Shipkovica, gurbeti dhe Vllahia

Kultura

Shipkovica, gurbeti dhe Vllahia

Nga: Baki Ymeri Më: 19 qershor 2018 Në ora: 00:05
Kopertina

Sipas do bisedave të kahmotshme me Idriz Sejdiun, kuptojmë se ndër banorët e parë të Shipkovicës, “sefte xhi kën dal n’gurbet”, e që paskan vajtur në këmbë, deri në Rumani, kanë qenë “mixha Bam, mixha Sefë ene Kasami”. Edhe “mixha Sidë”, sipas tij, “ka shkue n’kam, pi kto e n’Vllajak”. Këtë burime i konfirmon edhe një mërgimtar koprac i  Zvicrës së pasur. “A ka ene shoum?”, i paska pyetur më i vogli, që shkon për herë të parë në kurbet me ta. “Çe ene çat kodër ta kapërcim, pa do mbrajm n’Vllajak”, i paskan thënë më të vjetrit, duke i dhënë kurajo përmes “mashtrimit”, gjoja se një ditë, pas gjithë atij rrugëtimi të gjatë, duke kaluar fusha, kodra e lumenj, më në fund do të arrijnë në veri të  Danubit. Disa kanë punuar në kryeqendër, ndërsa të tjerët nëpër qytete e nëpër fshatra të Vllahisë.

Dina i Danës (Fahrudin Ramadani) ka punuar në Budë, nja 20 km. tejmatanë Bukureshtit. “E mbaj mend si sot. Shkuam me një katundar të Lisecit edhe kur zbritëm nga treni në  Bukuresht, sa dolëm nga  stacioni, e pamë Ademin e Avllahit dhe Ismëjlin e Lahit, duke shitur ëmbëlsira me shportë. Prej aty vajtëm te Hoda i Lisecit. Unë isha me opinga. Erdhi daja im, Raifi Xhemës, e më solli këpucë e tesha moderne. Buda ishte një katund i madh. Aty punonte edhe Dana i Vehapit, Dila i Nelës, dhe Fika i Lisecit. Daja im ishte shefi i tyre. Punova edhe unë nja tre vjet atje. Shkojshim nëpër fshatra, në njërën dorë me koshin me ëmbëlsira, ndërsa në dorën tjetër me kovën me bozë. Shisnim bozë, akullore, hallva, limunadë, sheqerka të larme, susam, kikirika etj. Fëmijët e të rriturit kënaqeshin me ëmbëlsirat tona. Fitimi i madh ishte asokohe, por më erdhi thirrja për ushtar. E lash kurbetin, erdha në vendlindje dhe na rrokën përpara partizanët e na dërguan deri në Slloveni, gjoja se për të dëbuar fashistët, por, pas planeve të tyre, fshihej një rol i dyfishtë: mënjanë për të trembur gjermanët e italianët, kurse në anën tjetër për t’i likuiduar shqiptarët, siç ngjau në Tivar e Dubrovnik më 1945”.

Rrëfimet e Fahrudinit të ndjerë, i konfirmonte edhe Mustafë Merxhani. Vëllau i këtij të fundit, qe martuar në brigjet e Detit të Zi, me një shqiptare të turqizuar, stërgjyshi i së cilës  kishte ardhur nga Dibra në Rumani, qysh para 150 vitesh. Sipas do rrëfimeve tjera, ndër të parët banorë të Shipkovicës, që ka vajtur në Rumani, paska qenë xhaxhi Kadri, stërgjyshi i dr. Zeqir Kadriut. Për xhaxhin Kadri thonë se me fitimet e atjeshme, ka blerë gjysmën e trojeve të fshatit, pasuri prej së cilës kanë jetuar tri gjenerata, duke mbetur edhe për tri të tjera. Megjithatë, jo të gjithë ata që shkonin asokohe për fitim në këto vende (Bullgari, Rumani, Çekosllovaki etj.), ktheheshin të pasur. Kishte edhe të atillë, që i harxhonin paratë pas lavireve dhe ktheheshin me xhepa të zbrazët. Për ta, pleqt e fshatit thonin: “Ka shku kal e ka ardh magjar”. Për Batinë e Xhetës, thonë se u plak atje, dhe se e dinte më mirë rumanishten se sa gjuhën amtare, ngase pat ndenjur mbi 40 vjet në kurbet. “Sefte kur ka shku n’gurbet, e ka lan gjalin ende pa li. Kur vojn mbas pes vetësh pi Vllajake, memzi që e njeh gjalin e vet”. Ademi Avllahit, ishkryeplaku i fshatit, 18 vjet punoi si ëmbëltor në Bukuresht, 6 vjet pa ardhur fare në shtëpi

Shumica e bashkëfshatarëve tanë, ishin tregtarë të imtë, ëmbëltorë , rojtarë, muratorë, manifakturantë. Holuzi Danës pat punuar dhjetë vjet, duke shitur ëmbëlsira në komunën Domnesht, rrethi i Ilfovit. Vëllau i tij ushtronte të njëjtin profesion, në periudhën e Mbretërisë, në Urziçen. Hetemi Seferit, tetë vjet pat punuar në komunën Videle. Ismëjli Lahit me vëllaun e tij, Sejfedinin, shisnin arra e kikirika, bozë, akullore e llokum me ujë të ftohtë, në rrugën Kalea Vëkëreshti.  Hebibi Uzahirit, Cani Hajrës, Gafuri Sidës, Rafia Tasinit, Jonuzi Memetit, Zeqirja Merxhani, Dana i Vehapit, e shumë të tjerë. Nga një çertifikatë zyrtare e bashkësisë islame lëshuar në emër të Ajvaz Vokës, (Bukureshtit, nr. 13/ 28 gusht 1936), kuptojmë se në kryeqendrën e Vllahisë, kanë punuar edhe Refik Omeri, Bajram Ziberi, Ismëjl Hajrullahi dhe Hakik Uzahiri. Idrizi Haqifit, Xhavit Abdia, Uzahiri Bislimit me dy vëllezërit e tij, pastaj Hakiki Çaushit, Velia i Qazës, Rahimi Ametit e do tjerë, kanë ushtruar profesionin e ëmbëltorit në Konstancë e rrethinë. Për këtë të fundit thonë se aq fodull ka qenë, saqë mbrohej nga dielli me ombrellë përgjatë verës, sa herë që shëtiste rrugëve të Konstancës. Ka dhe më por po e lëmë me kaq për t’ua uruar shqiptarëve Bajramin e Vogël, siç ua uronin dikurë, e jo Kurban/Bajramin siç trumbetojnë sot ata që tentojnë me kokëfortësi aziatike ti arabizojnë emrat, uratat dhe kremtet tona të shenjta. (Baki Ymeri, 1995)]

Image

Atdhetarët e Shipkovicës sipas kujtimeve të Resul Arifit

“Mulla Jaha ishte një fshatar i thjeshtë nga Shipkovica e Tetovës. Ai ka qenë i persekutuar politik. I mbajti dy vjet e gjysmë, edhepse ishte i dënuar më shumë, por e lëshuan para kohe, ngase ishte i sëmurë. Unë kam qenë katër vjet në burg (1951-55), ngase na zunë duke vepruar për bashkimin dhe përparimin e shqiptarëve, ngado që janë”. Në pyetjen për kushërinjtë Gjura, zoti Resul Arifi na thot: “Sadudini ishte më i mençur se Xhelali, ndërsa Xhelali ishte më trim se Sadudini. Trimëria e tij kaplonte përmasa legjendare. Ai vjente nga Tirana, futej si gjilpërë në shtëpinë e tij të mbushur me xhandarë, përshëndetej me nënën, i jepte libra shqipe për t’i shpërndarë dhe delte pa e vërejtur askush. Por, mos harroni të shtoni edhe atqë se para Xhelal Gjurës, Shipkovicës ia rriti autoriotetin Rexhep Voka. Por ai ishte aq i ditur, saqë populli i thjeshtë nuk e kuptonte. Ai edhe vetë thoshte: “At xhi di unë, s’kam kuj t’ja kallzoj”. Shipkovica e ka patur edhe një atdhetar tjetër të shquar:Rexhep Ramizin, të cilin e dënuan serbët pas vdekjes së tij, dhe atë me tetë vjet burg të imagjinuar. Ajvaz Vokën e kam dashur shumë ngase ai e pat prurë lidhjen e parë radiofonike, nga Bukureshti në Shipkovicë, por e spiunuan do shqiptarë të shitur dhe erdhën dymbëdhjetë xhandarë në kohën e pushtimit italian dhe ia morën”. Po ndonjë plak tjetër të mençur, kishte Shipkovica asokohe?- e pyesim xhaxhin Resul, i cili vazhdon:

“Si jo! Po për Ademin e Avllahit, a ke ndeje? Ai ishte edhe trim edhe i mençur. Ai i pat ndërruar emrat e rrugëve, nga sllavishtja në gjuhën shqipe. Sa mbaj mend unë, në Shipkovicë, rrugës që nga faltorja e deri te shtëpia e Baftjarit, ia vu emrin “Rruga Rexhep Voka”. Me të njëjtin emër, ai propozoi asokohe që edhe rruga e e sotme “Shtipska” në Tetovë, të thirret Rexhep Voka, ngase atje jetonin Xheladin Voka e do kushërinj të tjerë të këtij dijetari të njohur, për veprën e të cilit ka botuar një libër shkencor, edhe dr. Vehbi Bexheti. Përndryshe, Resul Arifi ka dhënë një kontribut të denjë për Kosovën martire, dhe atë përgjatë viteve të bujshme, 1990-1999, duke dërguar ndihma të shumta, së bashku me Nazmiun e Sellcës, dhe atë, në një mënyrë të atillë konspirative, saqë as udbashët e as dreqi nuk i binte në gjurmë një veprimtarie të këtillë sa humane. Me një sinqeritet që i ka hije rrëfen se si ka dërguar edhe në Malishevë ndihma të panumërta, ushqime e veshmbathje, për fëmijë e për të rritur.

Është karakteristik fakti se këtë gjest të madhërishëm të altruizmit, të grumbullimit, ekspeditimit dhe shpërndarjes së ndihmave, nuk e ka bërë publike. “Ka shumë gjëra që shqiptarët ende nuk i dinë”,- na thot xha Resuli dhe shton: “Shumëkush prej nesh, ende nuk e din se rrënjët e lashta të shqiptarizmit gjenden në katolicizëm. Ne mnjakët, për shembull, pikërisht familja ime, që nga Xhema-Arifi-Veseli-Aliu-Isaki arrijmë, brez-pas-brezi, te Kola, i cili ka qenë njëri nga stërgjyshërit tanë me përkatësi konfesionale katolike. Dhe kjo nuk prish punë ngase edhe ata dhanë kontribut pçr çrobërimin e Kosovës nga kthetrat e shovinizmit serbomadh. Pastaj varri më i motshëm i Shipkovicës, është i Hodë Macit, që edhe ai ka qenë katolik, dhe ky varr me dy gurë të hatashëm, gjendet pranë varrit të shenjtë, të tribunit të atdhedashurisë shqiptare të kësaj ane, Sadudin Gjurës”. (Baki Ymeri, 1999)

KUZHINA SHQIPTARE

Kuzhina shqiptare është një përzierje e influencave të kuzhinës turke, asaj ballkanike dhe evropiane. Ajo është e njohur për vlerat e larta ushqimore dhe shijen e saj mjaft të mirë. Pothuajse çdo krahinë ofron specialitetet e saj të veçanta. Gatimi i mishit të pjekur, sidomos qengjit dhe përgatitja e byrekëve të ndryshëm është e përhapur në të gjithë vendin. Veçanërisht në krahinat e jugut dhe Shqipërisë së mesme është i njohur përdorimi në shkallë të gjerë i perimeve dhe zarzavateve, vajit të ullirit, erëzave të ndryshme dhe limonit. Pjatat e peshkut janë të njohura veçanërisht në qytetin e Shkodrës (tava e krapit), Pogradecit (korani me arra dhe lloje të tjera), zona bregdetare e Jonit dhe Adriatikut etj.

Në Shqipëri gatuhen ëmbëlsira të shumëllojshme, shumë prej të cilave janë të përbashkëta edhe për vendet e tjera ballkanike dhe Azinsë së vogël (ballkavaja, kadaifi, sheqerparet, hashurja etj). Ndër ëmbëlsirat më tradicionale është "ballokumja", e cila gatuhet në qytetin e Elbasanit për festen e Ditës së Verës (14 Mars). Si rezultat e klimës së përshtatshme mesdhetare Shqipëria është e njohur për kultivimin e rrushit dhe prodhimit e një varieteti verërash të kuqe dhe të bardha. Ndër më të përmendurat janë ato Merlot, Kabërnet, Pinot Nero, Kallmet, Shesh i Zi, San Gioveze, Riesling, Shesh i Bardhë etj.

Pija më tradicionale alkoolike është rakia (një lloj Brandy i prodhuar nga rrushi). Në disa zona të Shqipërisë prodhohet edhe rakia e kumbullës (Korçë, Dibër), ajo e manit (Boboshticë etj). Shqipëria është gjithashtu e njohur edhe për prodhimin e konjakut Skënderbej, i përmendur për shijen dhe aromën e tij. Konjaku shqiptar ka fituar gjithashtu edhe çmime ndërkombëtare. Ndër pijet jo alkoolike është për tu përmendur boza (një pije freskuese me bazë misrin), e prodhuar në veri të vendit sidomos në krahinën e Kukësit si dhe rehania, e cila vjen nga lëngu i rrushit dhe është pije tipike e Skraparit. (Burime elektronike)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat