Elegji apo poemë kujtimi

Kultura

Elegji apo poemë kujtimi

Nga: Sejdi Berisha Më: 13 qershor 2018 Në ora: 16:00
Sejdi Berisha

1.

A të kujtohet o babëloku im

Ai burimi ku pinim ujë

E ai fliste me ne për historinë

2.

A të kujtohen o babëloku im

Ato majat e bjeshkëve

Prej nga panorama e Dukagjinit

Na madhështonte shikimin

3.

A të kujtohen o plaku im

Ato kullosat ku i ruanim delet

Edhe do gurë varresh nëpër to

A të kujtohen edhe do varreza

Para e pas shekujve të shkuar

4.

A të kujtohet o plak i ri

Kur barinjtë nëpër shpatina

I thurnin ëndrrat e tyre

5.

A të kujtohet o flokëthinjuri im

Qafa e Diellit dhe Bjeshkët e Nemuna

Që asnjëherë nuk ua kemi mësuar

As nuk ua kemi ditur

Deri në  fund dhembjet

6.

A të kujtohet o kosëtari im

Kur livadhet nën thepat e larta

I kositnim me kosat e mprehta

Këngën e Oso Kukës suke e kënduar

7.

A të kujtohen o i përvuajturi i kohës

Betejat për çlirimin e atdheut

8.

A të kujtohet

Ti shtylla e jetës sime

Kur nën hijen e lisit

Kuvendonim për moshën tënde

E për ëndrrat e mia

9.

A të kujtohet ty plak i pleqërisë

Kur lumenjtë i matnim me kutin e shpirtit

10.

A të kujtohet o Zot shtëpie

Sofra me bukë misri

Me pak djathë e një grimë turshi

Me pak kripë e spec të djegës

Oreksin për ta provokuar

11.

A të kujtohen vargjet me gështenja

Në Pazar i shitnim

Për një kafshatë buke

12.

A të kujtohet plisi mbushur djersë

Si zdralë dukej

Pasqyrë e vuajtjeve ishte

Por edhe madhështi e krenarisë

13.

A të kujtohet babëloku im

Kur u shtrive në krevat

Më the:

Kurrë më nuk do ngritëm

Se toka më kërkon

E nuk i dije dhembjet e mia

Dhe ike

Por të gjeta këtu

14.

A të kujtohen të gjitha këto

Që një nga një t’i kokrrova

Se nuk më dhe asnjë përgjigje...

15.

Jo

Asgjë nuk më the

Se e ke ditur edhe din

Se historia është rrena e rrenës

16.

Por të gjitha këto

Edhe jetën tënde

Në defter i kam futur

17.

Babai im

Tash zgjate dorën

Edhe kështu në këtë fushë varresh

Mund të përshëndetemi

Se janë edhe do punë për t’u kryer

18.

Mbi varrin e babait

Kishte shpërthyer ujë i kthjellët

Nuk e di a ishte ujë jete

Apo lotët e plakut tim të etur

Që mua më përcëlluan...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat