtej këtyre paradigmave”, tha ai.
Avdyli tha se mjeshtëria e përdorimit të figurave stilistike poezinë e Blerim Dajakës e bënë më të plotë, më të ndjeshme, më të lexueshme dhe më të afërt me lexuesin e rëndomtë.
Disa fjalë për librin i ka thënë edhe recensenti i librit Flamur Maloku, ku ai tha se delli prej poeti më ndryshe, uni i tij, parimet, zëri kumbues, thirrja dhe agresiviteti janë ato që e bëjnë këtë autor të veçantë në poezinë shqipe.
Maloku: Blerim Dajaku do ta ketë hetuar me kohë forcën e kësaj fryme universale
“Blerim Dajaku do ta ketë hetuar me kohë forcën e kësaj fryme universale, shpirtin, fjalën, përjetësinë, imagjinatën, dëshirën, dashurinë, urrejtjen për të keqen e shpresën për një botë tjetër. Ai sikurse nuk ndalet qoftë i vetmuar, qoftë me njerëz, qoftë pa ta, qoftë me miq, i zbathur e i mbathur, ai e zgjodhi një rrugë tjetër që ja deshi qejfi i tij. Pra, ja deshi aty ku nuk gjunjëzohet, kur ndjenja njerëzore është e pranishme, kur njeriu është njeri, kjo është poezia e Dajakut”, tha Maloku.
“Përtej Kujtimeve” është i libri i dytë i autorit Blerim Dajaku, ndërsa në vitin 2008 ka botuar librin e parë me poezi të titulluar “Vargjet e poezisë së përgjakur”.