Nesër mbrëma kurorëzohet me premierë ëndrra e mistershme, e bukur dhe e gjatë e Bekim Lumit

Kultura

Nesër mbrëma kurorëzohet me premierë ëndrra e mistershme, e bukur dhe e gjatë e Bekim Lumit

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 15:35

Aktorët Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj pas shumë muajve punë do të jetësojnë shfaqjen “Arturo Ui”, e cila vjen nën direktivat e regjisorit Bekim Lumi.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Agon Myftari, tha se kjo shfaqje është e veçantë pasi që shënon 120 vjetorin e lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetorin e artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

“Po më vjen mirë që kjo vepër e madhe po kurorëzohet, nesër do të jetë një festë për Teatrin Kombëtar, do jetë një ngjarje edhe estetike edhe shoqërore e politike, e një rëndësie të veçantë. Më vjen shumë mirë që kjo premierë po ndodh kur unë e udhëheqë artistikisht këtë teatër”, u shpreh ai.

E inskenimi i kësaj shfaqje ka qenë një ëndërr të cilën regjisori Bekim Lumi e kishte pasur që kur kishte qenë në studime.

“Është një andërr të cilën e gjakon secili regjisor, mirëpo jo çdokush e ka guximin më e ngjitë në skenë këtë shfaqje sidomos jo në vitet kur i mungon përvoja. Këtë andërr e kam të kamotshme mirëpo ajo u bë realitet vetëm tani pas 20 viteve krijimtari artistike”, u shpreh ai.

Regjisori Bekim Lumi theksoi se ju është mirënjohës të gjithëve të cilët kanë besuar në të dhe e kanë përkrahur në ‘aventurën e çuditshme e të gjatë’ siç e quan ai.

“Jam i lumtur që ja kam mbërri kësaj dite edhe për kundër sfidave, përkundër sëmundjes dhe gjendjes shëndetësore që ka qenë e që vazhdon të jetë e rëndë, e që më ka munduar jashtëzakonisht shumë në provat e përditshme që kur i kam filluar. Shfaqja ka qenë një proces i lodhshëm një ecuri krijuese bukur e gjatë të cilën në fazat kur unë nuk kam qenë mirë e ka udhëhequr asistenti im Bashkim Ramadani, të cilit i falënderohem. Prandaj dua të falënderoj atë, teatrin por dhe aktorët të cilët kanë pasur durimin me më ndjek në këtë andërr të mistershme, të bukur, të gjatë dhe të randë por mbi të gjitha të bukur artistikisht, e cila pas shumë përpjekjeve po finalizohet me një premierë”, tha ai.

E pikërisht dramaturgu Bertolt Brecht, tekstin e të cilit e ka marrë regjisori Bekim Lumi, ka pasur ndikim në orientimin e regjisorit drejt dialektit gegë.

“E folmja skenike për mua duhet të jetë e folmja gegnishte mirëpo nuk e përjashtojë edhe mundësinë që të inskenoj tekste si përkthime të Nolit, apo tekste të ndryshme të cilat e kanë bukurinë dhe freskinë e gjuhës standarde. Por problemi nuk është të Noli e as të Konica e as të autorë jashtëzakonisht të mëdhenj të cilët e kanë njohur shumë mirë të folurën në gjuhën shqipe në të gjitha dialektet por të kultura e pamjaftueshëm ndoshta e publikut tonë për me u pamjaftu krejtësisht me të folmen skenike dhe te kultura e pamjaftueshëm e disave që e kultivojnë dhe e shkruajnë dramaturgjinë”, theksoi ai.

Rolin e gangsteri Arturo Ui do e sjellë aktori Bujar Ahmeti, e sipas regjisorit kanë qenë dy elemente të domosdoshme që kanë bërë atë që të ia besojë këtë rol: energjia krijuese dhe talenti që e posedon ky aktor i ri.

Aktori Bujar Ahmeti tregoi se në fillim ka pasur një frikë ndaj rolit pikërisht për shkak të gjatësisë që ka teksti, mirëpo i ka besuar punës së regjisorit.

“Për mua ka qenë privilegj që ta kem në CV-në time një rol të tillë dhe privilegj edhe më i madh që kjo shfaqje realizohet nën regjinë e Bekim Lumit. Besimi im të Bekim Lumi është shumë i madh, njëlloj si dashnia dhe pasioni me punu me atë e që gjithmonë ka qenë e vazhdueshme dhe e pazëvendësueshme”, u shpreh ai.

Premiera e shfaqjes është nesër duke filluar nga ora 21:00, ndërsa reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në fillim të shtatorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat